Gjyqësori i Kosovës i dështuar edhe në planet që vetë i harton për lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Gjyqësori i Kosovës i dështuar edhe në planet që vetë i harton për lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar
Gjyqësori i Kosovës i dështuar edhe në planet që vetë i harton për lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 07 February 2023 - 07:27

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

E për dijeninë e lexuesit, duhet cekur që është raportuar se janë edhe mbi 14 mijë 517 lëndë të pa zgjidhura në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Kurse në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, raportohet se në punë janë gjithsejtë 15 mijë 269 lëndë nga të cilat janë zgjidhur vetëm 752 sosh ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura edhe 14 mijë 517 lëndë.

Sipas një analize profesionale të vetë KGJK-së është vërtetuar se Plani Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024 nuk ka gjetur zbatim të plotë. Madje edhe nga vetë institucionet e drejtësisë, po konstatohet zyrtarisht, se korrupsioni dhe krimi i organizuar po amnistohet qëllimisht nga gjyqësori i dështuar e i tej inkriminuar, i cili pavarësisht hartimit specifik të planeve strategjike,pikërisht për lëndët e kësaj fushe, rezulton vazhdimisht i dështuar, deri në kufijtë më të ulët kritik! Këtë konstatim e ka dhënë në mbledhjen e 303-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Afrim Shala, kryetar i Komisionit për Monitorimin, Vlerësimin dhe Raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025 si dhe i Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024. Sipas gjyqtarit Shala, njëherësh Kryetar i Komisionit për Monitorimin e Strategjive të lartcekura, bazuar në rastin konkret subjektet përgjegjëse që kanë obligime në zbatimin e planit strategjik janë kryetarët e gjykatave, koordinatori në nivel të KGJK-së për lëndë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, Njësia për Inspektim Gjyqësor, Komisioni për Administrim të Gjykatave, Auditori i Brendshëm, Zyra e Statistikave dhe Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore pranë KGJK-së. Shala ka treguar para KGJK-së se komisioni vlerësues kanë kërkuar informacione nga këto subjekte se sa i kanë përmbush obligimet që dalin nga ky plan.

Mirëpo, sipas tij, kanë pranuar përgjigje zhgënjyese nga secila njësi veç e veç, duke filluar nga Njësia e Auditimit të Brendshëm, Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, në Gjakovë, Gjilan, Prishtinë dhe Prizren,si dhe nga koordinatori dhe Njësia për Inspektim Gjyqësor. Sipas tij, pas pranimit të informacioneve kanë ardhur në përfundim se Plani që nga miratimi prej KGJK-së e deri në kohën e raportimit nuk ka gjetur zbatim të plotë, për shkak se subjektet kryesore përgjegjëse nuk kanë arritur që t’i përmbushin në tërësi detyrimet dhe përgjegjësitë që derivojnë nga ky plan”, ka deklaruar Shala. Për aq më tepër, përveç të gjeturave si komision kanë elaboruar edhe rekomandimet ku, sipas tij, kanë rekomanduar që të mbahet një takim me subjektet përgjegjëse lidhur me ngecjen e zbatimit të këtij plani.

KGJK sipas analizës së fundit, ka konstatuar se ka pasur një ngarkesë të madhe të Departamenteve Speciale të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, kështu që mbetja e lëndëve të pa zgjidhura në nivelet e gjykatave vazhdon të jetë akoma alarmante. E për dijeninë e lexuesit, duhet cekur që është raportuar se janë edhe mbi 14 mijë 517 lëndë të pa zgjidhura në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Kurse në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, raportohet se në punë janë gjithsejtë 15 mijë 269 lëndë nga të cilat janë zgjidhur vetëm 752 sosh ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura edhe 14 mijë 517 lëndë. Arsye e këtij dështimi është sipas KGJK-së «mungesa» e stafit të mjaftueshëm?! Raportimet në KGJK konstatojnë se në Gjykatën e Apelit në vitin 2022 janë zgjidhur 17 mijë 363 lëndë, Por viti 2022 është nisur me 15 mijë e 64 lëndë të pazgjidhura ndërsa gjatë vitit i kanë pranuar edhe 18 mijë e 973 lëndë tjera, e që i bie se në punë kanë pasur 34 mijë e 37 lëndë.

Prandaj vet kjo gjendje alarmante e stagnimit dhe dështimit të trajtimit të ngadaltë të rasteve të fushës së krimit, fletë hapur se nuk do të ketë zhvillim pozitiv, as dinamikë të përshpejtimit, pa u pastruar dhe dekriminalizuar tërë sistemi i drejtësisë me procesin në pritje të Ligjit Vetting. Ky proces, i cili për fat, tanimë ka arritur në Kuvend dhe është premtuar për një dinamikë punë të shtuar, për miratimin e tij, i cili është më se i nevojshëm, për fillim zbatimin e tij gjatë këtij viti, me shpresën se nuk do të ketë pengesa tjera nga ato të deritanishmet, që mundë të dalin serish përgjatë rrugës deri te miratimi dhe fillimi i zbatimit të Vettingut edhe në praktik, pa ndikime të mëtejme nga Politika e inkriminuar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".