Orekset e Serbisë janë aq të zgjeruara, saqë Kosova në asnjë variant, nuk mund ti plotësoj ato

Orekset e Serbisë janë aq të zgjeruara, saqë Kosova në asnjë variant, nuk mund ti plotësoj ato
Orekset e Serbisë janë aq të zgjeruara, saqë Kosova në asnjë variant, nuk mund ti plotësoj ato

Gani Qarri

  • 24 October 2024 - 07:26

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Rivendosja e ligjit dhe rendit kushtetues, shtrirja e sovranitetit të plotë shtetëror, në të gjithë veriun e Kosovës, si dhe rikonfirmimi i qëndrimit të SHBA-ve, përmes ambasadorit Jeffry Hovenier se Institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht legjitime edhe në veriun e vendit, njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke shtuar se SHBA ndjehen të lumtura e krenare, për ndihmën që ato kanë dhënë, në ndërtimin e këtyre institucioneve, na bënë të shpresojmë pafundësisht, se qëndrimi i SHBA-ve, edhe në rast të ndryshimit të pushteteve në Amerikë, veçanërisht sa i takon pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, nuk do të ndryshojë dhe do të mbetet konstant, argument që për fat, konfirmohet edhe nga njohësit e mirë të politikës amerikane.

 

-Prandaj nisur nga konfirmimi më i ri-zyrtar i SHBA-ve, përmes ambasadorit Hovenier se Institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht legjitime në veri të Kosovës, si dhe argumentin tjetër jetik, se tanimë edhe në terren ka ndryshuar plotësisht gjendja politike, në krahasim me atë çfarë ishte, gjatë ish mandatit të Donald Trumpit, besojë shumë dhe jam plotësisht optimist, se nuk ekziston më, asnjë arsye, madje nuk ka as argumente në terren, për tu rikthyer serish, rreziku që në mandatin e supozuar të Donald Trumpit, të riaktivizohet rishtas ideja e shkëmbimit të territoreve, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Deklarata e z. John Bolton, ish-ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara dhe ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare në administratën e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, tanimë nuk përkon me kohën, as me gjendjen në terren dhe as që besojë se Kosova dhe Serbia mund të gjejnë zgjidhje të pranueshme me shkëmbimin e territoreve edhe për faktin tjetër, se orekset e Serbisë janë aq megalomane e të zgjeruara, saqë Kosova, në asnjë variant, nuk mund ti plotësoj ato, pa e rrezikuar ekzistencën e vet, si shtet dhe entitet i pavarur.

Fakti tjetër, që unë mendojë se është një nga kryesorët, për mos realizimin e kësaj katrahure, është fatbardhësisht mungesa në politikë, e atyre që favorizonin ndarjen, kur dihet mirëfilli, se Thaçi & Co, tanimë ka disa vite, që vazhdojnë të mbahen të arrestuar në Hagë, ku dhe po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në Gjykatën Speciale.

Shto kësaj edhe tendencën e çmendur të Millorad Dodikut për ndarjen e të ashtuquajturës "republika srpska" nga shteti i Bosnjës, ndarja e Kosovës, apo i ashtuquajturi "këmbim territoresh" jo vetëm që nuk është zgjidhje dhe nuk do ti kontribuonte stabilitetit të Ballkanit por edhe do të shndërrohej në problemin më të madh zingjiror, i cili do ta komplikonte tërësisht gjendjen politike në rajon, duke hapur "Kutinë e Pandorës" dhe nxitur luftërat e reja, për territore, në gjithë Ballkanin Perëndimor, që nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku jetojnë rreth 40% të qytetarëve me kombësi shqiptare të cilët po ashtu, do të luftonin për bashkimin e tokave të tyre autoktone me Kosovën dhe Shqipërinë.

Prandaj deklaratat e z.John Bolton dhënë në intervistën për gazetën serbe "Politika", në momentumin e ri, janë plotësisht falsh e madje shumë të rrezikshme dhe me pasoja katastrofale për të gjithë rajonin.
Në anën tjetër, Bolton ka të drejtë kur deklaron se Amerika në Ballkan mund të kishte bërë, shumë më tepër, sikur “Shtetet e Bashkuara të mos ishin tërhequr, që prej disa vitesh duke ia lënë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Evropës Perëndimore, e cila dëshmoi edhe njëherë më tepër, se nuk është në gjendje të ndërmjetësojë paanshëm dhe as t’u ndihmojë palëve me sinqeritet, derisa administrata e Shtëpisë së Bardhë, po të ishte angazhuar me seriozitet, mund të kishte bërë, shumë më shumë, sepse te ajo, ekziston interesimi për ta stabilizuar rajonin, i cili ka qenë i paqëndrueshëm gjatë viteve të fundit.

Kështu që për ta përfunduar këtë konflikt në mënyrë që SHBA, të fokusohen te problemet më të mëdha të cilat dalin nga krijimi dhe rritja e aleancave të reja midis Kinës e Rusisë, si dhe kërcënimet që i vijnë Evropës nga Rusia, e tanimë edhe nga përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe Azinë Lindore, SHBA duhet të bëjnë çmos, që të gjendet një zgjedhje e drejtë dhe pranueshme për Kosovën, pa ndarje, pa këmbim territoresh, dhe pa bosnjëzimin e saj, derisa kemi përvojë aq të hidhur, me të ashtuquajturën "republika srpska" në Bosnjë e Hercegovinë.

Për momentin, ajo është vetëm një, e mos pyet, se çfarë do ta priste rajonin, po të imponohet me forcë edhe një krijesë tjetër e tillë e rrezikshme edhe në Kosovë, me të cilën, jo vetëm që do të vizatohej automatikisht, harta e Serbisë së madhe, por edhe do të bëhej çdo gjë nga Rusia e partnerët e saj, që "Serbia e Madhe" të realizohej edhe në terren, duke u shtri nga Bosnja e Hercegovina, gllabërimin e sa më tepër tokave të Kosovës, pjesë të FYROM-it, si dhe nënshtrimin e Malit të Zi, për të rritur paimagjinueshëm Serbinë dhe garantuar daljen e saj dhe të Rusisë në Detin Adriatik.

Andaj duke pasur parasysh faktin se kjo gjendje, siç e thotë edhe vet Bolton, vijon të ndodh që nga vitet e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, SHBA e cila për habi, me ardhjen e demokratëve dhe z. Joe Biden në krye, pikërisht kur Kosova shpresonte më së shumti dhe iu premtua mbështetja e pakursyer, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, papritur u tërhoqën pothuajse tërësisht nga veprimi aktiv duke ia lënë në dorë çdo gjë Evropës Perëndimore, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Dhe Evropa për gati 4 vite të plota, dëshmoi se nuk di as nuk i ka mundësitë vepruese të SHBA-ve, nuk mund, apo edhe nuk do të ndërmjetësojë paanshëm dhe përveçse nuk është në gjendje t’u ndihmojë palëve, ajo komplikon edhe më tepër gjendjen politike të vendeve diualoguese, duke mbajtur hapur, anën e Serbisë hegjemoniste, e cila ka shkaktuar tri-katër lufta gjenocidiale në vendet e ish federatës jugosllave, përfshi edhe Kosovën.

Duke marrë në konsideratë se nga zgjedhjet në SHBA, tanimë vetëm edhe pak ditë na ndajnë, ku ashtu siç vlerëson edhe z.Bolton, rezultati i votimit, përveçse është vështirë i parashikueshëm, Trump shpreh hapur simpati edhe për pozicionin rus, dhe pothuajse mbështetë pa pardon, pretendimet territoriale ruse, në luftimet midis Rusisë dhe Ukrainës, nëse ai fitin, administrata e tij mund ta ashpërsoj retorikën edhe kundër Kosovës, deri te aludimet publike për ti bërë favore Serbisë, ndaj politika e Kosovës, pozitë dhe opozitë, pa marrë parasysh se kush do ti fitojë zgjedhjet e radhës, duhet të bashkohen si një dhe të dalin me qëndrime unike, për ta shpëtuar Kosovën, në rast nevoje, nga më e keqja.

Përndryshe e keqja për vendin, vërtetë mund të vije shumë shpejt, dhe jo krejt papritur, kur dihet se kjo do të jetë gara presidenciale më e ngushtë në historinë bashkëkohore të SHBA-ve dhe kandidatët presidencialë në SHBA mbështesin palë të kundërta, gjë që në varësi nga fituesi, mund të jetë jo pak, problematike edhe për Kosovën, e cila ka nevojë, më shumë se kurrë për unitetin tonë politik, si garanci e vazhdimësisë së shtetësisë së saj, në kufijtë aktual, të njohur nga mese 120 shtete të botës dhe të vulosur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kur ndodhemi në përpjekjet që tanimë mund kthehen në luftë, për jetë a vdekje, për vazhdimësinë dhe mbijetesën e shtetit tonë, ende të pa rrumbullakësuar tërësisht, në përballje me një armik si Serbia, kur ekziston mundësia që po fitoi Trump, të marr edhe përkrahjen faktike nga miku ynë më i madh, i të gjitha kohëve!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".