
Lexoni edhe:
Kurti, mund të ndryshoj qasjen e tij në politikën e jashtme nëse është në interes të vendit
Shkruan-ANALISTI: Gani Qarri
Më 2 nëntor 2024, një informacion i rrejshëm, i raportuar ndoshta qëllimisht si i tillë në Polici, shkaktoi një incident të rëndë në Vushtrri. Sipas informacionit të dhënë, një person i kërkuar ndodhej në një veturë, por ky pretendim u provua të ishte i pavërtetë. Edhe pse asnjëri nga të pranishmit nuk ishte në kërkim policor, 6 të rinj (2 të rritur dhe 4 të mitur) u përballën me dhunë fizike të ushtruar nga dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ky veprim duket se është një inskenim i qëllimshëm dhe meskin, i cili u finalizua me lëndime trupore të viktimave, si rezultat i dhunës të planifikuar nga "policia".
-Raste të tilla të rrejshme dhe intriguese po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Kosovë, si pasojë e politikës së inkriminuar që ka fituar terren kohët e fundit. Kjo politikë po përdor mjete dhe metoda të paepura, duke kaluar çdo kufi të etikës dhe ligjit, për të paraqitur situatën në mënyrë të dëmshme, përmes propagandës dhe dezinformatave. Shembuj të tillë përfshijnë pretendime të rrejshme për mbetjen e Ushtrisë pa "PASUL", keqinterpretimin e një vdekjeje të një ish-pjesëtari të TMK-së si akt të lidhur me FSK-në, dhe tani, inskenimin e një akti barbar dhune ndaj të rinjve në Vushtrri, pa asnjë arsye të justifikueshme.
Një tjetër element shqetësues ka qenë manipulimi i policisë pas incidentit të 23 shtatorit 2023 në Banjë të Zveçanit, kur pas një akti terrorist të kryer nga autorë serbë, pati protesta të inskenuara nga policia, duke u shndërruar në një shfaqje politike. Kjo ka bërë që politika të dominojë mbi ligjin, duke e minuar integritetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve në to.
Në lidhje me rastin tragjik të vdekjes së një pjesëtari të pensionuar të TMK-së, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se ai nuk ishte pjesëtar i FSK-së dhe se raportimet mediatike që e paraqitën si të tillë ishin përpjekje për "keqinformim" të opinionit. Kjo është një tjetër shembull i mënyrës se si dezinformatat përdoren për të manipuluar publikun.
Sidoqoftë, dhuna e ushtruar ndaj 6 të rinjve në Vushtrri nuk mund të kalojë pa u vënë në përgjegjësi ata që e realizuan këtë akt. Ky incident shkel rëndë ligjin, të drejtat e njeriut dhe minon imazhin e Policisë së Kosovës. Faktori më shqetësues është heshtja e zyrtarëve të policisë dhe mungesa e një deklarate publike për këtë rast, që i ka lënë qytetarët në pasiguri dhe ka thelluar humbjen e besimit në institucione.
Në këtë kontekst, organizatat si AVONET dhe qytetarët e thjeshtë kërkojnë që Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të trajtojë këtë rast me seriozitet dhe transparencë. Hetimi duhet të zhvillohet paanshëm dhe me integritet, për të siguruar që të gjithë ata që kanë shkelur ligjin të vihen para përgjegjësisë dhe të ndëshkohen sipas ligjit.
Në një shtet ku llogaridhënia dhe besimi publik janë thelbësore, udhëheqësit e Policisë së Kosovës duhet të japin një shpjegim të plotë për këtë akt të rëndë dhune dhe të sigurojnë opinionin se ky nuk pasqyron politikën zyrtare të forcave të rendit ndaj qytetarëve.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".