‘Lista Guxo’ pa Vetëvendosjen, do të rrëshqiste 100%, sikur partia e Limajt

‘Lista Guxo’ pa Vetëvendosjen, do të rrëshqiste 100%, sikur partia e Limajt
‘Lista Guxo’ pa Vetëvendosjen, do të rrëshqiste 100%, sikur partia e Limajt

Gani Qarri

  • 26 November 2024 - 22:02

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Unë mendojë se përderisa SHBA, si shembulli më sublim i demokracisë në botë, arrin të organizojë jetën politike, mbarëvajtjen e demokracisë së mirëfilltë, qeverisjen normale dhe zhvillimin superlativ ekonomik të një vendi kaq të madh e të fuqishëm politik dhe ushtarak, me vetëm dy parti politike, në një vend kaq të vogël, me vetëm pak më shumë se 1.6 milion banor, si Kosova, nuk ka se çfarë duhen më tepër se dy, apo tri parti politike, të cilat ngarkojnë jo vetëm buxhetin, por komplikojnë edhe gjendjen edhe ashtu të brishtë politike, mbarëvajtjen e sistemit demokratik dhe qeverisjen me ecurinë normale të shtetit.

 

-Nëse megjithatë, pyetje e kësaj teme, është "Lista Guxo", siç dihet ajo vijon të mbetet një formacion, relativisht i ri politik, që vetëm pak vite më parë u regjistrua në KQZ, si parti politike, e cila pas suksesit që në bashkëveprim me LVV-në, arritën me 14 shkurt të vitit 2022, tani, veçanërisht pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vend, po ballafaqohet me sfida dhe sprova të mëdha.

Madje aktualisht, jo vëtëm që nuk është më në fuqi, euforia e vitit 2022, për ndryshime, por edhe vet LVV, në zgjedhjet komunale të mbajtura vetëm rreth tetë muaj më vonë, nuk dëshmoi mbështetjen e 14 shkurtit, kështu që nuk duhet harruar faktin se në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit 2022, Lista Guxo udhëhiqej nga presidentja aktuale e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani e cila, në krahasim me z.Peci dhe zonjën Gërvalla kishte njohuri, përvojë dhe mbështetje shumë më të madhe politike.

Shto kësaj argumentin domethënës, se "Lista Guxo", kur u bë pjesë e fitores së madhe, ishte në bashkëveprim me partinë e kryeministrit Kurti, kohë kur partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, pati fituar mbi 50 për qind të votave, rezultat befasues, që atëbotë kryeministri Kurti, i dalë nga ato zgjedhje dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, deklaruan njëzëri para qytetarëve se votimi i 14 shkurtit ishte një lloj referendumi popullor.

Duke qenë se "Lista Guxo" është një parti e re, pa perspektivë të qartë dhe, edhe ashtu, e formuar në rrethana të jashtëzakonshme, të cilës tani i mungon edhe udhëheqësja kryesore Dr. Vjosa Osmani, mendoj se, as që kishte zgjidhje më të mençur dhe mundësi tjetër veprimi, përveç vendimit për partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë që të vazhdojë mbetet edhe për një mandat, pjesë e proceseve aktive politike, si njëra nga partitë më të vogla në politikën kosovare!

Madje përveç dy personave kryesor të kësaj liste, të cilët mbajnë edhe postet me rëndësi ministrore në Qeverinë Kurti, të tjerët pothuajse, i njeh fare pak publiku, për të mos thënë që shumicën e anëtarëve të kryesisë, nuk i njeh fare, ndaj në gjendjen në të cilën aktualisht ndodhet "Lista Guxo", për një subjekt, pothuajse fiktiv dhe gati pa domethënie, vendimi më i mirë i mundshëm, për të mos rrëshqitur krejt jashtë binarëve të politikës shtetërore, dhe dalë tërësisht nga përfaqësimi parlamentar, ishte ai që mori z. Peci dhe zonja Gërvalla, për partneritet me "Lëvizjen Vetvendosje".

Përndryshe duke pasur parasysh se "Lista Guxo" nuk gëzon ndonjë mbështetje të theksuar, e cila do ta ndihmonte atë, që t`ia dilte edhe e vetme në zgjedhje, partneriteti me Lëvizjen Vetëvendosje, do t`ia ruaj sadopak imazhin dhe reputacionin e mbetur të partisë, ndërsa e vetme, mund të rrëshqiste në mënyrë të 100% në gjendjen e Nism-ës së Fatmir Limës, dhe grupimeve tjera me përvojë më të gjatë politike, por të rëna nën pragun zgjedhor.

Andaj deputeti nga Lista “Guxo”, Burim Meta, para se të deklarohej mbi vendimin e "Listës Guxo” për të qenë partner i vogël i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit, do bënte mirë të sqaronte për publikun, se cila ishte ALTERNATIVA e arsyeshme- bashkimi e shkrirja në ndonjë parti tjetër apo çfarë, nëse sipas tij, shumica në listën “Guxo”, paskan qenë kundër dhe pavarësisht kësaj, Donika Gërvalla dhe Faton Peci kanë guxuar të vendosin për interesin e tyre, ngase anëtarësisë së gjerë, sqarimi i Alternativës, i intereson shumë më tepër, se zënkat për interesa personale të z.Meta, Peci, Gërvalla etj, në kryesinë e partisë e cila edhe ashtu nuk ka ndonjë peshë as rol domethënës për zhvillimet politike në shtetin e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".