
Lexoni edhe:
Problemet e mëdha sociale nuk mund të zgjidhen me lëmosha prej 100 euro për fëmijë dhe pensionistë
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Në fakt Kosova në 4 vitet e qeverisjes Kurti II, ka ndërmarrë hapa me rëndësi dhe të vazhdueshëm për shtrirjen e rendit e të ligjit, vendosjen e autoritetit të institucioneve dhe shtetit të së drejtës në pjesën veriore, si dhe masat për avancimin e ekonomisë së vendit dhe përmirësimin gradual të jetës së qytetarëve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
-Por duke qenë se Kosova veçanërisht në katër vitet e fundit ka probleme të theksuara dhe gati të patejkalueshme për reformimin e sistemit të kalbur dhe të pa-reformuar asnjëherë prokurorial e gjyqësor të cilat nga opozita e inkriminuar, në vijimësi janë përdorur si mjet politik, për luftimin e Qeverisë, bllokimin e shumë ligjeve të miratuara në Kuvend, në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, si dhe pengimin e zbatimit në terren, të arritjeve që ka realizuar Qeveria, në këto katër vite, duke i bllokuar, e disa edhe lënë të papërfunduara me vonesat dhe pengesat, që vinin nga vet Gjykata Kushtetuese, vendimi i Qeverisë për tu ardhur në ndihmë pensionistëve dhe familjeve me fëmijë minor në këtë mënyrë, pothuajse ishte i vetmi vendim i mundshëm për tu realizuar në praktikë.
Përndryshe, siç dëshmuan edhe reagimet e partive të inkriminuara opozitare, çdo vendim apo nismë e ndonjë forme tjetër do bllokohej nga opozita, përfshi edhe ndihmat e Qeverisë për pensionistët dhe familjet me fëmijë në rritje dhe ata minor, për të cilat sidomos para festave të vitit ri dhe stinës së ftohtë të dimrit, veçanërisht këto kategori, kanë shumë nevojë.
Mjerisht duke pasur aktiv brenda saj, njerëzit e emëruar nga partia e tij, përdorimi si mjet politik i sistemit të kapur prokurorial e gjyqësor, nga opozita e inkriminuar, për luftimin e Qeverisë dhe bllokimin e shumë ligjeve të miratuara në Kuvend, në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, po vazhdon edhe sot.
Madje vetëm pak kohë para zgjedhjeve të reja parlamentare, Abelard Tahiri dërgoi hiq më pak se 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese, përfshi edhe ligjin për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, me shpresën për bllokimin e këtij ligji nga Gjykata në fjalë, akt që vërtetë përbënë precedent të padëgjuar, në rajon dhe më gjerë, nga frika e konfiskimit të pasurive të paligjshme që ai me shokët e partisë së tij dhe partive "simotra" kanë grumbulluar, për më tepër se dy dekada- kundërligjshëm.
Duke qenë se veprimet e opozitës dhe bashkëloja e gjyqësorit të kapur politik, me partitë e inkriminuara opozitare, po vazhdon t`ua vështirësojë jetesën dhe rritë edhe më tepër mosbesimin e qytetarëve në sistemin e kriminalizuar të "drejtësisë", Kosova përveç Shqipërisë duhet të kërkoj mbështetjen e pakursyer edhe të vendeve mike dhe të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të SHBA-ve për themelimin me urgjencë dhe sa më parë të një SPAK-u, edhe në Kosovë dhe krijimin e një baze të mirëfilltë ligjore e institucionale, për hetimin e papenguar të të gjithë të dyshuarve, pavarësimin e plotë të gjyqësorit të kapur dhe funksionimin e pavarur të rendit e të ligjit, ku nuk do të bllokoheshin ligjet e miratuara në Kuvend, siç po ndodhë këto katër vite në vendin tonë!
Andaj megjithëse kjo është ndihmë e njëhershme, nuk do mend se është e mirëseardhur dhe e mirëpritur nga të gjithë pranuesit e saj, qoftë pensionistët, apo familjet me fëmijë, ngase për prindërit të cilët kanë nga 2-3 apo më tepër fëmijë, nuk është edhe ndihmë e vogël, por një mbështetje solide, në kohë dimri dhe festash të fundvitit, të cilat mund të arrijnë nga 100 deri në 300 euro, apo edhe 400 e 500 euro, për familjet që kanë deri më 4-5 fëmijë, nga ndihma financiare e qeverisë prej 100 eurove për çdo fëmijë, deri në moshën 16 vjeçare dhe për pensionistë, si një mbështetje pa burokraci dhe e adresuar drejtpërdrejtë, për të sanuar sado pak vështirësitë ekonomike të familjeve dhe pensionistëve në Kosovë.
Andaj, duke pasur parasysh faktin e trisht se partitë e inkriminuara, i kanë dërguar pothuajse të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi, për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, apo edhe gjykatat tjera, përfshi edhe ligjin për rritjen e pagave dhe të gjitha llojeve të ngritjeve dhe përshtatjeve ligjore të të ardhurave të të punësuarve në sektorin shoqëror dhe atë publik, të cilat bojkotohen, sabotohen dhe pengohen e bllokohen, në vijimësi nga opozita, duke ftuar në ndihmë edhe Gjykatën Kushtetuese, shteti edhe po të dojë, pa reformimin e sistemit prokurorial e gjyqësor dhe miratimin e ligjeve, nuk ka rrugëdalje tjetër dhe ky është i vetmi veprim qoftë edhe simbolik, që aktualisht ka mundësi të zbatohet, për tu dale drejtpërsëdrejti dhe pa pritjen e vendimeve të gjykatave, në ndihmë njerëzve në nevojë, si pensionistët dhe familjet me fëmijë minor.
Kështu që edhe me një buxhet të qëndrueshëm, nga manovrimet politike të opozitës, e cila ka në dorë, pothuajse tërë sistemin e stërvjetruar të drejtësisë, pa reformimin e këtij sistemi, shteti do të pengohej, për t’i ofruar këto shtesa, edhe në rast se do të ndodhte ndonjë krizë ekonomike!
Në fakt, ky nuk është viti i parë por më duket se kjo është hera e katërt apo më tepër, që Qeveria Kurti, në kundërshtim me veprimet e Hikmete Bajramit ish ministres së financave, që financonte Supermarketet më të fuqishme në Kosovë, në kohë pandemie, kur fitimi i këtyre supermarketeve ishte në kulm, ndërsa njerëzit në nevojë, nuk kishin çfarë tu venin fëmijëve në sofër, për të ngrënë, ngase partitë e inkriminuara atëbotë në pushtet, përflitej se fitimet i ndanin bashkë me supermarketet që i subvenciononin , dhe ato që sot e kanë gojën “plot brenga” për qytetarët, nuk donin t`ia dinin për pleqtë, fëmijët e vegjël, as familjet në nevojë.
Prandaj edhe po pati çfarëdo ndikimi pozitiv, vendimi në fjalë, në popullaritetin politik të Albin Kurtit dhe të Qeverisë së Kosovës, duke marrë parasysh situatën e ndërlikuar ekonomike,ky ishte një vendim i drejtë dhe i mirëserardhur për të gjithë pensionistët dhe familjet me fëmijë minor, të cilët janë ardhmëria e këtij vendi dhe, edhe ata duhet tu gëzohen festave të fundvitit, me ndihmën që marrin nga shteti i vet, Qeveria dhe vendi i tyre, siç u shpreh edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, shteti do të ndajë edhe sivjet nga 100 euro për secilin nga fëmijët e moshës nga 0 deri në 16 vjeç, që janë pranues të shtesave mujore, si dhe për pensionistët, me ndarjen e mbështetjes shtesë të njëhershme sikurse, tashmë shteti e ka bërë traditë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".