Donald Trump, me të marrë mandatin do t’i vazhdojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Donald Trump, me të marrë mandatin do t’i vazhdojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë
Donald Trump, me të marrë mandatin do t’i vazhdojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Florim Zeqa

  • 01 January 2025 - 07:35

Pikat kryesore të javës me analistin Florim Zeqa

A mund të jetë shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë një zgjidhje e qëndrueshme, apo është një opsion i rrezikshëm që mund të shkaktojë tensione të mëtejshme në rajon?

Florim Zeqa: Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë përveqse nuk paraqet zgjidhje të qëndrueshme, është një opsion i rrezikshëm i cili mund të shkaktojë tensione të mëtejshme dhe të njëpasnjëshme në rajon!

Ideja e mëhershme e një shkëmbimi të mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një marrëveshjeje finale, përveqese nuk do të prodhonte zgjidhje afatëgjatë, do t’a hapte “Kutinë e Pandores” e cila do të çonte në ndryshimin e kufijve të shumë shteteve në Ballkan dhe më gjerë, e që do të përdorej si pretekst për krijimin e shteteve etnike, i cili vështirë se do të realizohej pa shkaktimin e shumë luftërave dhe trazirave me pasoja afatëgjata për rajonin e Ballkanit Perëndimorë.

Megjithatë, shkëmbimi i territoreve jo vetëm që nuk ka vdekur si ide, vazhdon të jetë si një opsion në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe atë për faktin se të dyja palët nuk po mund gjejnë zgjidhje kompromisi në dialog.

Shkaku se Veriu vazhdon të paraqes probleme dhe tensione të vazhdueshme, është afër mendsh, që të përdoren “gërshërët” për zgjidhje të vështirë, por të detyrueshme për t’i dhënë fund misionit paqesorë të NATO-s në Ballkan.

Image

A është ndikimi i Donald Trump në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë i mjaftueshëm për të tejkaluar problemet e thella politike dhe ndërkombëtare që ekzistojnë mes dy vendeve?


Florim Zeqa: Ndikimi i Donald Trump në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një fije shprese për të tejkaluar problemet e thella politike dhe etnike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve në armiqësi shekullore në Ballkan.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump, me të marrë mandatin do t’i vazhdojë përpjekjet e filluara në mandatin e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Andaj me të drejt pritet që Trump ta çojë përpara nismen e tij për zgjidhje finale dhe përfundimtare të problemit serbo-shqiptar, përkatësisht mes Serbisë dhe Kosovës.

Karakteri i fortë dhe interesimi i Trampit për zgjidhje praktike, lenë për të shpresuar për një zgjidhje përfundimtare brenda vitit kalendarik 2025!

Nuk e pres që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të shpreh interesim për takim me Vuçiqin dhe për dialog me Serbinë deri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e aq më pak të luaj rol konfrontues ndaj Serbisë, për shkak se kjo do të shkaktonte lëvizje të mëdha elektorale.

Protestat e mëdha në Serbi kundër pushtetit autoritar të Vuçiqit në Serbi dhe zgjedhjet në Kosovë kanë bërë që asnjëra palë të mos jenë të interesuara për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Image

A po përdor Vuçiqi çështjen e Kosovës si një mjet për të larguar vëmendjen nga protestat dhe krizën politike në Serbi?

Florim Zeqa Vuçiqi përseri po e përdorë çështjen e Kosovës si një mjet për të larguar vëmendjen nga protestat dhe krizën politike në vendin e tij. Në kohën kur Vuçiqi po përballet me protestat më të mëdha që pas rënies së kriminelit Sllobodan Milosheviq, ish-ministri i propagandës në Qeverinë e tij, tash president i Serbisë, ka zgjedhur të merret me Kosovën!

Deklaratat e tij se “do të ketë më shumë vende nga Afrika dhe Azia që do të tërheqin njohjen e Pavarësisë së Kosovës”, është propagandë e pastër politike dhe fushatë e ashpër denigruese ndaj Kosovës.

Ndryshe, kjo është shkelje e marrëveshjes së Brukselit dhe e aneksit të Ohrit për mospengim të njëra-tjetres në integrimet ndërkombëtare. Kjo është shkelje e zotimeve që palët kanë marrë në procesin negociues, dhe përmes saj Serbia synon që të shmangë fokusin dhe në veçanti Vuçiqi, nga zhvillimet e brendshme politike.

Protestat masive në Beograd e kanë vënë në siklet të madh Vuçiqin, i cili po kërkon tërheqje të vëmëndjes së opinionit në Serbi me inskenimin e “situatës së rënduar të serbëve në Kosovë.

Edhe pse në parafushatë zgjedhore, drejtuesit e lartë shtetërorë të Kosovës duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të vëmëndshëm që në asnjë rrethanë të mos bien pre e provokimeve dhe dhe kurtheve të Serbisë së Vuçiqit!

Image

A është e mundur që Lëvizja Vetvendosje të ruajë këtë përparësi të theksuar deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, apo mund të ketë një ndryshim të papritur në balancën politike të Kosovës?

Florim Zeqa: Bazuar në sondazhin fundit, Lëvizja Vetvendosje është duke udhëhequr me 47.1% të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Pas saj renditen PDK me 19.5%, LDK me 17.7%, ndërsa AAK ka 6.6% të mbështetjes. Të tjerët përbëjnë 9.1% të votave të mundshme.

Në dukje të parë është e pamundur që Lëvizja Vetvendosje të ruajë këtë përparësi të theksuar deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, pasi mund të ndodhin ndryshime të papritura në balancën politike të Kosovës shkaku i votave të Diasporës!

Sondazhi i mësipërm mund të pësoj ndryshime të vogla sipas preferencaave të opinionit publik, por jo edhe ndryshime rrënjësore shkaku i mungesës së një alternative të re dhe serioze politike, e cila do t’i tërheqte elektoratet e partive të dështuara politike.

Image

A mund të zgjidhet me sukses problemi i furnizimit me energji elektrike nëpërmjet angazhimit të KOSTT dhe KEDS, apo është ky një problem struktural që kërkon një reformë më të thellë në sektorin energjetik?

Florim Zeqa: Vështirë se mund të zgjidhet me sukses problemi i furnizimit me energji elektrike nëpërmjet angazhimit të KOSTT dhe KEDS, pasi ky është një problem struktural që kërkon një reformë më të thellë në sektorin energjetik.

Gjendja e rënduar energjetike e ditëve të fundit në vendin tonë, ku si pasojë rajone të caktuara me ditë të tëra kanë mbetur pa energji elektrike, ka shkaktuar indinjatë të thellë të qytetarëve dhe mërgimtarëve në veçanti.

Pa dyshim, se kjo situatë energjetike do të ndikojë edhe në aspektin elektoral jo vetëm të qytetarëve, por edhe të mërgimtarëve, ku si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve i kanë ndërprerë pushimet për festat e fundvitit dhe janë kthyer para kohe në shtetet evro-perëndimore!

Pak a shumë situatë të njëjtë në këtë periudhë kohore kemi pasur edhe viteve paraprake, por kësaj radhe është pak më e ndjeshme shkaku i zgjedhjeve parlamentare të fillimshkurtit, të cilën opozita do të mundohet që ta kapitalizojë në votë, duke harruar se problemi me energjinë elektrike është problem i trashëguar nga paslufta, nga njëra qeveri tek tjetra.

Përderisa KOSTT dhe KEDS kërkojnë pagesat e faturave në kohë nga qyetarët, këta të fundit kanë të drejtë t’iu kërkojnë kompanive në fjalë dhe qeverisë furnizim të rregullt me energji elektrike, si e drejtë qytetare dhe si respektim i marrëdhënjes kontratuale mes furnizuesit dhe shfrytëzuesit të energjisë elektrike.

Rikthimi i reduktimeve dhe i gjeneratorëve në rrugë nuk është imazh i mirë për shtetin!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".