Administrata e SHBA-ve, nuk do të lejojë tërheqjen e KFOR-it, para se Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

Administrata e SHBA-ve, nuk do të lejojë tërheqjen e KFOR-it, para se Kosova të bëhet pjesë e NATO-s
Administrata e SHBA-ve, nuk do të lejojë tërheqjen e KFOR-it, para se Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

Gani Qarri

  • 28 January 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Defetizmin që mbjellin disa njerëz, në shërbim të projektit të Serbisë së Madhe, të cilët gjatë qeverisjes së koalicionin PAN, luftonin me këmbë e me duar për faljen e 8300 hektarëve tokë autoktone të Kosovës, përfshi Kullën, Zhlebin e Çakorrin, Malit të Zi, po e vazhdojnë edhe sot, me mbjelljen e frikës se, tani dashka të tërhiqet edhe KFOR-i, nga Bonsteel, sikur zhurmuesi mediokër të ishte vet Shef i ri i CIA-s apo edhe Ministër i Mbrojtjes amerikane, duke folur në avangardë, me hipoteza të stisura, në emër të veprimeve të pandodhura, të SHBA-ve, gjë që me një "siguri" kaq perfide, nuk e kanë bërë akoma as vet analistët e mirënjohur amerikan me renome botërore si; Daniel Server, Janusz Bugajski, apo David Phillips i cili një kohë, ka qenë edhe i këshilltar i Hashim Thaçit, deri në momentin kur ky i fundit, i kërkoi Philips-it, të fliste e shkruante edhe ai për të "mirat" e ndarjes së Kosovës.



-Për fat të keq, në fushatën e sivjetshme, tejet të zhurmshme elektorale e cila tanimë ka hy në gjysmën e dytë të afatit dhe po shkon drejt fundi të saj, sa më shumë po afrohet data e zgjedhjeve, ajo po bëhet gjithnjë e më sfiduese, veçanërisht për ato parti dhe figura politike, që policinë e Kosovës në prononcimet publike televizive, e krahasonin me atë të Millosheviqit, të cilat duket se kanë angazhuar edhe pseudo-njohës të gjendjes botërore dhe falltor të veprimeve amerikane, të cilët parashohin si me magji fatin e Kosovës dhe paralexojnë me TELEPATI mendimet e Donald Trumpit, ani pse veprimet ushtarake për vendqëndrimet strategjike të forcave të SHBA-së, i merr grupi special strategjik i ushtarakëve më të lartë amerikan e botëror, që bëjnë planifikimet globale të vendosjes dhe përqendrimit të ushtarëve të NATO-s, në gjithë botën!

Unë jo vetëm që nuk besojë se administrata e z.Trump do të mbaj qëndrim, për tërheqjen e trupave amerikane, por fillimisht apo ndoshta edhe në dy vitet e para të mandatit të tij të dytë, Trump dhe administrata e re amerikane, do të detyrohet ti shpenzojë në bisedime dhe planifikimin për dhënien fund të luftës Rusi -Ukrainë, që do ti marrë shumë kohë dhe energji Amerikës, presidentit Trump, NATO-s dhe vet Bashkimit Evropian dhe jo të krijoj vatra të reja krize, në të cilat, përsëri do të detyrohej të ndërhynte Amerika, ngase pa veprimet e saj, si fuqia kryesore vendimmarrëse në botë, nuk do të rregullohej asnjë problem, siç nuk është zgjidhur as kriza e Kosovës, pa ndërhyrjen e SHBA-ve dhe vendeve të NATO-s më 1999.

Përndryshe NATO përveç se ka për mision të garantojë lirinë dhe sigurinë e shteteve anëtare të saj nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake, ajo si Aleanca më e madhe ushtarake në botë, është e angazhuar në vijimësi për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve edhe ndërmjet vendeve tjera në gjithë globin, si bie fjala në rastin aktual të luftës Ukrainë-Rusi, e cila në rastet kur nuk ndihmojnë përpjekjet diplomatike, për vendosjen e paqes, ndërhyn edhe me forca ushtarake si në rastin e Kosovës, për mbrojtjen e popullsisë civile nga agresori, duke ndërmarrë operacione të posaçme për administrimin e krizave e vetme, apo në bashkëpunim edhe me vendet tjera dhe organizata ndërkombëtare, sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe mandatit të Kombeve të Bashkuara.

Madje vetë bashkëpunimi i ngushtë, pajisjet e vazhdueshme me armatim modern nga SHBA e vendet tjera të NATO-s, dhe kooperimi i vazhdueshëm ushtarak i Forcave të Sigurisë së Kosovës me dikasterin e forcave ushtarake dhe Ministrinë e Mbrojtjes së SHBA-ve, dëshmojnë se Kosova po përpiqet për t’u përgatitur në mënyrën më efektive të mundshme edhe kundër çdo ndryshimi të kursit të KFOR-it, për mbrojtjen e pavarësisë së vendit me forcat vetanake, e cila në rast rreziku mund të bashkëpunoi edhe me vendet e tjera, si Shqipëria,shqiptarët në Maqedoni e rajon, e pse jo edhe me Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë, për të mbrojtur integritetin territorial dhe ruajtur pavarësinë!

Dhe duke qenë se Kosova është edhe vend mik dhe partner i SHBA-ve, edhe me ardhjen e Trumpit në krye të shtetit, Administrata e SHBA-ve, nuk do të lejojë ndërmarrjen e hapave, si tërheqja e KFOR-it, që do të ndikonin në sigurinë e Kosovës dhe të rajonit, para se Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe të jetë e gatshme, ta mbrojë vetveten me forcat e veta, gjë që nuk do të pajtohej edhe vet Bashkimi Evropian që në hapësirat e BE-s, të përsëriten ngjarjet, që sot ndodhin në Rripin e Gazës, Siri, Liban dhe Lindjen e mesme gjithandej, të cilat mund të sillnin rreziqe të mëdha dhe pasoja të paparashikueshme.

Përndryshe edhe Kosova vet, me bashkëpunimin e ngushtë, pajisjet e vazhdueshme me armatim modern nga SHBA e vendet tjera të NATO-s, dhe kooperimin e vazhdueshëm ushtarak e stërvitor të Forcave të Sigurisë së Kosovës me dikasterin e forcave ushtarake dhe ministrinë e mbrojtjes së SHBA-ve, po përgatitet në vijimësi për t’u mbrojtur në mënyrën më efektive, për çdo ndryshim të mundshëm të kursit të KFOR-it, që të jetë e gatshme, ta mbrojë pavarësinë e vendit dhe përballet me një situatë të tillë, edhe nëse do ti duhet të mbështetet vetëm në kapacitetet e saj të brendshme dhe forcat lokale.

Është me shumë rëndësi të ceket, mbi të gjitha, se NATO, për fatin tonë të mirë, nuk vepron sipas mendësisë së "Drejtorit të Institutit KIPRED, Lulzim Peci, as nuk merr ide dhe plane nga "Institutet" me nam, si "kipred", se si të veprojë presidenti Trump, siç nuk pyet kipredin, ti tërheq, apo jo trupat ushtarake amerikane nga Kosova, sepse SHBA është superfuqi botërore jo vetëm ushtarake, por edhe strategjike, që posedon Institucionet e saj, të përgatitura enkas për veprime globale për të ruajtur paqen e sigurinë edhe në vendet potenciale, për vatra krize, qoftë Kosova, apo edhe Bosnja e Mali i Zi, për të mos lejuar që ndërhyrjet e Serbisë për krijimin e tensioneve në këto vende, ti krijojnë mundësinë e vendosjes së ndikimit rus edhe në Detin Adriatik dhe Ballkanin Perëndimor.

Kështu që nuk besojë se edhe mediat nderohen me përhapjen e defetizmave të ulta nga njerëz të tillë, të cilët nuk janë specialist të çështjes, ushtarak me përvojë as posedoj grada gjeneralësh, siç nuk janë ekspert të strategjive globale, e aq më pak specialist të autorizuar, të flasin për veprimet e SHBA-ve, presidentit Trump, apo edhe vendimeve të NATO-s e cila përbëhet nga 32 vende anëtare, organizatë që bazohet në një mision avangardë dhe udhëhiqet nga veprimet më të avancuara strategjike të politikave më të larta botërore.

Një pakt shembull ushtarak, që nuk merret me fraza të thata as nuk ndërmerr veprime qesharake, sipas shprehjeve fëmijërore të shefit të organizatave fantome; "grahni punëve të juaja në qofshi të zotët me iu grah vet”, kur dihet se NATO ka planet dhe misionet e veta, ndërmerr vendime të dakorduara kolektive dhe vendos e mbanë të përqendruara forcat ushtarake të saj, aty ku ka dhe duhet ti mbrojë edhe interesat e veta, njëra prej të cilave është dhe mbetet edhe baza e Bonsteel-it, le të themi ngjashëm, apo përafërsisht dhe me qëllim të njëjtë, edhe në Ballkanin Perëndimor, si Aviano në Itali.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".