Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë duhet parandaluar urgjentisht

Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë duhet parandaluar urgjentisht
Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë duhet parandaluar urgjentisht

Arsim Aziri

  • 28 March 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë në këtë periudhë mund të ketë pasoja të rënda për qytetarët dhe ekonomitë familjare, dhe një gjë e tillë duhet parandaluar urgjentisht, sidomos kur gjithçka ka pësuar rritje dhe ka mundësi që të rritet edhe më tej. Energjia është një parakusht bazik për çdo veprimtari ekonomike!

 

-Përherë është duke u pasur rritje të çmimeve të produkteve bazë si ushqimi, karburantet dhe qiratë, dhe një rritje e mëtejshme e çmimit të energjisë elektrike do ta përkeqësonte akoma më shumë gjendjen financiare të qytetarëve, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

Një ngritje e tillë e çmimit të energjisë do të ndikonte që ekonomitë familjare të kenë më pak para për shpenzime të tjera, duke ngadalësuar kështu ekonominë dhe duke ulur kërkesën për mallra dhe shërbime. Njëkohësisht, bizneset e vogla dhe sektori i prodhimit që varen drejtpërdrejt nga energjia do të përballen me goditje të mëdha.

Kjo do të kishte reflektime edhe në aspektin e çmimeve të produkteve. Rritja e çmimit të energjisë mund t’i detyrojë bizneset që t’i rrisin çmimet e produkteve të tyre ose të reduktojnë aktivitetet, duke ndikuar negativisht në punësim dhe investime.

Me një inflacion të lartë tashmë të pranishëm, një rritje e tarifave të energjisë do të kontribuonte në rritjen e mëtejshme të kostos së jetesës dhe do të shkaktonte pasiguri më të madhe ekonomike për qytetarët.

Një pjesë e madhe e popullsisë do të kishte vështirësi në pagesën e faturës së energjisë. Rritja e tarifave mund të çojë në një rritje të borxheve për qytetarët dhe në shkëputje të energjisë për ata që nuk mund ta përballojnë koston e saj.

Përveç këtyre pasojave të mundshme, harrojmë se rritja e çmimit të energjisë mund të shkaktojë ndikime socio-politike, duke çuar vendin në protesta dhe pakënaqësi të madhe, duke ndikuar kështu në stabilitetin social dhe politik të vendit. Kjo s’do duhej të ndodhte në asnjë mënyrë.

Pavarësisht se qeveria ka marrë hapa përballë kësaj situate, Kuvendi qendror duhet të gjejë një mënyrë që kjo çështje të mos ndodhi dhe të mos prekë drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë e tyre.

Në të kundërt, vendi mund të përballet me pakënaqësi të mëdha sociale, diçka që shpeshherë ka mundësinë të konkretizojë veprime të natyrës drastike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".