
DEMOKRACIA SI PRODUKT I POPULLIT TË LIRË, QË PO NEPËRKËMBËT NGA POLITIKA DESTRUKTIVE NË KOSOVË!...


Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi
Askush nuk ka të drejtë që në emër të Demokracisë të manipulojë me ndjenjat e qytetarëve duke ngritur tensione të ndryshme dhe kriza brenda vetë shoqërisë kosovare. Këtë të drejtë nuk e kanë as partitë politike, as mjetet e ashtuquajtura të informimit, as të ashtuquajturit analistë e opinionistë. Askush në Kosovë nuk ka të drejtë t’i shkelë vlerat demokratike të popullit, të cilat janë fituar me shumë mund dhe sakrifica nga gjenerata të tëra para nesh. Populli Shqiptar në Kosovë, gjithmonë i vetëdijshëm dhe përgjegjës, për rrjedhat në shoqëri ka qenë gjithmonë në ballë të përpjekjeve për zhvillimin e Demokracise.
Keshtu qytetaret përmes partive politike morën pjesë në zgjedhje dhe e dhanë kontributin dhe verdiktin e vet për të ndërtuar institucionet e reja të shtetit. Gjithçka është e qartë — këtë më së miri e sqarojnë normat, dhe rregullat, e ligjeve demokratike të një shteti, sipas të cilave fuqia e një subjekti apo grupi përcaktohet nga numri i votave që ai ka marrë nga qytetarët. Sipas kësaj rregullative, që e përcaktojnë rregullat e një shteti me Sistem Parlamentar, partia që ka fituar shumicën e votave të popullit është përgjegjëse dhe kompetente për të krijuar një klimë bashkëpunimi me subjektet e tjera për të gjetur rrugë dhe kompromise që shkojnë në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit.
Çfarë po ndodh tani? Kush janë këta liderë politikë që shkelin mbi vlerat e një populli të vuajtur?, i cili me shekuj është përpjekur të shprehë vullnetin e lirë për të zgjedhur institucione të lira e demokratike, pa iu imponuar regjimet e mëhershme? Më thotë mendja se ka ardhur momenti i fundit që të shpërthejë një aktivizim qytetar përmes protestave gjithëpopullore kundër të gjithë atyre liderëve dhe partive politike që po e bllokojnë shtetin dhe po e dëmtojnë interesin kombëtar. Kjo, padyshim, duhet të ndodhë së shpejti nëse partitë politike nuk e ndryshojnë qasjen, vetëdijen dhe përgjegjësinë që kanë ndaj vendit dhe qytetarëve. Nuk ka mbetur rrugë tjetër përballë kësaj klase të kalbur politike, e konsumuar dhe e kapur nga të njëjtat struktura partiake e klanore që shtetin e Kosovës e trajtojnë si pronë private.
Është e dhimbshme dhe e pafalshme që, në këto rrethana të pa sigurise globale, të ballafaqohemi me njerëz pa dinjitet që përpiqen të krijojnë kaos në Kosovë. Më thotë mendja se, pas datës 15 prill të këtij muaji, nëse pas konstituimit të Parlamentit të Kosovës partitë politike nuk arrijnë ti përafrojnë qëndrimet për ndërtimin e institucioneve të reja, atëherë qytetarët duhet të organizojnë protesta. Ato protesta duhet të kërkojnë ultimatum: që brenda 10 ditëve partitë të dalin me komunikata zyrtare, duke i harmonizuar qëndrimet për formimin e qeverisë së re. Përndryshe, çdo përpjekje për të mbajtur gjendjen në tension — të krijuar vetë nga partitë — është shkelje e rëndë e vullnetit te popullit. Është e drejtë legjitime e qytetarëve që t’i bojkotojnë dhe t’i braktisin këto parti politike, duke mos u lënë vend as në objektet e institucioneve të shtetit. Vetëm kështu mund ta ndryshojmë këtë gjendje të mjerueshme, të cilën e krijuan njerëz të papërgjegjshëm, pa moralë që, herët a vonë, do të japin llogari para qytetarëve dhe para ligjeve te këtij vendi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".