Zeqa: Refuzimi i takimit nga Abdixhiku me Kurtin është një strategji

Zeqa: Refuzimi i takimit nga Abdixhiku me Kurtin është një strategji
Zeqa: Refuzimi i takimit nga Abdixhiku me Kurtin është një strategji

Florim Zeqa

  • 11 April 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Në të kaluarën, gjatë fushatave zgjedhore, kemi pasur sharje dhe ofendime nga më të rëndat mes liderëve partiakë, por pas përfundimit të procesit zgjedhor janë lënë mënjanë inatet personale dhe hidhërimet nga kundërthëniet elektorale.

 

-Refuzimi i takimit nga Abdixhiku me Kurtin nuk ka të bëjë me aktin e ruajtjes së integritetit politik të LDK-së, por është një strategji për të shmangur përgjegjësinë në ndërtimin e institucioneve të reja dhe përtej kësaj.

Edhe pse jo i shfaqur haptas në publik, kryetari i LDK-së është në koordinim me presidenten për pengimin e vazhdimësisë qeverisëse të Albin Kurtit, më shumë për llogari personale të Vjosa Osmanit sesa për ruajtjen e integritetit dhe prestigjit politik të LDK-së!

Dorën në zemër, gjuha e Albin Kurtit në fushatë ka qenë e ashpër, por nuk ka qenë e specifikuar ndaj LDK-së sa për ta humbur ‘respektin e ndërsjellë’ mes këtyre dy subjekteve me besueshmëri elektorale.

Këtë e di mirë edhe Lumir Abdixhiku, ish-ministri në qeverisjen ‘Kurti 1’, i cili ishte i fundit prej ministrave të LDK-së që ishte larguar nga qeveria.

Andaj, nuk ka asnjë arsye që një parti që ka qenë cak i sulmeve verbale gjatë fushatës të mos bëhet garant i stabilitetit institucional, duke e tejkaluar ofendimin personal të supozuar në funksion të interesit shtetëror.

Liderët e njëmendtë partiakë, që fokusin e të menduarit e kanë te qeverisja e mirë dhe mirëqenia e qytetarëve, nuk bien pre e një ofendimi apo inati personal, por e tejkalojnë veten dhe interesin partiak për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

Nëse Vetëvendosje e ka humbur “gjuhën e respektit”, LDK-ja nuk duket se ka një plan konkret për të fituar besimin e qytetarëve përmes veprimeve sabotuese dhe destruktive në ndërtimin e institucioneve shtetërore!

Pozicioni reaktiv, pa veprime aktive që e dëshmojnë vijën institucionale të LDK-së si shtetformuese, mund ta kthejë LDK-në në një subjekt të parëndësishëm në skenën politike kosovare.

Dëshira e kryetarit aktual të LDK-së që të kopjojë Albin Kurtin me pozicionin kundërshtues ndaj gjithë të tjerëve do të jetë e dëmshme për vendin dhe joproduktive për LDK-në.

Lumir Abdixhiku apo “Kurti 2.0” në LDK i shkon për shtat vetëm interesave personale të Vjosa Osmanit dhe askujt tjetër në këtë subjekt politik!

Kur e them këtë, e kam parasysh faktin se LDK-së i mungon uniteti i brendshëm, kohezioni politik dhe konsistenca në qëndrime, elemente këto që ndikojnë në rritjen dhe ngritjen elektorale të një subjekti politik.

Epoka e Vjosa Osmanit në politikë do të marrë fund me përfundimin e mandatit të saj presidencial pas një viti, ngase, si e tillë çfarë është transformuar, ajo nuk i duhet më as LDK-së dhe as shtetit të Kosovës!

Sa më parë që ta kuptojnë konstatimin tim strukturat drejtuese të partisë, aq më mirë do të jetë për LDK-në. Në të kundërtën, elektorati do të lëvizë me të madhe në drejtim të partive të tjera.

Do të ishte në të mirën e vendit dhe të LDK-së në veçanti që drejtuesit e këtij subjekti politik ta rishikojnë edhe një herë pozicionin e tyre para ditës së hënë, më 13.04.2025, kur do të takohen kryetari i VV-së dhe ai i PDK-së, takim ky i cili mund ta evitojë shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Koalicioni LVV–PDK do të ishte koalicioni më i natyrshëm dhe më i duhuri për rrethanat e krijuara gjeopolitike në rajon dhe më gjerë.

Në të kundërtën, me shkuarjen eventuale në zgjedhje të jashtëzakonshme, Kosova do të humbasë perspektivën integruese dhe miliarda investime kapitale nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".