
Lexoni edhe:
Heqja e tarifës është një falënderim që e ka bërë Amerika tash e 26 vite për Kosovën
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Si kurrë më parë, është debatuar dhe politizuar çështja e krijimit të Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Arsyeja e zhurmës së skajshme dhe "bërja pazar pa hanxhinë", siç thotë populli për raste të tilla, është opozita e dobët dhe destruktive, që synon të kthehet me çdo kusht në pushtet. Opozita PAN-iste, PDK-AAK-NISMA, është pozicionuar në bojkotin e koalicionit me LVV.
Heqja e tarifës është një falënderim që e ka bërë Amerika tash e 26 vite për KosovënLexoni edhe:
-Përjashtim bën LDK-ja, e cila nuk iu bashkua opozitës tjetër në bojkotin, sa ekstrem, aq edhe të turpshëm. Ndërkohë, ditë më parë, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, u distancua nga banda PDK-AAK, duke premtuar se, për hir të krijimit të Qeverisë dhe të institucioneve të tjera, deputetët e NISMA-s do ta japin votën e tyre pa kushte.
Ndërkohë, zëra nga PDK dhe AAK nuk e besojnë që Limaj do të distancohet nga partnerët e opozitës, ngulmues për bojkotin e krijimit të Qeverisë nga Kurti: "Sepse atë do ta bëjmë ne, Opozita e bashkuar", sidomos PDK si partia e dytë.
Ndërsa nga LVV vazhdojnë të heshtin, pa e konfirmuar dhe as mohuar premtimin e NISMA-s, por as ofrimin e ndonjë koalicioni me të. Në vend të kësaj, ata përsërisin se "do të mjaftohemi me partnerët tanë tradicionalë, Alternativa dhe Guxo".
Megjithatë, nuk përjashtohet një marrëveshje e fshehtë politike, qoftë edhe pa formimin zyrtar të një koalicioni LVV-NISMA, për votimin e Qeverisë Kurti-3.
Së fundi, Kurti heq dilemat: "Synojmë një seancë ku zgjidhet edhe kryetari, kryesia e Kuvendit dhe Qeveria, qysh e kemi bërë herën e kaluar, për të njëjtën ditë".
Si rrallë ndonjëherë, në bisedën e kryeministrit Kurti me myftiun Tërnava, u hapën edhe tema të tjera. Në mesin e tyre ishte edhe një ide e shprehur nga myftiu Tërnava për bashkimin e Varrezave të Dëshmorëve në një vend. Kryeministri e tumiri idenë e kryeklerikut islam të Kosovës, por theksoi se është paksa e vështirë të bëhet tani – kjo duhej të bëhej menjëherë pas luftës.
Listat e freskëta të pasluftës numëronin 450 dëshmorë. Më vonë, kjo shifër u rrit në 800 dëshmorë. Tani, kjo shifër është shumëzuar gjeometrikisht dhe ka kaluar numrin 3.000! Dhe ky numër vazhdon të rritet, sipas zyrave përkatëse.
Me varrezat e dëshmorëve është abuzuar shumë dhe kjo vazhdon. Diku-diku janë "privatizuar" dëshmorët për të përfituar edhe nga të vdekurit! Dhe kjo është e dënueshme. Andaj, ky "privatizim" duhet të shpronësohet – madje sa më parë, aq më mirë.
Në shifrat që janë tani, problemi nuk qëndron te numri, por te parimi. Luftëtari dëshmor nuk mund të njëjtësohet me viktimat, për të cilat gjithashtu ndjejmë dhimbje dhe nderim.
Komplekse të Varrezave të Dëshmorëve janë ndërtuar në disa komuna, por nuk dihet sa janë zbatuar kriteret përkatëse. Edhe komuna e Istogut ka ndërtuar një nga komplekset më të mira të Kosovës. Por, varret e hapura ende janë bosh, sepse OVL e UÇK-së nuk është pajtuar me ndoca emra, sipas tyre, jo dëshmorë. Kjo u bë publike edhe në një festë çlirimi, të cilën veteranët lokal e shënuan më 20 qershor! Ky është një falsifikim i vrazhdë dhe anarki mujshore e "komandantëve"! Sepse Istogu, si e gjithë Kosova, është çliruar me hyrjen e tankut të parë të NATO-s në Kaçanik. Është e turpshme të falsifikohet historia edhe 25 vjet pas çlirimit. "Komandantët", mohues të librave të tyre, nuk duhet ta thellojnë turpërimin! Përkundrazi, rishikimi i historisë është i pashmangshëm, ashtu siç ka ndodhur edhe në Shqipërinë londineze, pas pluralizmit politik, më saktë, pas shporrjes së fashizmit të Enver Hoxhës me bandën e tij byroiste.
Shtetet me traditë demokratike, në kryeqytetet e tyre, i kanë Panteonet e Lavdisë – Varrezat e Dëshmorëve – por me kritere të veçanta. Kosova ka nevojë urgjente ta ketë një Datë të Dëshmorëve, siç e ka Shqipëria 5 Majin – ditën e rënies së Qemal Stafës. Kosova mund ta bashkonte këtë datë me vrasjen e Familjes Jashari.
Përndryshe, është ngarkesë enorme, për zyrtarët dhe popullin, vizitat në Varrezat e Dëshmorëve dhe të viktimave të masakrave – të cilat llogariten më shumë se 400 – sepse janë ditë të humbura dhe shpenzime të shumta, pastaj edhe hatërmbetje të familjarëve që nuk arrijnë të vizitojnë varrezat e familjarëve të tyre.
Kështu ka ndodhur edhe me veteranët: Fillimisht, nga listat e sakta, kriteret e "Veteranit" i plotësonin 4.500 luftëtarë. Më vonë u zbut kriteri përcaktues i "Veteranit" dhe u pranua shifra 12.700 luftëtarë meritorë për "veteranë". Sot, kjo shifër është shumëzuar gjeometrikisht dhe shënon numrin 55.550 veteranë?! Prej tyre, 45.500 janë "veteranë" fiktivë, të rrejshëm!
Në Shqipëri, gjeneral Spiro Butka, kryetar i OVL të UÇK-së për luftëtarët nga Shqipëria, ka dhënë shifrën prej 186 luftëtarësh që gëzojnë "Dëshminë e Veteranit". Ndërsa tani, nga ajo shifër e dhënë pesë (5) vjet më parë, janë bërë 3.000 "veteranë" që marrin pensionin e veteranit nga Kosova. Dhe ky numër vazhdon të rritet! Ai ka dhënë edhe emra të eprorëve ushtarakë, shitës të "Dëshmive të veteranit", të cilët, së bashku me matrapazët e Shqipërisë, kanë hapur bizneset e tyre që nga Malësia e deri në Tiranë!
Kolonel Dilaver Goxhaj – tani mund të jetë edhe gjeneral – ka dhënë një shifër më të vogël të numrit të veteranëve, gjithsej 129 luftëtarë, duke shënuar edhe detaje si fshatin apo qytetin e lindjes dhe emrat e komunave dhe të njësive ushtarake ku kanë shërbyer, luftuar.
Kurse disa oficerë nga Shqipëria, të cilët kanë qenë pjesë e luftës nga fillimi deri në fund, dëshmojnë e ngulmojnë se numri i luftëtarëve nga Shqipëria në Luftën e Kosovës ka qenë simbolik, fare i vogël. Të vish në pikën ushtrimore, të regjistrohesh dhe të ikësh pa hyrë fare në betejë, nuk mund të konsiderohesh luftëtar, e aq më pak veteran i luftës.
Sidoqoftë, milionat e abuzuara për "veteranët" e rremë, tashmë të kthyer në klientelë elektorale të disa subjekteve politike, përbëjnë hajninë më të madhe zyrtare të të gjitha kohërave në Kosovë. Natyrisht, edhe turpin më të madh të të gjitha qeverive të Kosovës, të cilat nuk e ndërpresin këtë gjakderdhje financiare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".