Vendimi i parë i Qeverisë së re të Kosovës të jetë heqja e tarifës ndaj mallrave amerikane

Vendimi i parë i Qeverisë së re të Kosovës të jetë heqja e tarifës ndaj mallrave amerikane
Vendimi i parë i Qeverisë së re të Kosovës të jetë heqja e tarifës ndaj mallrave amerikane

Nue Oroshi

  • 16 April 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Rrezikimi i raporteve me aleatin kryesor, SHBA-në, është një rrezikim i drejtpërdrejtë i shtetësisë së Kosovës. Ta rrezikosh shtetin e Kosovës, pavarësisht se kush është ai politikan apo politikane, është në rrugën e gabuar. Të vendosësh tarifë 10 përqind shtetit që e krijoi Kosovën shtet, dhe në anën tjetër të lejojmë depërtimin e mallrave serbe dhe turke pa asnjë tarifë, dhe të favorizohet hyrja e këtyre mallrave në Republikën e Kosovës, kjo do të thotë se pushtimi shekullor i Serbisë në Kosovë ka lënë shumë gjurmë traumatike tek një pjesë e shqiptarëve.

 

 

-Është e nevojshme që vendimi i parë i Qeverisë së re të Kosovës të jetë heqja e tarifës ndaj mallrave amerikane. Një gjë duhet ta kemi të qartë ne shqiptarët: rrethanat politike botërore që po ndodhin, shumë shpejtë do të na vendosin në një pozicion politik ku do të vendoset qartë se kah do ta drejtojmë orientimin politik. Shqiptarët ende nuk janë të vetëdijshëm se miqtë tanë na nevojiten më shumë se kurrë. "Nuk mbahet shtëpia pa miq", është një thënie e vjetër. Populli ynë shqiptar, edhe pse shumë familje kanë pasur varfëri të madhe, ato ushqimin më të mirë e kanë ruajtur për mikun. Ndërsa pleqtë nëpër odat tona tradicionale kanë lutur që Zoti t'na sjellë ndonjë mik që të bisedojnë bashkë për vështirësitë.

Edhe shteti është një familje e madhe, i cili ka nevojë për miq, i cili ka nevojë që marrëdhëniet t'i ketë të afërta me ato vende dhe me ata popuj që na kanë përkrahur historikisht. Unë kam një propozim që Parlamenti i ri i Kosovës të marrë një vendim që për 20 vjet të mos pranohet asnjë mall nga Serbia në shtetin e Kosovës. Ndalimi me ligje i mallrave serbe dhe zëvendësimi i atyre mallrave me mallra amerikane dhe evropiane do të jetë një hap i madh, sepse do të dëshmohej se ne jemi çliruar plotësisht nga Serbia dhe nuk jemi të okupuar në aspektin ekonomik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".