Kosova është e jona

Kosova është e jona
Kosova është e jona

Nijazi Halili

  • 21 April 2025 - 11:45

Shkruan: Prof.dr Nijazi Halili

Në historinë e një populli të robëruar, janë të rralla ato zëra që ngriten jo vetëm kundër padrejtësisë, por mbi të gjitha në emër të së vërtetës, duke mos lëkundur asnjëherë themelet e qëndresës.
Njëri prej këtyre zërave ishte dhe mbetet Adem Demaçi – simboli i pavdekshëm i qëndresës shqiptare, i fjalës së lirë dhe i përkushtimit të pakusht ndaj çështjes kombëtare.

Kur ai tha në zemër të Beogradit:
“Kosova është e jona!”,
ai nuk foli me gjuhën e urrejtjes, por me gjuhën e së drejtës historike, morale dhe njerëzore.
Ai nuk ngriti armën, por fjalën – si armën më të pastër dhe më të fortë të një njeriu të lirë.

Në një kohë kur Serbia dënonte çdo identitet shqiptar, kur Kosova përmendej si “krahinë autonome” dhe shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë, doli një shqiptar, një burrë me shpatullat e historisë mbi vete dhe tha atë që shumëkush s’guxonte ta mërmëritte as në shtëpi:
Kosova nuk është plaçkë për pazar.
Kosova nuk është dhuratë.
Kosova është e jona!

Adem Demaçi nuk kërkoi poste, nuk shiti ideale dhe nuk u bë palë me askënd që e dëmtonte dinjitetin shqiptar. Ai zgjodhi burgun, por nuk hoqi dorë nga fjala. 28 vjet në burgjet jugosllave nuk e thyen, përkundrazi, e bënë legjendë të gjallë.

Thoshte me përulësi:
“Nëse unë nuk do të isha burgosur, nuk do të isha Adem Demaçi.”
E me këtë shprehje, ai nuk lavdëronte veten, por vlerësonte çmimin e lirisë dhe idealit kombëtar, duke e kthyer vuajtjen personale në fitore kolektive për popullin e vet.

Sot, kur shumëçka duket e mjegullt në politikën dhe shoqërinë tonë, figura e Bacës Demaçi është drita që nuk shuhet, busulla që na kujton se pa parime, pa sakrificë dhe pa qëndresë nuk ndërtohet kombi.
Në kohën e popullaritetit të rremë dhe lavdisë së përkohshme, Adem Demaçi qëndron si monument i ndershmërisë, që nuk vjetrohet kurrë.

Ai ishte një njeri që fliste pak për vete, por shumë për popullin.
Një njeri që zgjodhi dhimbjen për të shpëtuar ndërgjegjen kombëtare.
Një njeri që la pas një amanet të shenjtë: ta duam Kosovën pa kushte, pa pazare, pa kompromise me të keqen.

AMANETI QË NUK GUXOJMË TA HARROJMË

Nëse Kosova sot është shtet, është sepse burra si Adem Demaçi i dhanë kuptim lirisë përmes vuajtjes, e jo përmes fjalëve boshe.
Nëse ne e harrojmë këtë amanet, nuk jemi të denjë as për lirinë që e gëzojmë.

Brezi i ri duhet të mësojë nga Baca Adem se Kosova është më shumë se një territor – është nder, është identitet, është borxh ndaj të rënëve dhe sakrificë për të ardhmen.

Andaj sot, me kokën lart dhe me shpirtin plot krenari kombëtare, e themi sërish, më fuqishëm se kurrë:
Kosova është e jona!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".