
Lexoni edhe:
Rritja e çmimit të energjisë ka filluar të përshpejtojë inflacionin dhe të rrisë varfërinë
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Një shekull ndarje politike shtetërore, shto këtu edhe bjeshkët ndërmjet, pa infrastrukturë rrugore minimale, komunikimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjithsesi, kanë ndikuar të mendohet për identitete të veçanta. Edhe pse shqiptarët patën fatin e keq të mbesin në bllokun lindor, majtist, pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë rrethanat ndryshonin. Shqipëria, vendi më i izoluar në Evropë, ndërsa Kosova, në kuadrin e Jugosllavisë, ishte shteti më liberal i bllokut lindor, i cili flirtonte me dy superfuqitë botërore, SHBA dhe Bashkimin Sovjetik.
-Rrjedhimisht, me gjithë terrorin politik, në periudha të ndryshme në Kosovë, - shqiptarët - e Shqipërisë londineze, gëzonin më pak liri. Madje edhe nën pushtimin italian dhe gjerman kishin më shumë liri sesa nën regjimin e egër stalinist të bandës së filosllavit Enver Hoxha! Përgjimi banditesk e rrugaçëror i Hoxhës, me byroistët e tij, ia kalonte edhe Inkuzicionit. "Unë dua të di se çfarë flasin shqiptarët edhe nën jorgan me gratë e tyre," - porosiste Hoxha strukturat e diktaturës së proletariatit! Dhe, nëse lakeu rus, Honeker, i Gjermanisë Lindore kishte 85 mijë agjentë të fshehtë për 16 milionë banorë, Shqipëria kishte trefishin, pra 265 mijë agjentë për 2.5 milionë shqiptarë!
Pas çlirimit të Kosovës, shpalljes së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Ahtisarit, çështja e "identitetit kosovar" është favorizuar. Zyrtarisht, pavarësia e Kosovës është kushtëzuar me mos pasje të drejtë të bashkimit me ndonjë shtet tjetër, pra, as me Shqipërinë. Edhe në Bashkimin Evropian do të hynë ndaras.
Shqiptarët i bashkoi lufta, "ra ky mort dhe u pamë," u zhgënjyen me standardin e ulët jetësor shqiptar dhe u neveritën nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës. Në vitet ’80, Shqipëria kishte 11 burgje me shumësi të burgosur politikë. Drejtori i hetuesisë së Shqipërisë ka deklaruar se "prej 99 % të burgosur politikë, të cilët akuzoheshin dhe penalizoheshin me burg, 99 % e tyre nuk plotësojnë normën ligjore penalizuese të agjitacionit dhe të propagandës kundër shtetit."
Ramush Haradinaj, në pritjen që i bëri presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se "në të gjitha rastet, kur Kosova ka qenë në vështirësi, Shqipëria e ka mbështetur Kosovën!?" Kjo është një gënjeshtër e madhe sa bjeshka. Ky "konstatim" i përgjithësuar nuk qëndron. E vërteta është se, kur Qeveritë e majta të Shqipërisë kanë pasur pushtetin, Kosova ose është "harruar," duke e lënë të vetmuar në hallet e veta, ose është bërë palë me armiqtë e saj!
Shembullojmë:
Më 1924, me të ashtuquajturin "Revolucion i Qershorit" të Nolit, personalitetet kosovare në Shqipëri quheshin "irredentistë." Për rrjedhojë, Hasan Prishtina qëndroi vetëm 6 ditë kryeministër, sepse nuk e duronin politikanët vendorë të Shqipërisë, ngaqë platforma e tij ishte - Bashkimi i trojeve shqiptare -. Dhe, deri në vitin 1962, edhe në librat shkollorë të historisë shkruhej dhe mësohej si tradhtar!
Në Luftën e Dytë Botërore, qeveria komuniste e Enver Hoxhës u bë palë me Federatën Jugosllave, dërgoi djemtë e shkolluar në Shqipëri, për të përhapur idetë komuniste në Kosovë. Brigadat shqiptare, përkrah atyre jugosllave, i vrisnin nacionalistët shqiptarë, si "derrat e egër!"
Në koordinim, komandat ushtarake jugosllavo-shqiptare përzgjodhën burra dhe djem të Kosovës, i bashkuan në Prizren. Karvani i gjatë përshkoi rrugën e mundimshme Kukës-Pukë-Shkodër-Mal të Zi, duke i ekzekutuar mijëra vetë në Tivar! Ata që tentuan të iknin gjatë rrugës, u ekzekutuan pa gjyq. Këtë masakër masive e kanë heshtur qeveria komuniste shqiptare dhe jugosllave për gjysmë shekulli!
Terrori i kuq i komunistëve jugosllavë, të ardhur në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore, filloi vrasjen dhe burgosjen masive të nacionalistëve shqiptarë. Të tjerë ikën në Greqi, Turqi, Shqipëri, por më së keqi e pësuan ata që kërkuan shpëtim në shtetin amë. Disa u dënuan me burg, të tjerë u internuan, pse kishin luftuar në mbrojtje të Kosovës, të Sanxhakut, kundër forcave pushtuese partizane e çetnike. Në vitet ’70, i ridënuan nga 10 dhe 20 vjet burg, përfshirë edhe djemtë kosovarë të ikur nga përndjekja politike jugosllave nga viti 1956 e më vonë, kryesisht të shkolluar. Në mesin e tyre ishte edhe kaçaku i Kosovës, Aziz Zhilivoda Krasniqi, xhaxhai i kolonel Ahmet Krasniqi, i ekzekutuar nga "komandantët" e LPK-së dhe të SHISH-it shqiptar!
Tirana zyrtare social-komuniste, në koordinim me LPK-në, intrigoi, përçau dhe sabotoi të gjitha aksionet ekonomike, përfshi edhe Fondin Shtetëror të 3 %-shit, që i shërbenin Kosovës për mbijetesën e saj. Tirana zyrtare dështoi mbledhjen e Oslos, në Norvegji, për bashkimin e faktorit ushtarak, në mes LPK-së dhe FARK-ut. Në Tiranë, LPK-ja dhe SHISH-i shqiptar, ekzekutuan ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqin. Qeveria e socialistëve kërkoi largimin nga Shqipëria të ushtarakëve profesionistë të Kosovës, "ose do të vriteni!" Ata konsultuan Presidentin Rugova me pyetjen e vetme: "Ç’të bëjmë?" Përgjigja e Presidentit ishte e shkurtër, e qartë: "Çfarë të bëni, ju jeni ushtarakë dhe e dini vetë. Kthim prapa nuk ka. Nuk do të vritemi të gjithë." Dhe, disa syresh filluan përgatitjen e ushtarëve për luftë, të tjerët i priste komanda e Kosharës për luftime.
Firma ime me nipa, "Etniku," me 18 punëtorë dhe makinerinë përkatëse, ishte licensuar për furnizimin me armë dhe logjistikën tjetër të luftëtarëve. Pengesat ishin të mëdha. Qeveria e Kosovës në ekzil paguante për armatimin, por banda e "komandantëve" të LPK-së kërkonte haraçin e vet. Pas ndërhyrjes amerikane, se "armët t'i jepen ushtrisë së Kosovës falas dhe ne i zëvendësojmë me armë të tjera të reja për Shqipërinë," LPK-ja nuk hoqi dorë nga haraçi. Edhe pse Komanda në Koshare ishte Institucionale dhe Komandant Suprem e njihte Presidentin Rugova, armët porositeshin dhe dorëzoheshin Komandës, respektivisht, komandantit Rrustem Berisha, nga një person i LPK-së. Kjo ishte një poshtërsi dhe rrugaçëri e qeverisë social-komuniste të Tiranës, e cila nuk e njihte as Presidentin dhe as Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës - FARK!
Kupolë që synon të prishë matematikat e përafrimit, shkrirjes së identiteteve nga dysh në njësh, janë qëndrimet pro-serbe të kryeministrit shqiptar, Edvin Rama:
Ai aprovoi Mini-Shengen-in;
Ballkanin e Hapur, me rolin parësor Serbinë;
Dakordimin me Thaçin dhe Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës, veriu t’i lihet Serbisë! Tre banditët, me hartë në dorë, kërkuan aprovimin e Kancelares Merkel. Ajo refuzoi, prerazi: "Lëvizja e kufijve është 'shpatë e rrëshqitshme'." (Ekziston foto ilustrimi);
Asociacionin ta bëjë Kosova njëanshëm, pavarësisht përmbushjeve të kushteve nga Serbia;
Tërheqja e Policisë së Kosovës nga veriu;
Marrja në mbrojtje e të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, duke i rivrarë viktimat e tyre dhe lënduar familjet e shumë qindra viktimave;
Mitrovica nuk është tokë e askujt;
Bëra këtë ekspoze, paksa të zymtë, të sjelljeve paradoksale, nga zyrtarët shqiptarë, të cilët kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet e vëllezërve të gjuhës dhe të gjakut, duke humbur një bashkëpunim të mirëfilltë për një çerek shekulli, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Pas luftës, filluan shkëmbimet tregtare, me leverdi, përfitime reciproke, si rërë, çiment, patate, qepë, vezë dhe artikuj të tjerë. Dështimi i parë ishte importi i rërës nga Vlora për rrugët e Kosovës. Edhe pse kontrata tregtare ishte e qartë, mbushjen e kamionëve, pala shqiptare e neglizhonte, kërkonin haraç, lekë në dorë, përndryshe duhej pritur me ditë. Eksportuesit nga Kosova u lodhën me pritje të gjata, të qëllimshme, kontraktuan me Libinë, për ta sjellë rërën në Kosovë! Të njëjtin fat pësuan edhe kontraktimet e tjera.
Por, e gjithë kjo, çka u tha më sipër, kufizohet me sjelljet e pushtetarëve shqiptarë, siç e pranojnë edhe intelektualët nga Shqipëria, se "pushtetarët shqiptarë gjithherë punojnë për interesa personale e grupore dhe kurrë për popullin." Pra, janë shpërfillës të popullit. Dhe, kjo për ndryshim nga pushtetarët në Kosovë, të cilët nuk njihen për këtë shpërfillje të vrazhdët," - thonë ata. Natyrshëm, përjashtime ka, siç janë disa nga "komandantët" mujsharë e grykës, të cilët populli i njeh "si parën e kuqe!"
Kam jetuar më shumë në Shqipëri sesa në Kosovë. Pretendoj se e njoh mirë popullin tim, andej dhe këtej kufirit. Shqiptarët e Shqipërisë londineze ose të Vjetër, siç e quanin gjyshërit tanë, nuk kanë asgjë të përbashkët me pushtetarët social-komunistë. Populli më i varfër dhe më i përvuajtur i Evropës, e cila e la qëllimshëm, nën sundimin e një paranojaku filosllav, Enver Hoxha, për gjysmë shekulli. Këtë e pranon edhe një ministër i Jashtëm francez, kur në pyetjen e bërë nga një gazetar: "Pse lejoni që populli i Shqipërisë të maltretohet nga një diktaturë e tipit fashist?", ai përgjigjet qetazi dhe cinikisht: "Shqipërinë e kemi lënë si muze të mjerimit komunist!"
Shqiptarët e Shqipërisë londineze janë të mrekullueshëm. Të shkolluar dhe të emancipuar hershëm, në raport me Kosovën. Në vitet ’70, në Tiranë, i gjeta gjyshet me institute e fakultete, intelektuale. Ishin të parat që blinin veprat letrare, duke porositur ruajtjen nën banak, meqë "avulloheshin" shpejt në vitrinat e librarive. Shqiptarët atje janë më afër Kanunit. Rrjedhimisht, edhe në ruajtjen e traditës së mikpritjes. Pra, gajretin e kanë më të madh sesa dardanët e sotëm të Kosovës. Janë më të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.
Edhe pse trysnia e regjimit të egër, të gjatë komunist e tej-fashist, ka shkatërruar strukturën kombëtare të popullit, duke përdorur më pak kulaçin e më shumë dajakun, për ta "krijuar njeriun e ri," "njeriun e Partisë," servil, spiun e dallkauk, të zhveshur nga çfarëdo besimi e dashurie, duke ia imponuar, dhunshëm e përgjakshëm, dashurinë për Partinë. Qëllimshëm, po e shkruaj me germë të madhe - Partinë -, sepse për gjysmë shekulli në Shqipëri, - Partia ishte emër i përveçëm, ndërsa "atdheu" emër i përgjithshëm dhe shkruhej me germë të vogël!
Megjithatë, është ngushëlluese, edhe pse me terrorin me tepëri, për ta zhveshur shqiptarin nga çdo ndjenjë njerëzore e kombëtare, në shpirtin e popullit shqiptar "rrënja e shqiptarizmit gjithmonë mbinë," siç na sjell në kujtesën tonë thënien e poetit Hil Mosi, ish-redaktorja e mirënjohur e "Bota Sot", Elida Buçpapaj. Me sakrifica enorme, populli shqiptar, në shpirtin dhe mendjen e tij, ruajti dhe shpëtoi, aq sa mund të shpëtohej.
Rishkrimi i historisë shqiptare, në Shqipëri, si domosdoshmëri e ruajtjes së trashëgimisë dhe traditave kombëtare, po bën mrekullinë, për ta spastruar historinë e falsifikuar për gjysmë shekulli me radhë. Brezat shqiptarë, ata që janë ende në jetë dhe ata që do të vijnë paskëtaj, e meritojnë trashëgiminë e një historie të vërtetë, të spastruar nga mite, legjenda dhe epopera të pabëra dhe të paqena. Ngjajshëm ka filluar të veprojë edhe Instituti i Historisë, në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës. Ndërkohë, rezistenca e "komandantëve" pa ushtarë, por me banda të bollshme, me sloganin se "historia nuk rishkruhet," po pengon ngulmueshëm dhe skajshëm! Sepse duan të hyjnë pa merituar, dhunshëm në histori, siç bënë sivëllezërit e tyre komunistë në Shqipëri, kur luftën e nisur për çlirim e konvertuan në luftë civile, qytetare ndër shqiptare. Andaj edhe pse të rreshtuar me Aleancën fituese të luftës, Shqipëria nuk gëzoi dëmshpërblimin për "luftën e pabërë."
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".