
Lexoni edhe:
Kur Kuvendi dështon të konstituohet për një kohë të gjatë, kemi të bëjmë me një krizë të legjitimitetit institucional
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Pa dyshim, historiani austriak Oliver Schmitt është shumë i angazhuar me çështjen shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë. Ai është i saktë në vlerësimin negativ për diktatorin Hoxha, krimet dhe marrëzitë e tij. Por e tepron me formësimin e identiteteve shqiptare, duke u bazuar në dy shtete – fat ky i vendosur forcërisht nga Fuqitë e Mëdha dikur dhe Evropa e sotme, aprovuese e kësaj ndarje të padrejtë dhe fatale.
-Atë që thotë dhe shkruan sot historiani Schmitt, e kanë thënë historianë e politikanë për dekada me radhë, por jo me emërtimet “shqipërorë” e “kosovarë”, por toskë e gegë – emërtim i gatshëm nga dialektet toskërisht dhe gegërisht. Brenda shteteve të një kombi ka shumësi dialektesh, por ato nuk konsiderohen identitete. Gjuha angleze ka 400 mijë fjalë, por provinciali anglez, bujku apo blegtori, përdor afërsisht vetëm 1.000 fjalë.
Dallimet toskë e gegë, që historianët – ose të painformuar bollshëm, por më shumë tendenciozë dhe të qëllimshëm – i kanë hiperbolizuar deri në ndarjen në dy popuj, janë në fakt dallime më shumë se sa identitare. Por shqiptarët nuk e pranuan kurrë këtë ndarje që ua sugjeronin të huajt, hiç mirëdashës të shqiptarëve. Nuk mund të bëhet një ndarje e tillë pse jugorët, shqiptarët e Toskërisë, pjesë të folklorit e kanë polifoninë – e vlerësuar me notën më të lartë të kulturës folklorike – ndërsa gegët, përkatësisht Gegëria, Veriu i Shqipërisë dhe Kosova, kryesisht pjesë të folklorit kanë këngët “maje krahut”. Madje as veshjet e traditës – fustanella për burra e xhubleta për gra, kapelja me majë e xhufkë e jugorëve apo plisi i rrumbullakët apo i rrafshët i dibranëve – nuk mund të jenë bazë për ndarje. Të gjitha këto dallime i ka rrafshuar veshja moderne “evropiançe”, siç njihet në popull.
Shqiptarët nuk janë rishtarë në botë, në Evropë apo në Ballkan. Përkundrazi, kanë një histori të lashtë, me gjuhë të hershme dhe llogariten ndër popujt më të vjetër të Evropës. Andaj janë popull me taban, duke mbijetuar pushtimet e shumta perandorake, disa prej të cilave kanë zgjatur me shekuj. Bashkimi në etnikumin kombëtar ka qenë dhe mbetet aspiratë mendore dhe shpirtërore e shqiptarëve të përbotshëm. Shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, edhe kështu të ndarë në dy shtete, duan ta shfrytëzojnë mundësinë e bashkëpunimit vëllazëror në të gjitha fushat e jetës, sidomos në sferën e mbrojtjes reciproke.
Por intelektualët – në veçanti ata nga Shqipëria – pengesë kryesore të bashkëpunimit ndërshqiptar e shohin instalimin e koracuar të social-komunistëve në pushtet, mbeturina të kryetradhtarit filosllav Enver Hoxha, me ideologji dhe miqësi me Rusinë dhe Serbinë. Dëshmi vetëfolëse janë 7 (shtatë) pikat e renditura në këtë shkrim nga kryeministri Rama, ku ai është palë me Serbinë kundër Kosovës. Ardhja në pushtet e forcave të djathta, nacionaliste, kombëtare, të pakriminalizuara dhe atdhedashëse, do ta nxirrte nga bataku Shqipërinë tonë hyjnore. Shqiptarët ende besojnë dhe shpresojnë në këndelljen dhe zgjimin e popullit të Shqipërisë-Nënë, që me votë të bëjë ndryshimin e shumëpritur.
Rrethanat e krijuara në Kosovë, kufizimet e imponuara kushtetuese dhe bashkëjetesa me minoritetet brenda Kosovës, edhe pse minore në numër por me një peshë fiktive, kanë stopuar ëndrrën e mbetur peng të Rilindasëve tanë për Bashkimin Kombëtar. Nuk është e vërtetë se “Albin Kurti, duke mashtruar me sloganin e Bashkimit Kombëtar, erdhi në pushtet.” E vërteta është se ai premtoi realizimin e vullnetit të shqiptarëve: “kriminelët dhe hajnat në burg, madje përcjelljen me bileta pa kthim”, duke aluduar në Hagën. Premtimi dështoi, sepse drejtësia korruptive është e kapur nga “komandantët” e kriminalizuar. “Komandantët”, me bandat e tyre, kanë ekzekutuar ushtarakë, luftëtarë të lirisë, duke e përgjakur Kosovën dhe shtuar numrin e jetimëve në Kosovën e përkallur nga pushtuesi serbo-sllav.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".