
Lexoni edhe:
Vjosa Osmani duhet të bëjë përpjekje që të konstituohet Parlamenti i Republikës së Kosovës
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Zgjedhjet janë ato që përcaktojnë fituesin dhe humbësin. Zgjedhjet i fitoi LVV, dhe si parti fituese e ka të drejtën edhe të formimit të organeve. LVV nuk ka shumicën për të formuar vetë organet ekzekutive pa ndihmën e subjekteve të tjera edhe nga minoritetet, që me këta të fundit do të kishim një qeveri të dobët për proceset që e presin Kosovën. E tashmja aktuale politike është e dhimbshme dhe depresionuese – po zgjatë në një kohë të padurueshme, kemi arritur në një pikë të kthimit mbrapa, e që askush nuk do e dëshironte, tani që ka një vetëdijësim dhe zgjim, që askujt nuk i intereson rruga e ferrit, për teke të individëve të cilët nuk po respektojnë ligjet dhe Kushtetutën për të zgjedhur kryekuvendarin që shumë herë.
-Kushtetuta dhe ligjet e bëjnë të qartë se votimi në Kuvend mund të bëhet me vota të hapura, por edhe me vota të fshehura. Roli i presidentes në këtë rast më shumë është i natyrës së inkurajimit politik të partive politike, sesa që ka ndonjë të drejtë ligjore (nëse nuk gaboj) për ndërhyrje. Ata që po e shkelin Kushtetutën mendoj se janë blloku opozitar, që ashiqare po e pretendojnë pushtetin, duke mënjanuar domosdo fituesin e zgjedhjeve – LVV. Nuk kam anuar kurrë për asgjë që shkon në dëm të qytetarëve dhe të Kosovës, por është evidente se po dëshirohet nga opozita të mos ndodhin reformat e filluara nga Qeveria e Kurtit.
Abdixhiku kërkoi Qeveri Tranzitore, e cila është e një logjike të dëmshme për Kosovën. Pse? Pse nga procesi nuk ekziston mundësia kushtetuese e ligjore që të përjashtohen edhe minoritetet nga procesi. Kosova sipas Planit të Marti Ahtisarit është shtet multietnik, e që nuk them se ka qenë plan i mirë, kur dihet për vendet e rezervuara për minoritetet, e që duhet të mos ishin. I pari i LDK-së, pa asnjë rezonim normal politik, refuzoi koalicionin me LVV, të kërkuar nga letra e kryetarit të LVV, Albin Kurti. Kjo do të ishte gjëja më e mirë për Kosovën, në situatën në të cilën gjendemi. A shumë qon peshë bre burra pozita për kryekuvendare të Albulena Haxhiut a? Më duket se varianti më i mirë, edhe pse zgjedhjet po janë shumë të kushtueshme për Kosovën e varfër, është të shkohet në zgjedhjet e parakohshme, që të ndahet përfundimisht shapi nga sheqeri. Qytetarët janë lodhur me maskaradat politike, me prapavijë të caktuar, e jo për shtetndërtim dhe mirëqenie. Për mua nuk ka çka merret më me këtë problem Gjykata Kushtetuese, por të respektohen ligjet që burojnë prej saj, dhe janë të qarta. Ka shumë kuvendarë tek të cilët po ekziston humori për gjëra serioze siç është formimi i organeve të reja. Sjellja e tillë është sjellje skllavëruese ndaj qytetarëve dhe mos të flasim për përgjegjësinë dhe moralin politik, që nuk po ekziston.
Shembuj të fjalëve të vogla dhe budallenj përputhen me shembuj të fjalëve të mëdha, gjë që në fakt i ndihmon ata, por që askush nuk entuziazmohet për neveritë, që po na sjellin në organin më të lartë të vendit. E presidentja, Vjosa Osmani, ta them edhe një herë për shkak të kompetencave të kufizuara që i ka si presidente, e mu për atë nuk mbart asnjë faj nëse dikush e pretendon një gjë të tillë, për mosformimin e organeve të reja.
Faji është jetim, se pranon askush, por dihet se ngërçin politik shumëjavor po e shkakton opozita, sidomos pas ftesës së fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për koalicion me LDK-në. Se çfarë zori ka LDK-ja për të pranuar për partner politik në koalicion LVV, një Zot e di, apo këtu qëndrojnë prapa politikanët e “fortë” apo parapolitika, dhe interesat meskine të dikujt aty…
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".