Pjesëmarrja e Kosovës në ‘Defender Europe 2025’ një hap i rëndësishëm drejt integrimit në NATO

Pjesëmarrja e Kosovës në ‘Defender Europe 2025’ një hap i rëndësishëm drejt integrimit në NATO
Pjesëmarrja e Kosovës në ‘Defender Europe 2025’ një hap i rëndësishëm drejt integrimit në NATO

Skender Mulliqi

  • 28 May 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025” konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit të saj në strukturat e sigurisë europiane dhe në NATO. Për dy javë me radhë, Kosova do të jetë mikpritëse e këtij ushtrimi ushtarak, që do të mbahet në rajonin e Gjakovës dhe Babaj të Bokës. Proceset globale dhe lufta në Ukrainë dhe në Gaza që nuk po përfundojnë, kanë paralajmëruar se do të kemi një rend të ri botëror.

 

-Ky paralajmërim u bë i zëshëm edhe më shumë me ardhjen në krye të Amerikës për herë të dytë të Donald Trump, i cili bëri kthesa radikale në politikën botërore. Në Ballkanin e trazuar me probleme etnike, Serbia së bashku me Kishën Ortodokse Serbe iu kanë kthyer platformës së nacionalizmit serbomadh në rajon, të ndihmuar nga imperializmi i Vladimir Putinit. Rusia dhe Serbia po e destabilizojnë, e para Evropën, kurse Serbia, Ballkanin Perëndimor. Duke parë rrezikun e zgjerimit të luftës nga Ukraina në vendet tjera të Evropës, gjatë kësaj kohe NATO inkuadroi në gjirin e saj, Finlandën dhe Suedinë, edhe pse Putin kishte kërcënuar për mospranimin e tyre. Regjimi serb i kriminelit të luftës, Aleksander Vuçiqit, në anën tjetër ka shtuar presionin politik dhe kërcënimet për luftë ndaj shteteve fqinje për të realizuar idenë fashiste të “botës serbe”, e veçmas po kërcënon Kosovën për ndarjen apo pushtimin e saj. Evropa ka mbetur pothuajse në mes të këtyre zhvillimeve, më shumë duke bërë sehir, duke mos qenë shumë e angazhuar politikisht.

Dihet se si shkoi procesi i dialogut me Serbinë – jo mirë, dhe shpesh u favorizua nga BE-ja regjimi fashist i Beogradit. Këto pak të dhëna për zhvillimet në rajon dhe në botë, dhe shumëçka tjetër e pathënë në këtë rast, kanë bërë që në Ballkanin Perëndimor të fillojë faza e dytë e ushtrimit ushtarak që SHBA-ja organizon në Evropë – Defender Europe 25, që do të zgjasë nga 26 maji deri më 9 qershor. Nuk ka dyshim se rajoni nuk është zgjedhur rastësisht, si dhe se qëllimi i SHBA-së dhe NATO-s është të tregojnë se mund t’i përgjigjen çdo sfide të sigurisë në kontinentin e vjetër.

Kjo është një çështje e parandalimit global. “Defender na jep shembuj dhe sqarime për logjistikën në terren dhe luftimet në shkallë që aktualisht nuk zhvillohen askund tjetër,” deklaroi gjenerali Kristofer Donahju, komandanti i ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, duke prezantuar planet për ushtrimin më të madh ushtarak të forcave amerikane në Evropë – Defender Europe 25, ku përfshihen 18 shtete dhe marrin pjesë 25.000 pjesëtarë të forcave amerikane dhe të ushtrive nga edhe 29 shtete të tjera. Ushtrimi do të zhvillohet në tetë lokacione: Sllovaki, Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë. Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, deklaroi se Kosova këtë vit do të ketë një nga rolet kyçe në ushtrim, pasi që në Gjakovë do të jetë qendra komanduese amerikane për Ballkanin Perëndimor, duke u shndërruar kështu në një “nyje strategjike”. Një reagim rreth kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme ushtarake në Kosovë e kishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e cilësoi si ngjarje të jashtëzakonshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Me fushëveprimin e kësaj stërvitjeje, SHBA-të dhe NATO-ja po u dërgojnë një mesazh të qartë atyre vendeve që nuk janë ende pjesë e kësaj aleance se e ardhmja është anëtarësimi në sistemin e sigurisë kolektive. Këto stërvitje ushtarake të NATO-s janë përgjigje e krizës në Ukrainë dhe tentimit të Serbisë për pushtime territoriale të shteteve përreth. Kriza është theksuar më shumë në Kosovë dhe tentimi i Dodikut për të shkëputur Republikën Serpska nga BH-ja, por edhe në Mal të Zi si anëtare e NATO-s. Në rrethana të tilla të pasigurta gjeopolitike dhe nga hegjemonia serbomadhe, është mirë që vendi ynë të përgatitet për mbrojtje. Këto ushtrime do të jenë një përvojë e mirë për FSK-në, e cila po merr pjesë. Kosova është edhe agjendë politike dhe praktike për stërvitjen amerikane edhe në vendin tonë. Edhe për faktin se në Ferizaj ndodhet një bazë shumë e rëndësishme amerikane, siç është Bondsteel. Duhet theksuar në këtë rast bashkëpunimin dhe marrëveshjen ushtarake për sigurinë rajonale midis Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, e cila ka shqetësuar regjimin fashist të Vuçiqit. Sigurisht se kjo stërvitje ushtarake është edhe një mesazh diplomatik që aleanca është e qëndrueshme përballë agresionit ushtarak rus në Ukrainë që po zgjat tre vjet e gjysmë, dhe kërcënimeve serbe për zgjerim territoresh në Ballkan.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".