
Lexoni edhe:
Pjesëmarrja e Kosovës në ‘Defender Europe 2025’ një hap i rëndësishëm drejt integrimit në NATO
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Fatmirësisht, në kontekstin e zhvillimeve dramatike të kohës, gjithandej nëpër botë, ku çështja e sigurisë kombëtare dhe rajonale, ka kohë që nuk ka qenë më e rrezikuar, përzgjedhja e SHBA-ve për vendosjen e Komandës së Trupave Amerikane për Ballkanin në Kosovë dhe jo në ndonjë nga vendet përreth që janë edhe anëtare të NATO-s, është një nderim i veçantë dhe vlerësimi më i lartë i mundshëm, që e bën vendin tonë vërtet për t’u krenuar, si shtet i ri, ende i pa anëtarësuar në NATO e shumë organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare dhe as në OKB.
-Ky veprim i SHBA-ve është një ndër vendimet më të çmuara gjeostrategjike që ka mundur të ndodhë pas çlirimit në Kosovën e lirë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vendosja e komandës së divizionit të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, ashtu siç shprehen edhe ekspertët e mirënjohur ushtarakë në vend dhe më gjerë, është një sinjal shumë i qartë, pikërisht ndaj pretendimeve ekspansioniste të Serbisë dhe përpjekjeve hibride të ndikimit rus në rajon, si dhe një dëshmi e fortë e miqësisë së përhershme dhe afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, e cila po forcohet dita-ditës dhe bëhet lidhje e pashkëputshme ndërmjet të dy vendeve tona.
“Defender Europe 25”, si ushtrimi më i madh ndërkombëtar i këtij viti, ku janë të angazhuar mbi 25 mijë ushtarë nga 29 shtete pjesëmarrëse të Paktit NATO dhe 1000 ushtarë të Republikës së Kosovës, është edhe një tregues shumë pozitiv se Ushtria e Republikës së Kosovës ka avancuar me hapa shumë të mëdhenj në përgatitje ushtarake dhe pajisjen me armatime bashkëkohore, sa ka fituar edhe besimin e SHBA-ve si superfuqi botërore dhe të NATO-s, si Aleanca më e madhe euroatlantike.
Akt që ka përshpejtuar edhe ardhjen e kësaj dite fatlume për popullin dhe shtetin e Kosovës, që sot, krahas trupave ndërkombëtare, ushtarët tanë të gjenden kudo, madje jo vetëm në "Defender" dhe në ushtrimet që mbahen në shtetin tonë, por të aktivizuar dhe me detyra të veçanta edhe në vende të huaja, krahas ushtarëve të SHBA-ve dhe atyre të Paktit NATO!
Me këtë edicion kaq të rëndësishëm të ushtrimit më të madh ushtarak në vendin tonë dhe në rajon, Kosova, përveçse si qendër e vendosjes së një komande kaq të lartë ushtarake amerikane për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe ushtrimeve të përmasave kaq të gjera si Defender Europe 2025, me mijëra e mijëra ushtarë dhe shumë vende pjesëmarrëse, kësaj radhe do të ketë rol tepër të rëndësishëm edhe ushtarak, duke marrë pjesë drejtpërdrejtë edhe me 1000 pjesëtarë të zgjedhur të njësive të veta më të mira elite ushtarake, dhe rrëzuar për tokë propagandën e paskrupullt të partive opozitare, se me rikthimin e Trump-it në postin e Presidentit të SHBA-ve, forcat amerikane "do të tërhiqen" nga Kosova, të cilat në fakt, kanë përzgjedhur Kosovën si bazë të komandës për ushtrime kaq të gjera e masive si Defender 2025.
Andaj, për herë të parë që nga paslufta, Forca e Sigurisë së Kosovës, përveç ofrimit të mikpritjes së komandës së një divizioni të ushtrisë amerikane dhe ushtrimit më të madh ndërkombëtar të këtij viti, me emrin “Defender Europe 25”, ku janë angazhuar mbi 25 mijë trupa nga 29 shtete pjesëmarrëse të Paktit NATO, do të na bëjë shumë krenarë të gjithëve edhe me pjesëmarrjen në këto ushtrime me mbi 1000 ushtarë të Republikës së Kosovës, me ç’rast do të dëshmojë edhe praktikisht gatishmërinë ushtarake dhe aftësitë e veta operacionale, si dhe nivelin më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-të dhe vendet anëtare të NATO-s, aleatët tanë ushtarakë-rajonalë e ata ndërkombëtarë, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Dhe nga një shtet i ri e nga më të vegjlit në rajon, i cili vetëm para një viti e pak më tepër nuk kishte mundur të ishte pjesë e një ushtrimi të ngjashëm edhe pse në përmasa më të vogla, këtë vit, për dy javë rresht, Kosova do të jetë jo vetëm pjesëmarrëse, por nga vetë SHBA është përzgjedhur edhe mikpritëse e këtij superushtrimi ushtarak, ku krahas vendeve anëtare të NATO-s, ushtrimeve të Paktit Veriatlantik, do t’i bashkohen mbi 1000 ushtarë të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës, që është vërtet për t’u krenuar.
Vetë pjesëmarrja dhe mikpritja e këtij ushtrimi ushtarak me 25 mijë ushtarë nga 29 vende në ushtrimin e njohur edhe si “Immediate Response 25”, që do të zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor dhe ka për qëllim të testojë se “sa shpejt dhe në çfarë shkalle efektshmërie mund të dislokohen trupat amerikane në Evropë për ta mbrojtur Krahun Lindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) me aleatët dhe me partnerët e saj, përfshirë edhe Kosovën”, do të thotë shumë edhe për pozicionin strategjik dhe rolin e Kosovës në rajon, gjë që është vërtet për t’u krenuar, kur dihet mirëfilli se më 2023, shkaku i tensioneve në veri, Kosova nuk kishte mundur të bëhej pjesë e këtij ushtrimi madhështor ndërkombëtar.
Aktiviteti ushtarak, i cili do të zhvillohet për dy javë me radhë, nisi më 26 maj në Babaj të Bokës, Gjakovë, me pjesëmarrjen e 25 mijë ushtarëve nga 29 vende partnere, të cilat do të zhvillohen në 18 shtete, duke pasur gjithmonë si bazë komanduese Kosovën, ushtrim me shtrirje në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Çeki, Finlandë, Greqi, Hungari, Letoni, Lituani, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Norvegji, Poloni, Rumani, Sllovaki, Slloveni dhe Suedi, që është edhe ushtrimi më i madh ndërkombëtar i këtij viti.
Ushtrim që do ta forcojë dhe avancojë edhe më tepër ushtarakisht FSK-në, nga i cili Kosova, përveç përvojës më të mirë ushtarake, me pranimin e këtij ushtrimi ndërkombëtar dhe praninë e mijëra ushtarëve dhe personelit të shquar ushtarak, vëzhguesve profesionistë dhe stafit civil, do të ketë edhe përfitime ekonomike, ndaj urojmë nga zemra që Ministria e Mbrojtjes të jetë përgatitur më së miri për ta kaluar me notë sa më të lartë këtë sprovë, si sfida e parë më e madhe e këtij lloji në vendin tonë dhe ta menaxhojë sa më mirë që të jetë e mundur edhe këtë situatë, si mikpritëse e komandës së divizionit të ushtrisë amerikane dhe mijëra ushtarëve të tjerë nga vendet e NATO-s, pjesëmarrëse në ushtrimin më të madh ushtarak në rajon, “Defender Europe 25”!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".