
Lexoni edhe:
Alarmon analisti: Ndërhyrjet e rrjetit serbo-rus në krijimin e institucioneve janë të thella
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Rritja masive e buxhetit për ushtrinë, përgjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti, konsiderohet si domosdoshmëri strategjike. Ashtu siç janë strategjike të gjitha masat që ka ndërmarrë dhe vazhdon të marrë Qeveria Kurti. Ndërsa intrigimet shpifarake e rrugaçërore të PAN-it, se kinse kjo është "një përpjekje për të kompensuar dështimet në fusha të tjera të qeverisjes, si ekonomia dhe sundimi i ligjit", janë të pavërteta.
-Për sa i përket zhvillimit ekonomik, edhe mund të kritikohet, por edhe të bisedohet pse nuk u realizuan disa nga premtimet e bëra nga LVV përgjatë fushatës parazgjedhore? Nga tre miliardë euro që kishte buxheti shtetëror, një miliard prej tyre Qeveria ka shpërndarë si ndihma sociale për qytetarët në nevojë, respektivisht, për varfanjakët e Kosovës. Sepse populli i lodhur nga pandemia kishte nevojë për t’u relaksuar, për të zbutur varfërinë sadopak, me një ndihmë sado modeste, të dhënë nga Qeveria, e cila në programin ekonomik e ka përkrahjen sociale.
Ndërsa për sundimin e ligjit, Qeveria aktuale e LVV-së ka bërë më shumë se të gjitha qeveritë paraprake, të marra së bashku. Sepse ka kthyer sovranitetin shtetëror në veriun e Kosovës, të cilin e kishin braktisur të tjerët, dhe këtë e ka pranuar edhe presidenti i shantazhuar me dosje penalizuese, Hashim Thaçi, duke thënë se "veriun tashmë e kemi humbur!". Por kryeministri Kurti, duke folur në emër të Kosovës, është përgjigjur prerazi: "nuk kam tokë për të falur".
Ndërkohë, sundimi i ligjit në Kosovë, në përgjithësi, për sa i përket Qeverisë, ka bërë dhe vazhdon të bëjë detyrën pa qenë e dështuar. Por ajo nuk është fajtore kur policia arreston thyerës të ligjit, deri edhe kriminelë që përgjakin qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa gjykata i liron me arsyetimin klishe "hetimi vazhdon në gjendje të lirë", që përfundon me ndëshkim simbolik, me kusht, apo hiç fare. Madje zvarritja e shqyrtimit të çështjes penale, deri në parashkrimin e lëndës!
Gjatë mandatit 4-vjeçar të qeverisjes së LVV-së, është investuar shumë në ngritjen e infrastrukturës ushtarake: kazermat, poligonet, armatimi konvencional e deri te mjetet e blinduara, tanket dhe makineritë e ndryshme për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Është arritur dyfishimi i numrit të ushtarëve, trefishimi i buxhetit për ushtrinë, katërfishimi i trajnimeve jashtë vendit dhe rritja enorme e blerjeve të armatimeve dhe të municionit. Të gjitha këto janë në funksion të plotësimit të standardeve për aplikimin dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas përllogaritjeve demografike, gjysma e qytetarëve tanë jetojnë në kontinentet e botës, kryesisht në Evropë, Amerikë, Australi e gjetkë. Nëse dikur një anëtar i familjes me "punë të përkohshme në mërgatë", pa familje me vete, me kursime proverbiale, me banesa të vjetra e të përbashkëta, me ushqim të dobët, me një punë të rregullt dhe të tjera "në të zezën", me orar të zgjatur, pa përfillur pushimet...
Me lekët e fituara, duhej të mbante familjen e ngushtë, bashkëshorten me fëmijë si dhe prindërit e familjen tjetër të gjerë. Dhe megjithatë, ndanin lekë edhe për raste humanitare, deri në kontribute për mbijetesën ekonomike të Kosovës në fundviteve ’80, ’90 dhe më tej. Begatimi i Fondit Shtetëror, të shprehur në 3 %-shin obligativ, si dhe kontributet anësore për luftën e Kosovës. Qeveria e Kosovës kërkoi hua me besë kthimi, pas lirisë së Kosovës, në shumën e llogaritur në marka gjermane prej 1.500 e më shumë.
Disa miliona marka, pas çlirimit të Kosovës, mbeten në Bankën e Qeverisë në Egzil, të bartura në bankën "Dardania" në Tiranë. Administratorët duhej t’i pyesnin mërgimtarët-donatorë nëse donin ta falnin borxhin e dhënë. Në të kundërtën, duhej – dhe duhet – të kthehet borxhi, i marrë hua nga mërgimtarët, në bazë të një dëshmie monedhe letre me shifër të shënuar 1000 dhe 500 marka. Përndryshe, heshtja e mëtejme konsiderohet mashtrim – më saktë: grabitje, vjedhje zyrtare.
Sot, shumësia e mërgimtarëve për familje kanë 3, 4 e më shumë rroga hyrëse mujore. Shumë syresh janë shkolluar dhe kanë rroga të majme. Një organizim i mirë nga Atdheu-Kosovë për begatimin e Fondit për Ushtrinë, mund të përshpejtojë përmbushjen e normave përkatëse, deri në armatimin e rëndë, të balancuar me miqtë dhe armiqtë përreth Kosovës sonë.
E filloi hapjen e një Fondi për Ushtrinë, Ramush Kryeministri, individualisht – sikur t’ia varësh delen ujkut në qafë! E përsëriti ministri ushtarak, Armend Mehaj – e njëjta gjë. Ky shkretoi edhe më shumë politikisht e zyrtarisht. Zakonisht, ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes janë në krye të diktaturës shtetërore për sigurinë e qytetarëve nga armiq të brendshëm dhe të jashtëm, pra keqbërës dhe kriminelë të të gjitha sojeve. Ndërkohë, betër insani, i hypi ballonit dhe viziton të akuzuarit nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”! Hajde ministër, hajde!
Me lekë, me financa, nuk ka as besim dhe as lojëra. Pse duhet t’i besosh një ministri apo kryeministri të babëzitur?! “Mos hidhni pare në kapuç”, – na porositi Dr. Ibrahim Rugova në Gjermani. Dhe shtoi: “Fondi Shtetëror duhet të administrohet vetëm me llogari rrjedhëse bankare dhe komision grupor”. Dhe kjo porosi vlente për shqiptarët e përbotshëm dhe humanistët botërorë, pavarësisht etnisë, ngjyrës. Dhe ashtu ndodhi.
Ky ishte modeli më i përsosur, më ideal, i cili mund të jetë shembull begatues për çfarëdo fondi. Duke qenë veprimtar i këtij aksioni për një dekadë radhazi, garantoj me nder e jetë – edhe sot, pas tri dekadash nga nisma e Fondit të 3 %-shit – mund të kontrollohet deri në qindarkën e fundit. Kryeministri Bukoshi, ministri i Financave Mustafa, me ekipin simpatik menaxhues fillestar, kanë qenë me një besueshmëri superiore, sepse administrimi digjital bankar përjashton komisionin e autorizuar grupor për çfarëdo abuzimi të mundshëm.
Mjerisht, një pjesë të milionave të markave nga fondet e mërgatës i zhvatën zyrtarisht e përdhunshëm në emër të UÇK-së “komandantët” kriminelë dhe hajna, të cilët asnjë phenik nuk e përdorën për luftën! Abuzuan këta zbatharakë e brekëgrisur të djeshëm, duke u bërë multimilionerë të sotëm! Tmerrësisht, e tmerrshme!!!
Shtetarë, pushtetarë dhe krerë partiakë, të bollshëm në atdhetarizëm, për hir të Atdheut-Kosovë, është e shëndetshme për Kosovën të hapet fondi madhor për mbrojtjen e vendit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".