
Lexoni edhe:
E zbulon analisti: Ekzistojnë tri rrugë politike për të dalur nga kjo bllokadë e pakuptimtë në Kuvend
Shkruan: ANALISTI-Skender Kapiti
Kosova aktualisht ndodhet në krizë politike, në krizë parlamentare, në atë se politika kosovare ka dështuar rëndë në zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Dhe dëgjohet që për këtë të fajësohet opozita. Nuk ka faj për këtë opozita, sepse kështu ka votuar votuesi në Kosovë, i cili nuk ia ka dhënë të gjitha pushtetet dhe të gjitha mundësitë që të vendosë e sundojë për gjithçka Kurti e LVV. Kurti duhet ta pranojë dhe të mësohet me këtë fakt dhe me këtë realitet, ashtu siç duhet ta pranojnë edhe fanatikët intelektualë, analistë dhe opinionistë të tij.
-Shkalla e demokracisë së një shteti tregohet nga liria që ka opozita, e cila është alternativë ndryshe nga pozita. Sado mirë që të punojë pushteti, opozita në demokraci ka strategjinë e saj për të kundërshtuar dhe gjetur, shfrytëzuar e kritikuar dobësitë e pushtetit dhe synon për të marrë pushtetin edhe nëse pushteti dhe qeverisja punojnë mirë.
Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë, mjerisht e fatkeqësisht, demokracia funksionon brenda një rrethi vicioz, ku beteja zhvillohet për mandatin e deputetit, për interesin e përfitimin politik personal dhe jo për atë kombëtar e të përgjithshëm.
Puna e deputetit shqiptar është një parazitizëm financiar e përfitimesh të tjera personale, familjare, fisnore e klanore. Deputetët janë persona të ngecur dhe shohin vetëm interesin personal; marrin atë rrogë, shkojnë në parlament, zihen e ngatërrohen apo bëjnë sikur përplasen e debatojnë – dhe vetëm kaq.
Rasti më i fundit, ai i moszgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës edhe pas 24 seancash, tregon më së miri papërgjegjshmërinë publike dhe kombëtare të deputetëve në Kosovë, të cilët janë dhe ndihen mirë me rrogat e majme që marrin, e që madje bëjnë edhe punë të dëmshme për shtetin e Kosovës.
Të dyja, si opozita ashtu edhe pozita, janë bashkëfajtorë për gjendjen ku ka rënë Kosova në këtë krizë parlamentare. Shumëkush fajin ia vë tërësisht opozitës për faktin e dështimit të saj në kohën kur ishte në pushtet.
Mirëpo, opozita në demokraci gjithçka e shfrytëzon dhe e përdor politikisht për interesat e saj politike, dhe kjo është normale. Opozita nuk bën çfarë dëshiron të imponojë pozita, dhe në demokraci i takon shumicës, fituesit, që të tolerojë, të lëshojë pe dhe të kërkojë konsensus në çështje të ndjeshme dhe me rëndësi madhore, siç është rasti edhe për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.
Do të kishte qenë mirë dhe modeste që Kurti të kishte nxjerrë disa kandidatura nga LVV për kryeparlamentar, dhe të kishte zgjedhur edhe ndonjë kandidaturë nga radhët e saj që do të ishte e pranueshme edhe për opozitën, dhe jo të këmbëngulë me kokëfortësi dhe arrogancë për vetëm njërën, të cilën opozita e kundërshton.
Nuk ka pse të kërkohet votim i fshehtë vetëm për Albulena Haxhiun, por nëse kërkohet votim i fshehtë, atëherë të votohen dhe të konkurojnë dy ose më shumë deputetë. Kjo është e drejtë dhe mëse demokratike nëse Kurti njeh parimet e demokracisë, dhe jo votim i fshehtë vetëm me një kandidat, siç bëheshin në diktaturë. Nëse opozita ka kusuret e veta të mosmirëqeverisjes, nuk ka pse edhe ky rast krize t’i faturohet asaj.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".