DREJTUESI VIZIONAR DHE DREJTUESI i URREJTËS

DREJTUESI VIZIONAR DHE DREJTUESI i URREJTËS
DREJTUESI VIZIONAR DHE DREJTUESI i URREJTËS

Prof.Dr.Hakif Bajrami

  • 05 June 2025 - 11:05

Shkruan: Akademik Hakif Bajrami

Drejtuesi institucional vizionar

Drejtuesi i çdo institucioni që është vizionar, në rend të parë i kushton rëndësi organizimit. Si i organizuar ai kërkon, dhe, me shembullin personal tregon se si çdo punëtor duhet të punojë i organizuar. Si vizionar i organizuar e ndan punën, i ndan dhe sistemon funksionet, për një rezultat, që në fund i hap horizonte të reja kompozicionit institucional shoqëror, që e drejton, në dobi të civilizimit. Vizionin e organizimit si shtyllë dialektike duhet zbatuar në çdo pore të jetës, sepse vetëm çdo gjë që është e organizuar ka perspektivë të jetojë. Dhe, është sërish e arritur vizionare, nëse prijësi e vren me kohë, se nuk është i aftë për ta bartur institucionin përpara, prandaj me vet iniciativë largohet, për t` ia lëshuar vendin e drejtuesit tjetër, që ka aftësi vizionare pasuese.

Së këndejmi, jeta ka treguar, se çdo drejtues, nuk mund të avansohet në vizionar, po nuk pati aftësi organizative. Pra, vizionari krijohet, por vizionin nuk e ka të lindur askush. Dhe, për t` u bërë vizionar duhet edhe punë profesionale, dhe në një masë nevojitet talent i cili përsoset vetëm me punë kreative individuale ose kolektive, në proces.

Historia në këtë rrafsh, na mëson se në të kaluarën dhe sot, ka drejtues institucionesh, ose drejtues shteti (politikanë) dhe individ që janë vizionar. Të tillët shkencërisht dihet se nuk janë të lindur si vizionarë, por ose kanë inteligjencë të mjaftuar dhe ambicje, për të mësuar duke u ndihmuar edhe nga rrethi ku jetojnë i cili determinon kërkesën të krijojë vepra të mira-të dobishme për njeriun, popullin-kombin dhe njerëzimin. Personat e tillë ose janë të prirur në punë individuale, ose ekipore, dhe dikush nga ekipi është më inteligjent dhe në krijimin e një kryevepre me urti sërish e konsideron si të arritur falë bashkëpuntorëve. Vizionarit pra, në rend të parë i nevojitet vetëdija që i përcaktohet nga niveli ekonomik i familjes, shoqërisë, shtetit apo epokës në të cilën jeton.

Së këndejmi, ata që nuk janë drejtues, por janë kreatorë, janë zbulues të veprave epokale, që janë në shërbim të njerëzimit, janë shumë të respektuar edhe sa janë gjallë, prandaj për veprat e tyre shekujt nuk janë asgjë, sepse njeriu (historia) nuk i harron veprat e tyre. Shkurt, organizatorët e mëdhenj të zbulimeve të mëdha epokale, veprat e mëdha, mbesin të gjalla, edhe pas çasti psikologjik kur vizionari më nuk është në mesin e të gjallëve, sepse jeton vepra e tyre. Së këndejmi e shtrojmë pyetjën: a është bleta vizionare me tërë atë punë që del nga lëvizjet e saj, të cilat ne si qenie njerëzore as nuk mund ti lexojmë e as ti kopjojmë. Me këtë konkludim sikur duam që determinizmit t` ia mbyllim çdo “teori” që beson në te. Pra, në shembullin e bletës mund të konkludojmë se asgjë, nuk është e shkruar më parë, por jeta e jetuar jetohet dhe krijohet vetëm nga ajo fuqi intelektuale që është e organizuar në kohë të pambarim dhe hapsirë të pafund.

Njerëzit vizionarë zakonisht afrojnë ngat veti të diturit dhe të urtit, të devotshmit. Prijësit e tillë i sjellin njerëzimit-kombit vetëm jetëgjatësi dhe pavdekësi, për veprat e tyre të pavdekshme. Së këndejmi, ata që merren me krijimtari letrare (shkrimtarët e të gjitha zhanreve-hb) kanë një vlerë të pavdekshme, sepse e drejtojnë njeriun në lexim, në mësim, në urti, në mendim, në punë, në mësim të jetës dhe në mësim të “jetës” artistike, e cila provon të avansohet në respekt, në kult- në zgjerim të diturisë, në mënyrë që nevojtari, lexuesi, gjenerata njerëzore, të formohet sa më me themel, sa më guximshëm për jetën e organizuar, për dobi të kombit, regjionit, gjeneratave, të gjithë brezave të shoqërisë. Bie fjala, të gjithë dje dhe sot e dijnë se nuk ka shansë që të ndryshojë diçka në vijim për dobinë që ka njeriu dhe shkolla e: Sokratit, Platonit, Aristotelit,Krishtit (Isait), Muhamedit, Mikelangjellos, Da Vinçit,Khajamit, Shekspirit, Dekartit, Hegellit,E. Zollës,Hemingvejit, të gjithë rizorgjimentasëve (Rilindasëve-mendje ndriturve), që njerëzimin e shkëpusin nga koha e injorancës, nga koha e hipokrizisë. Por, nuk duhet menduar, se mos ka kohë të tepruar, ose mungesë të saj, por duhet punuar me veprime të gjalla në mënyrë që në rrjedhën e jetës mos të futet në qarkullim hipokrizia. Pra, krahas dashurisë në njeriun dhe për njeriun, dihet se jeton edhe urrejtja.

Të ditur dhe të urtë i ofrojmë njeriut lumturi

Përmes të diturve dhe të urtëve, njerëzimi ec përpara dhe shënon epërsi nga e kaluara, duke shpikur gjëra të reja, në dobi për njeriun . Në këtë rrugëtim shekulli XX-të ishte shekull i kundërthënieve në mes diturisë (Ajnshtajnit) dhe marrëzisë (Hitlerit e Stalinit e plotë të tjerëve më të “vegjël”), shih në rrafshin e likvidimit të njerëzve kundërshtarë, të cilët përjetohen dhe projektohen edhe si individë edhe si popull,por mbi të gjitha si individ armik. Po, shekulli XX në anën tjetër, është me plotë Ajnshtajna (N. Teslla,Byfoni, shpikësit e medikamenteve, shpikësi i lokomotivës, ideatorë të robotikës,krijues të inteligjencës artificiale….), me plotë Hitlera dhe Stalina më të vogël, të tipeve dhe qëllimeve të tyre n` anën tjetër, por me mundësi më të vogla, për punë johumane dhe jo njerëzore.

Shkencëtarët janë shpresë njerëzore në çdo kohë

Shkencëtarët vizionarë në anën tjetër janë shtresë, që i duhet sakrificë kolosale jetësore për ta bërë vizionin e tij realitet. Dhe në vijim shkencëtari nuk mund të shkëputet nga puna e tij, që i transferohet pastaj si mision i vijëzuar, pa marrë parasysh vakumet që i servohen në jetë, për ti zbatuar adetet dhe zakonet që e pengojnë, ose e stimulojnë, e që janë veti dhe natyrë e gjallë njerëzore. Pra, veprat e dobishme që janë nga rrafshi eknomik, psikologjik dhe civilizues, e të cilat e forcojnë bindjen se njeriu mund të bëjë vepra që e ndryshojnë tërë godinën shoqërore, e humanizojnë jetën, e sigurojnë shëndetin, e sigurojnë rrugën e suksesit në shpikje të reja,pra e rikrijojnë ambientin. Bje fjala, me ndërtimin e një ure,njeriu e mund çdo dallgë të lumit, ose të shkëmbinjëve që i ndajnë prrojet, pastaj, si bje fjala hapja e Kanalit Suezit, ndërtimi i anijeve,u tregua se njeriu e mundi detin, ndërsa shpikja e busollës e lehtësoi udhëtimin-lundrimin. Ndërtimi i rrugëve, tuneleve, binarëve, asfaltit, shpikja e rrymës, telefonit, radios, televizionit, nuk mund të ndodhte pa njohje të thellë të aparateve fotografike dhe të krijimit të teknikës për lëvizje të fotografive, të cilat transferohëen në kibernetikë. Kështu, njeriu e mundi largësinë, sepse ai që e shpiku rrotën gati se mbeti anononim. Por ai që e shpiku nevojën që informata, nuk guxon të mbetët si zbulim dhe dhunti, të mbetët e arritur e mbyllur, por të avansohet ne pronë njerëzore, disi ta humanizojë jetën “përtej humanizmit”, që njeriu i informuar të avansohet në një pozicion më civilizues, në një besim që nuk është abstrakt. Madje, shtypshkronjën nuk e rrënoi shpikja e alfabetit, përkundrazi, çfarë rëndësie do të kishte shtypshkronja nëse nuk do të kishte shkronja-alfabet, e arritur kjo që e ndezi “motorrin”, që çdo popull ta ndërtojë dhe thellojë gjuhën e shkruar. Pra, një shpikje krijon kërkesa zingjirore, që çdo komb të ketë alfabet kombëtar dhe normë kombëtare të shkrimit.

Ndërtimi i aeroplanit, në rrafshin e forcimit të njeriut karshi vështirësive natyrore, ia bëri njeriut të mundur që në ajr të “fluturojë”.Po si u zbulua shpejtësia e dritës, vetëm nga të diturit dhe të devotshmit, që me fuqinë e matematikës zbuluan diçka përtej “fantazisë” së shpikjsë së numrave dhe simboleve, të materjeve dhe metaleve, deri te matja e largësisë me saktësi, deri te fantazia për ekzistencën kuantike të antimateries.

Shkenctarët në fushën e shëndetit janë një botë në veti, të cilët e mundin çdo sëmundje që e sjellë realiteti shoqëror dhe kohor-ambienti, gjithmonë duke e ditur që pleqëria nuk mund të shërohët, se vetëm koha nuk vdes kurrë. E gjatë është rruga dhe numri i Nobelistëve në shëndetësi. Por, askush deri me sot nuk ia ka mësy ta sherojë pleqërinë dhe ta përthekojë kohën, por ta urtësojë atë,ta humanizojë atë është përpjekje, jo e kotë po që ka rezultate, ku eutanazia si sekondë e fundit e jetës të shënojë një “fillim të ri”, ndoshta, për ta spjeguar “jetën” edhe pas shuarjes së saj fizike dhe shpirtërore. Pra, njeriu është në një mënyrë i kufizuar në “aftësi”por i pakufizuar në mundësi. Dhe njeriu vizionar nuk e ka të ndaluar të dali edhe “jashtë aftësisë dhe mundësisë”, siç doli shpikësi i aeroplanit, rrymës, telefonit,rentgenit, transplantimit, internetit, por jo asesi të trurit, edhe pse për robotët ka kohë dhe histori e gjatë, që flitet. Sot, bije fjala kanceri është një enigmë, që mund të krahasohet me TBC-en dikur. Por njeriu i ditur dhe i urtë në punë, do ta mund edhe këtë në proces tragjik qoftë ai i “mbjellur” (i trashëguar) apo me punë të pandërprerë duke e hulumtuar në nukleus, dhe një ditë për te do të mësohet shumë, se sa e: “lehtë” paska qenë mundësia që: “qeliza nuk e han më qelizën, por e përbinë të gjallë, për “ushqim”, dhe sherimi i qelizave që prekën në atë proces do të jetë një trajnim sikurse të jetë një ndeshje futbolli, ku shëndeti dhe gjallëria dominojnë mbi të gjitha traviatat e jetës, sepse aty ka diçka të gjallë, që është më e dobishme si jeta e shëndosh, pa helm, pa infektim.

Pra ejani ju njerëz të leximit dhe diturisë, të zbresim në një krahasim shumë të ashpër: ata që shkaktojnë luftëra dhe rrënime dje dhe nuk largohen nga ai zanat sot, nëse mendojnë me tru të shëndosh, vetëm pas akteve të tyre të shëmtuara, pas vrasjeve dhe rrënimeve, e kuptojnë se ishin, në vizion të gabuar të historisë. E ky koncept, sa më shumë që shkurtohet në kohë, si “çështje e kuptuar”, do të kemi luftëra më pak, mizori më të kontrolluara dhe varfëri më të “harmonizuar”, sepse varfëria kurrë nuk mund të avansohet në kategori humane të jetës. Pra, me qenë i varfër nuk do të thotë të jesh në rrafshin e mundësisë që të krijosh vepra që e transferojnë jetën, standardin jetësor në përgjithësi. Sot, njeriu mund të jetojë si imitim nepër shpella, vetëm për ta studiuar aftësinë e tij sa i reziston ngrohtësisë, ose acarit akullor dhe jetës nepër të cilën ka kaluar lloji.Pra, aty do të mësohet se pakurrizorët nuk mund të lindin kurrizorë, të pagjinitë nuk mund të lindin gjini. Pra, guri mund të trasferohët në dhe, dhe dheu mund të avansohet në gur, por asnjeri nuk mund të transferohen në gjallesë që lëvizë nepër ta (guri dhe dhe).

Politikani vizionar dhe grindavec

Së këndejmi, si u tha më lartë, politikani ose drejtuesi i institucionit që ka aftësi vizionare dhe din të krijojë strategji të shkelqyer, gjithmonë i afron afër veti njerëzit e ditur e jo njerëzit që janë oportunistë dhe puthadorë-tinzarë. Pra, vetëm politikani që është i korruptuar i afron njerëzit që i duhen. Lidhur me këtë, partitë politike në shoqërinë bashkohore duhet për të mësuar se nuk janë institute-servise të grupeve, por që duhet mësuar se sa më i gjërë të jetë themeli i tyre politiko shoqëror, për aq ato parti do të mbesin në histori si të respektuara në popull. Për ndryshe llogaritet se për çdo vit, shkatrrohen shumë parti, por edhe lindin parti të tjera, të cilat nëse drejtohen nga vizionarët kanë jetë të gjatë, nëse kanë programe të shkruara me analiza dhe sinteza shkencore, do ti përjetojnë shekujt. Por nëse drejtohen nga karrieristët dhe batakgjinjët kanë jetë të “garantuar”, për një stinë vjetore. Dallimi në mes tyre është si kimia organike me kiminë inorganike, që kanë emër të përbashkët por funksion kundërshtues.

Njeriu i korruptuar dhe lakmitar

Ky soj i njerëzve ka prirje që afër vetes të sjellë njerëz të dëgjueshëm, pa un, pa ambicje, pa karakter dhe të pabesë, pa kornizë jetësore, që nuk e dijnë ku fillon njerëzorja dhe ku mbaron e keqja. E nëse njerëzorja është e mirë për të gjithë, e keqja është e dëmshme për të gjithë. Njerëzit e tillë që e kanë në gjak korrupcionin, nepotizmin, poltronizmin dhe superpoltronizmin, janë kryesisht njerëz për një përdorim, për një çast që nuk zgjatë, sepse pa u mbyllur perdja në “teatër”, shfaqja mbaron tregimin, e mbyll misionin pa vizion dhe pa koncpet jetësor, për të jetuar, për t` u mbajtur në mend, si diçka në dobi të njeriut dhe për njeriun, aktiv dhe kreativ.

Vizionarët shqiptarë janë të paktë në të gjitha fushat

A ka shqiptaria shkrimtarë, shkenctarë, ndërtues, shpikës dhe burra-shteti që janë vizionar? Të themi se po. Por, duhet kultivuar veprën e tyre të përsosur deri në pambarim. Dhe, e shtrojmë pyetjen: a ka shqiptaria personalitete që janë të çmuar në botën e civilizuar? Themi se po. Për shembull, Skënderbeu, Ali Pashë Janina, Bushatlinjët, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Vaso Pasha,Naim e Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, të gjithë ata që e krijuan alfabetin, të gjithë ata që e themeluan shtetin, e në vijim si Shotë Galica, Nazim Gafurri, Qemal Stafa, Emin Duraku, Adem Demaçi, Adem Jashari. Secili për një vepër të caktuar, por që është vepër monument, në dobi të njerëzimit, për humanizimin e jetës që do të mbetet në histori si Nëna TEREZE-Nënë e njerëzimit, që është nderë edhe për Çmimin Nobel që jipet.

Po sot ku jemi dhe çka do të mbetet në histori për tu kultivuar?

Mendoj se në historinë shqiptare për shekujt që vijnë, do të mbetet lufta e UÇK-ës. Ndërsa, historia e pas luftës e deri më sot, nuk do të mbahet mend përpos atij çastit të shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Madje, “puna e parlamentit” të sotëm të Republikës Kosovës, duhet të harrohet shumë shpejtë, por njëherit edhe të mësohet që mos të përsëritet një kuazi kulturë shtetërore e inateve, që po merr dimension epidemik urrejtës nga populli i tërë. Nuk e di,a janë të vetëdijshëm të gjithë akterët e dramës së Kuvendit Kosovës, që është bërë një lloj “arome e padurueshme” me 26 dështime. Sidomos po flitet se është bërë neveri tautologjia e spikerit (edhe pse ai njeri është i verifikuar si humanist dhe atdhetar-hb).Është bërë e neveritshme pastaj çdo fytyrë e atyre që po defilojnë para gazatarëve, para dhe pas shfaqjeve dështuese, që i ngjanë sjelljes së rrotës së shpërthyer të një veture me pamje cinike dhe të shëmtuar.

Shqiptarë,ndërgjegja kombëtare ju thërret: kujtojeni pajtimin e Adem Demaçit me ata që e burgosën, pajtim ai që ndodhi në kulmin e luftës çlirimtare; Kujtojeni kohën e pajtimeve të drejtuar nga patrioti Prof. Anton Qeta. Madje vetëm kur UÇK dhe NATO e çliruan Kosovën me luftë, ata që faleshin dhe pajtoheshin e kuptuan misionin dhe vizionin e pajtimeve. Por,kujtojeni edhe shkuarjen e Ibrahim Rugovës me ekip, te vrasësi i shqiptarëve, të projektuesi i shfarosjes së shqiptarëve. Dhe mos nxitoni për ta akuzuar. Lidhur me këtë shkuarje, Adem Demaçi na pati ftuar në zyrën e tij dhe prej secilit kërkoi mendim. Pasi që disa u zbrazën edhe me ofendime, Baci foli i qetë me porosi prej urtaku: “Mos kofshi në lëkurën e tyre. Ata kanë shkuar atje për të shpëtuar diçka, sepse jemi popull si i humburi në shkretirë. Ju, kujtoni se pajtimi im me ata që më kanë burgos ka qenë i lehtë. Ju kujtoni se udhëtimi im në Beograd për tu përballur me shovinizmin ishte i lehtë. Jo kam shkuar me prush në mushkëri, sepse e kam ditur se do të flitet e debatohet edhe nga vizionarët edhe nga injorantët dhe fajdegjinjët. Pra, unë nuk kam mundur për të qëndruar në dy karrike: ta them se: Nuk është trim dhe burr ai që e shtrinë gishtin e krimit, por është trim dhe burr ai që e shtrinë dorën e pajtimit”. E shkuarja ndodhte për ta shpëtuar një gjendje, për ta shpëtuar një popull. Pra nuk shkohej për tradhti. Të paktën urtia kombëtare të drejton, në këtë besim. Pra, ju që kritikoni, ofroni zgjidhje, kujtojeni Nënë TEREZËN, që u shkri për të sëmurët në Indinë e largët, por që e mahniti botën me dashuri. E në emër të kësaj dashurie, punoni për ndërtimin e shtetit, sepse UÇK dhe NATO na e krijoi shansën e mileniumit për ta themeluar shtetin e Kosovës. Pra, shtetin e kemi themeluar jo për thellimin e inateve, jo për shfarosjen e dikujt, jo për të jetuar vetëm shqiptarët në te. Pra, nuk jeni armiqë, ore njerëz të Parlamentit sot. Pra, kur vinte Krist Hilli nga Shkupi (1998/9) dhe na e përplaste në fytyrë se “UÇK është terroriste”, duhej dëgjuar, duhej për ti buzqeshur para syve, edhe pse ai dinte se qeshja jonë ishte cinike. Por, procesi e kërkonte që situata të vjen deri te përdorimi i forcës e që ishin SHBA-t ato që më 24 mars 1999 dolën në mejdan, i cili dihet se si mbaroi më 10 qershor 1999. E mbaroi me kapitullim të plotë të nazifashizmit serbian. Pra, largoni inatet dhe ia jepni shansën organizimit të Parlamentit.

Madje në Kuvend të Kosovës sot, janë nja shtatë-tetë përfaqsues popujsh, që flasin gjuhë të ndryshme, që është shembull për respekt. Pra, lutja jonë është që t` ia humanizoni jetën popujve të Republikës Kosovës. Për ndryshe ju deputetë, po ua mundsoni hapësirën ligësive të reja, që të përsëriten në forma të ndryshme, e që populli nuk i dëshiron. Pra, mos e kultivoni të keqën dhe ligësinë. Ta dini, të gjithë se edhe pas juve do të ketë parlament, do të ketë progres dhe jetë në liri të garantuar, për të gjithë njësoj. Së këndejmi ia kushtoni vetëm një orë hulumtimit të veprave të vizionarëve; rrini më pak në pasqyrë, sepse bota nuk sjellet pas juve; sepse ju një ditë do të jeni jashtë funksionit, dhe do ta pyesni vetën, nëse mendoni me tru, pse u tallëm me popullin deri në atë masë, si na duroi!? Me urtësi arrihet largësia.