Ja ku fillon padrejtësia e madhe, që bën diferencimin brenda deputetëve

Ja ku fillon padrejtësia e madhe, që bën diferencimin brenda deputetëve
Ja ku fillon padrejtësia e madhe, që bën diferencimin brenda deputetëve

Idriz Zeqiraj

  • 07 June 2025 - 08:54

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Rizgjedhjet bartin negativitetin e shpenzimeve disa milionëshe, për çka mendoj se duhet reduktuar, madje drastikisht, sepse lokacionet zgjedhore janë shkollat gratis dhe kuota e pagesave për personelin duhet të zvogëlohet, në raport me mundësitë buxhetore të Kosovës. Humbja e ditëve të punës dhe e orëve mësimore të nxënësve të të gjitha moshave është një shqetësim i ligjshëm i deputetëve, të cilët kanë fituar mandat në zgjedhjet paraprake dhe tani të ritestohen, ende pa u provuar në misionin fisnik dhe plot përgjegjësi të  deputetit të popullit.

 

-Një defekt i madh është lista emërore e kandidatëve për deputet, e cila duhet të ketë renditje alfabetike dhe jo të privilegjuarit partiakë të parët në listën rendore. Këtu fillon padrejtësia e madhe, që bën diferencimin brenda deputetëve, duke ftuar dhe orientuar elektoratin të votojë jo sipas vullnetit të tyre, por ashtu siç duan kryetarët, me klanet e tyre, brenda partive politike!

Rizgjedhjet nuk sjellin siguri absolute për fitore për askënd. Andaj, kërkohet të shterohen të gjitha mundësitë për t’i shmangur ato. Ngulmohet në koalicionin LVV-LDK, jo vetëm nga frika e përsëritjes së zgjedhjeve, por edhe nga përpjekja për të shmangur humbjen e kontrollit politik nga partia në pushtet. Por, mbi të gjitha, përveç përfitimit reciprok të dy subjekteve në koalicion, LVV-LDK është dëshirë dhe vullnet i shumësisë absolute të shqiptarëve vendorë dhe botërorë.

Arsyeja bazë e kësaj kërkese legjitime është: Eksponentët e PAN-it janë të shantazhuar me dosje faktike paralizuese, plus kanë grabitur e zhvatur pasuritë e brezave shqiptarë, duke abuzuar me pushtetin e dhunshëm, deri në përgjakje. Tani, që në konsultim me shtetet e Quint-it, është kërkuar hetimi special, përmes Vetting-ut dhe krijimit të Byrosë për Verifikimin e Pasurive, pa mbulesë financiare dhe familjare, PAN-i, nga frika e kthimit të pasurive dhe të parave të hajnisë zyrtare, ka bllokuar hetimet përkatëse.

LDK-ja, fillimisht, u zotua se nuk do të jetë pjesë e opozitës PAN-iste, të kriminalizuar dhe bllokuese të krijimit të institucioneve shtetërore paszgjedhore. Por, krejt papritmas, shokoi dhe ndryshoi mendjen: “Nuk bëjmë koalicion me LVV, pa PDK-në!” Me këtë kërkesë, LDK-ja amniston PDK-në, me barrën e krimeve numerike, edhe pse ajo kurrë nuk është penduar për gjëmën mortore që i shkaktoi LDK-së dhe Kosovës! Madje, me angazhimin enorm të eksponentëve partiakë të PDK-së në mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve, po kërcënojnë popullin e Kosovës me trazira, deri në luftë qytetare, nëse procesi gjyqësor në Hagë ndëshkon krimin!

LDK-ja e thelloi absurditetin, e cila me cytjen e PAN-it, kryesisht të PDK-së, hodhi idenë e një qeverie teknike, gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve politike, sikur Kosova të ishte në vlugun e luftës! Atëherë, pse u mbajtën zgjedhje të rregullta dhe demokratike, vetëm tre muaj më parë?! Një lajthitje e tillë, elektorati, anëtarësia e LDK-së, por edhe populli dhe shqiptarët kudo që ndodhen, nuk e prisnin nga partia zëmadhe e Presidentit Rugova.

Provoni ta hidhni në votim refuzimin e koalicionit me LVV, në Këshillin e Përgjithshëm të partisë – natyrisht, jo me aklamacionin fiktiv, të rrejshëm – por me votën e fshehtë demokratike. Dhe do të bindeni se vendimet e fundit janë në kundërshti të plotë me vullnetin dhe interesin e LDK-së. Flirtet konspirative me PAN-in, nga kushdo qoftë, për kthimin në pushtet të subjekteve të kriminalizuara, me "komandantët" e tyre mujsharë e mëkatarë, përbëjnë fajësi – deri në krim! Mos u bëni të pambrojtshëm! Kujdes: ndëshkimit nga populli!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".