Qarri: Deputetët matrapazë të kësaj legjislature turpi, po e përbuzin votën e qytetarëve të Kosovës

Qarri: Deputetët matrapazë të kësaj legjislature turpi, po e përbuzin votën e qytetarëve të Kosovës
Qarri: Deputetët matrapazë të kësaj legjislature turpi, po e përbuzin votën e qytetarëve të Kosovës

Gani Qarri

  • 11 June 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Deputetët e degjeneruar e matrapazë të kësaj legjislature turpi, kanë shkuar deri në atë masë përçudnimi, sa jo vetëm ta degradojnë tërësisht legjislativin e shtetit, por të tallen edhe me popullin e Kosovës dhe ta përbuzin votën e qytetarëve, duke nënçmuar e përdhosur, në mënyrën më të ulët edhe jetesën e tyre të rëndë në këtë kohë krize ekonomike e politike dhe kërcënuar me vetëdije të plotë edhe mbarëvajtjen e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës me lojërat e tyre meskine politike, tash e 4 muaj, nga zgjedhjet e 9 shkurtit, për të bllokuar qëllimisht konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve valide të Kosovës!

 

 

-Deputetë të kontaminuar politik të opozitës së kalbur përbrenda, të cilët kanë degraduar tërësisht edhe Kuvendin e Kosovës duke bllokuar konstituimin e tij për 29 herë me radhë, me qëllim smirëzi që me bllokadën e organizuar në Kuvend, ta bllokojnë edhe liferimin e 880 milion eurove ndihma dhe grante të BE-së për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe mbarëvajtjen ekonomike të shtetit të Kosovës, të cilët sikur mos të mjaftonte mosvotimi i organizuar i tyre, 46 deri 50 prej deputetëve që nuk kanë kontribuar me asgjë, madje për 4 muaj rresht po e mbajnë të bllokuar edhe konstituimin e Kuvendit dhe pengojnë formimin e qeverisë legjitime, për vetëm 5 minuta prezencë në Kuvend, pa asnjë nevojë, kanë angazhuar edhe asistent personal me paga nga 640-850 euro, për t’ua shaluar tamam "mirë dhe si duhet" Kuvendit dhe taksapaguesve të shtetit Kosovës dhe treguar publikisht e me fakte bindëse qytetarëve, se çfarë njerëzish kanë votuar për deputet.

Duke pasur parasysh faktin tragjik se tanimë po vjen edhe seanca e 30, me gjasë për të dështuar edhe kjo si 29 të mëparshmet, po shihet hapur se veçanërisht deputetë të padinjitetshëm të partive të inkriminuara opozitare, bashkë me të ashtuquajturën "listë serbe" dhe deputetët serbishtfolës-goran, po bëjnë publikisht "hajgare" edhe me popullin e Kosovës, duke sabotuar qëllimisht funksionimin demokratik të shtetit të Kosovës me bojkotin e Kuvendit, gjë që është vërtetë veprim i palejueshëm kundërkushtetues dhe akt fatzi antikombëtar, i cili ndoshta, përfundimisht do t’i vetëdijësojë qytetarët e Kosovës që partive dhe deputetëve bllokues, në zgjedhjet të cilat po na trokasin në derë dhe ato të mëpastajme, kurrë më të mos ua besojnë votën e tyre!

Vet fakti se këta deputetë trutharë kanë bllokuar edhe 880 milion euro të BE-së dedikuar qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, flet më tepër se qartë për alarmin që me shumë të drejtë e ka ngritur edhe ministri i financave në detyrë, z. Hekuran Murati, me rastin e komentimit të situatës së krijuar perverse, mbi pamundësinë për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, shkaku i bllokadës konspirative 4 mujore të opozitës së inkriminuar e cila ka gjetur gjuhë të përbashkët me deputetët goran dhe të ashtuquajturën "listë serbe", për ta penguar edhe funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

Andaj, siç shprehet edhe ministri i financave, megjithëse konstituimi i Kuvendit do duhej të ishte një procedurë e rëndomtë, kjo fatkeqësisht po pamundësohet nga mos pjesëmarrja e sinkronizuar e opozitës, të ashtuquajturës “listë serbe” dhe deputetëve goran në votim, duke refuzuar ta kryejnë obligimin kushtetues dhe të votojnë që të konstituohet Kuvendi, derisa njëjtë si deputetët goran e ata të ashtuquajturrës "listë serbe", edhe deputetët e opozitës vijnë në parlament, por edhe pse janë votuar nga qytetarët shqiptar si përfaqësues të tyre, të japin votën për të mundësuar krijimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, ata vazhdojnë t’i bllokojnë ato me mosvotim të asnjë mënyre, të hapur as të fshehtë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".