Mulliqi: Kur prishet çatia e Kuvendit si institucion më i lartë i shtetit, rrezikohet edhe prishja e çatisë së Kosovës!

Mulliqi: Kur prishet çatia e Kuvendit si institucion më i lartë i shtetit, rrezikohet edhe prishja e çatisë së Kosovës!
Mulliqi: Kur prishet çatia e Kuvendit si institucion më i lartë i shtetit, rrezikohet edhe prishja e çatisë së Kosovës!

Skender Mulliqi

  • 11 June 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Se ajo çka po ndodhë në Kuvendin e Kosovës për mos formim të institucioneve të dala nga vota e lirë është bërë temë bajate, monotonike të flitet për të, por që është bërë tashmë shumë e rrezikshme për jetën politike dhe institucionale. Njerëzit më të drejtë i mbajnë shpresat gjallë se do të bëhet më mirë, por me këta njerëz të politikbërjes këto shpresa shumë janë zvetnuar.

 

-Është e trishtueshme të shohësh për muaj radhazi sallën e Kuvendit të Kosovës, me njerëz të cilët po shpërfaqin hapur lakmin absolute për pushtet. Kjo është lojë e hapur me shtetin, është lojë me demokracinë dhe lirinë e fituar me sakrifica të mëdha historike, dhe në luftën e fundit çlirimtare. Mendoj se situata e krijuar tashmë i tejkalon çdo deklaratë politike të kujdo qofshin, edhe të Hekuran Muratit i cili fajëson opozitën për mos formim të organeve të shtetit. Tashmë është krijuar një situatë shqetësuese.

Dukët se është bërë e qartë se populli nuk ka mundësi të lërë gjithçka në duar të këtyre njerëzve të politikës. Është duke u shpërfaqur hapur tendenca autokratike ku secili e paraqet vetën si personifikim të pushtetit. Ky duhet të jetë shkaku i rënies së tyre të pashmangshme. Këta janë politikanë të zakonshëm - të cilët nuk kanë njohuri të nevojshme për të kuptuar të gjitha segmentet e realitetit kompleks. Kjo është arsyeja pse ata domosdoshmërisht bien në gabime elementare politike. Këta po ngjajnë më shumë me sharlatanë sepse nuk kuptojnë të gjitha ato fusha të jetës dhe të punës. Çështja po përkeqësohet më tej kur dihet se zgjedhja e kryekuvedarit, shikuar realisht, është çështje teknike. Këta po tregohen se janë servilë dhe shakaxhinj, sepse njerëzit me integritet nuk do të bënin lojëra të tilla të ulëta me shtetin. Kjo është arsyeja pse në fund nuk ka diskutim parimor dhe as ide se gjendja e mosformimit të organeve në formë maratonike, është çështje serioze politike.

Të kundërshtosh urdhërat e udhëheqësve, rrezikon që dikush mund të bjerë nga ballkoni. Ata nuk po veprojnë në përputhje me realitetin, ligjet dhe kushtetutën, sepse nuk kanë një pasqyrë të gjendjes aktuale. Shpesh forca e një vendi identifikohet me efikasitetin me të cilin udhëheqjet e tij marrin vendime. Këta nuk janë në gjendje të marrin as vendimin më të vogël politik. Nuk është duke u kuptuar se mund të përfundojmë në anarki dhe kaos politik. Pak kush apo askush nuk mund të parashikojë se cili do të jetë përfundimi i këtij maskarallëku politik. Shteti udhëhiqet me institucione të forta dhe kredibile, të pavarura nga individë të caktuar, për këtë arsye është më konstant dhe i qëndrueshëm. Kur prishet çatia e Kuvendit si institucion më i lartë i shtetit, rrezikohet edhe prishja e çatisë së Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".