SHBA-të nuk janë thjesht një aleat ndërkombëtar, por një shtyllë kyçe e shtetformimit

SHBA-të nuk janë thjesht një aleat ndërkombëtar, por një shtyllë kyçe e shtetformimit
SHBA-të nuk janë thjesht një aleat ndërkombëtar, por një shtyllë kyçe e shtetformimit

Isuf Bajraktari

  • 26 June 2025 - 07:29

Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari

Në ditët e fundit, deklaratat e qarta dhe të palëkundura të udhëheqësve të Kosovës në mbështetje të qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara kanë nxitur debat në opinionin publik dhe mediatik. Disa e shohin këtë si shprehje të mirënjohjes historike dhe konsistencës strategjike, ndërsa të tjerë ngrejnë shqetësimin për pasojat që një pozicionim i tillë mund të ketë në arenën ndërkombëtare.

 

-Deklarata e fundit e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me sulmet ushtarake të SHBA-ve ndaj objekteve bërthamore të Iranit, ka ngjallur vëmendje të veçantë. Në një postim në Facebook, Kurti shkroi se “Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare”, duke e cilësuar SHBA-në si “aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikunspecial”. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se “siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin”, duke vënë në pah rrezikun e armëve të tilla kur zhvillohen nga shtete autoritare.

Për një shtet të vogël dhe ende në proces të konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar si Kosova, pozicionimi i hapur në çështje të ndjeshme globale kërkon kujdes të veçantë. Mbështetja ndaj një superfuqie si SHBA-ja, në kontekste që lidhen me veprime ushtarake apo kriza ndërkombëtare, mund të ketë implikime të mëdha jo vetëm për politikën e jashtme, por edhe për stabilitetin e brendshëm dhe raportet me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Megjithatë, është po aq e vërtetë se për Kosovën, SHBA-të nuk janë thjesht një aleat ndërkombëtar, por një shtyllë kyçe e shtetformimit dhe sigurisë së saj kombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".