Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap korrekt dhe i domosdoshëm

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap korrekt dhe i domosdoshëm
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap korrekt dhe i domosdoshëm

Qani Shabani

  • 28 June 2025 - 11:44

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap korrekt dhe i domosdoshëm për të garantuar funksionimin normal të institucioneve. Brenda një muaji, Kosova do të ketë një Kuvend funksional dhe organet përkatëse të konstituuara.”

Republika e Kosovës është në një moment kur asnjë deputet, asnjë subjekt politik dhe asnjë institucion nuk mund të fshihet pas heshtjes apo alibive. Në peshore është vënë jo vetëm fati i Kuvendit të Kosovës, por vetë legjitimiteti i të gjithë arkitekturës kushtetuese dhe i rendit demokratik.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26 qershor 2025, nr. KO95/24, që e shpalli të papërfunduar seancën e Kuvendit të mbajtur më 15 prill 2025, është një akt me peshë të jashtëzakonshme juridike dhe politike. Ky aktgjykim është një sinjal i prerë dhe i pakundërshtueshëm: Republika nuk mund të mbahet peng nga kalkulime partiake apo bllokada të qëllimshme. Kuvendi duhet të konstituohet brenda tridhjetë ditëve. Pa justifikime. Pa shtyrje. Pa manovra politike.

Është e vërtetë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 66 paragrafi 1, përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit prej një muaji nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kur ky afat kushtetues nuk respektohet, pason jo vetëm një krizë institucionale, por edhe një shkelje e qartë e Kushtetutës nga ana e të gjithë deputetëve të zgjedhur. Mungesa e konstituimit të Kuvendit brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve zgjedhore nënkupton që 120 deputetë, si bartës të mandatit përfaqësues, kanë dështuar të përmbushin detyrimin kushtetues që u është ngarkuar nga sovrani. Ky është një akt që cenon rëndë rendin kushtetues dhe bën përgjegjës kolektivisht të gjithë klasën politike për krizën që po zgjatet. Shkelja e afatit kushtetues nuk është vetëm çështje teknike apo procedurale, por përbën një cenim serioz të parimit të ligjshmërisë dhe të besimit publik në institucionet demokratike.

Hapësira e paqartë ka lejuar që subjektet politike të vonojnë qëllimisht zgjedhjen e Kryetarit dhe konstituimin e Kuvendit, duke përdorur mungesën e një mekanizmi sanksionues të menjëhershëm si alibi për bllokada dhe kalkulime partiake. Kjo sjellje, e cila cenon rëndë funksionimin e demokracisë dhe institucionet e shtetit, ka detyruar Gjykatën Kushtetuese që të ndërhyjë me një aktgjykim të qartë, duke vendosur një afat prej tridhjetë ditësh si një kufi ligjor të detyrueshëm, për të mbrojtur interesin publik dhe rendin kushtetues.

Afati prej tridhjetë ditësh që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese nuk është një datë e zakonshme, është një vijë ndarëse ndërmjet rendit kushtetues dhe kaosit institucional. Ky afat është i natyrës imperative dhe nuk mund të negociohet apo zgjatet me marrëveshje politike, sepse është garanci për vazhdimësinë kushtetuese dhe mbrojtjen e vullnetit të sovranit.

Por pse Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar për plot 35 herë radhazi? Kjo situatë nuk është thjesht produkt i procedurave të dështuara, por rrjedhojë e një bllokade të qëllimshme politike. Pas analizës së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohet qartë se procesi i konstituimit është detyrim kushtetues dhe jo çështje marrëveshjesh politike, rezulton se partitë politike kanë vendosur kalkulimet partiake mbi interesin shtetëror, duke e përdorur konstituimin e Kuvendit si instrument presioni ose si mjet për të marrë avantazhe politike në tavolinë. Ekziston një klimë e thellë mosbesimi dhe rivaliteti, ku secila palë llogarit se është më mirë ta mbajë peng Kuvendin sesa t’i japë kundërshtarit një fitore politike, edhe kur çmimi është paralizimi i shtetit. Për shumë deputetë, Kuvendi shihet jo si tempull i përfaqësimit popullor, por si një arenë lufte për pushtet, ku çdo votë kthehet në pazar politik. Mungesa e kulturës politike dhe e përgjegjësisë institucionale ka çuar në bojkotime, ndërprerje seancash dhe dështime të njëpasnjëshme për të siguruar shumicën e nevojshme për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Këto janë arsyet pse për 35 herë radhazi, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, duke u kthyer në simbol të bllokadës politike, ndërkohë që vendi rrezikon të zhytej në një krizë kushtetuese të thellë.

Konstituimi i Kuvendit nuk është një procedurë teknike, por është themel mbi të cilin ngrihet i gjithë sistemi demokratik dhe institucional i Republikës. Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit është kusht i pazëvendësueshëm për funksionimin e institucioneve, krijimin e Qeverisë, miratimin e ligjeve dhe mbrojtjen e interesit publik.

Nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati, pasoja është e qartë dhe Kushtetuta është e prerë: Presidenti i Republikës, në përputhje me Kushtetutën, është i detyruar ta shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Ligji për Zgjedhjet përcakton se zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.

Por më i rrezikshëm se vetë momenti i zgjedhjeve të reja është boshllëku institucional që krijohet nga përfundimi i afatit tridhjetëditor deri në konstituimin e Kuvendit të ri. Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi nuk ekziston si organ funksional, nuk mund të votohet një Qeveri e re, nuk mund të miratohen ligje, nuk mund të miratohet buxheti dhe nuk mund të ushtrohet kontroll parlamentar mbi Qeverinë aktuale. Ky është një vakuum institucional që rrezikon stabilitetin politik, sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve tek institucionet.

Në këtë moment historik, nuk ka vend për neutralitet. Ose je në anën e rendit kushtetues, ose je pjesë e krizës që e çon Kosovën drejt destabilitetit dhe humbjes së rendit demokratik. Sovrani – populli – është i vetmi që mund ta rikthejë legjitimitetin, por ky është skenari ekstrem që duhet shmangur me çdo kusht.

Kosova është në udhëkryq. Para saj qëndron zgjedhja mes konsolidimit kushtetues ose kolapsit institucional. Nuk ka më hapësirë për lojëra politike. Koha për vendime është tani. Dhe përgjegjësia është e secilit deputet që sot mban në duar fatin e Republikës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".