E zbulon analisti: Krimea dhe ‘Republika Srpska’ janë dëshmi se draft-statutet e Asociacionit do të ishin ‘kanceri’ i Kosovës

E zbulon analisti: Krimea dhe ‘Republika Srpska’ janë dëshmi se draft-statutet e Asociacionit do të ishin ‘kanceri’ i Kosovës
E zbulon analisti: Krimea dhe ‘Republika Srpska’ janë dëshmi se draft-statutet e Asociacionit do të ishin ‘kanceri’ i Kosovës

Idriz Zeqiraj

  • 01 July 2025 - 07:38

Shkruan: ANALISTI-idriz Zeqiraj

Në mandatin e parë të qeverisjes së presidentit Trump, qenë shtuar zërat për ndarjen e Kosovës. Argati i Serbisë dhe këshilltari i trefishtë – i Edvin Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit filloi përgatitjen e opinionit për ndarjen e Kosovës. Batoni fliste me porosi të Hashimit, në televizionin TV 7, te Leonard Kërçuku, ku shpalosi planin e ndarjes:

 

-Veriu i Kosovës t’i lihet Serbisë. Thotë "t’i lihet", sepse edhe Hashimi kështu ishte shprehur, madje më shumë se një herë;

Gjykata Speciale me seli në Hagë, të zhbëhet;

Të bëhet falja e krimeve reciproke, serbe dhe shqiptare;

Të bëhet pajtimi serbo-shqiptar.

Në të njëjtën kohë, trojka famëkeqe – Hashimi, Vuçiqi dhe Edvini – me hartën e Kosovës mbi tavolinë, i kërkuan Kancelares Angela Merkel aprovimin për ndarjen e Kosovës. Përgjigjja e saj ishte e rreptë dhe e prerë: "Lëvizja e kufijve në Ballkan është shpatë e rrëshqitshme!" Refuzimi i prerë prishi planin ogurzi të tyre.

Ndërkohë, një grup i madh intelektualësh nga bota akademike amerikane – mes tyre edhe miq të Presidentit Rugova, ish-senatorë e kongresmenë, demokratë dhe republikanë, përfshirë edhe lobues të kandidatit për president, Donald Trump – i dërguan një letër qortuese tashmë presidentit Trump:
"Ne, amerikanët e çliruam Kosovën. Pse duhet ta ndajmë tani, kur Serbia ishte pushtuese?!"

Presidenti Trump reflektoi dhe akuzoi shefin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton:
"Prapa shpinës sime keni dashtë me nda Kosovën," dhe e shkarkoi nga posti. Bolton reagoi ndaj Trump-it:
"Ndarja nuk është ide e imja, këtë ma kërkuan Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Edvin Rama!"
Për këtë tradhti të madhe, askush nuk i kërkoi llogari presidentit Hashim Thaçi.

Pas reagimeve të koordinuara të Merkel-it dhe Trump-it, ndarja e Kosovës u konsiderua si një ide e vdekur. Por Serbia, me Rusinë dhe aleatët e saj, nuk u dorëzua. Ajo e shantazhoi Hashimin me komandantët mëkatarë të tij dhe me dosjet e krimeve faktike, duke kërkuar legalizimin dhe ligjësimin e ndarjes së premtuar.

Gjermanët qenë të parët që sinjalizuan lëvizjet në ethe të Hashimit për ta përshpejtuar ndarjen e Kosovës. Eksponentët e partisë së tij, PDK-së – përkatësisht të PAN-it – ishin në gjendje të kriminalizuar dhe shpëtimin e prisnin nga Hashimi, i cili ishte bërë i plotfuqishëm, me kompetenca përtej mbretërore. Një takim me Putinin u përfol mjaftueshëm. Kupa u mbush – SHBA dhe BE u dakordësuan për ngritjen e akuzës penale për Hashimin me komandantët e tij.

Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, shpreh shqetësimin se Trump, me këshilltarin e tij Ric Grenell, “shihen si përkrahës të idesë së ndarjes.” Duke njohur personalitetin e profesor Serwer-it, analiza e tij është, vërtet, alarmuese. Këtë e përforcon edhe porosia e rishtare e Trump-it për të vazhduar dialogun me Serbinë.

Nisur nga fakti se presidenti Trump kërkon zgjidhje të shpejta – siç pamë edhe në rastin e Ukrainës, kur në takimin e parë i tha presidentit Zelensky:
"Nuk duhet të pretendoni kthimin në kufijtë e mëparshëm," – mund të kemi edhe në rastin e Kosovës një përgjigje të trishtme, qoftë edhe një zbutje të ndarjes, si një shkëmbim territori.

Vendimi i Dejtonit për themelimin e Asociacionit për 14 komunat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë prodhoi "Republika Serpska" atje. Edhe Krimea kishte pasur një farë autonomie. Rusia aktivizoi elementin rus atje, nxiti kundërshti ndaj regjimit në Ukrainë dhe e aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Andaj, Kosova, duke ia kujtuar këto dy makro-fakte tragjike dhe të përgjakshme SHBA-së dhe BE-së, duhet të refuzojë çfarëdo Asociacioni të komunave serbe që kalon kompetencat e Asociacionit aktual të komunave të Kosovës.

Pra, pavarësisht se çfarë është thënë e nënshkruar deri më tani në Bruksel, Ohër dhe gjetkë, në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, Krimea dhe “Republika Srpska” janë dëshmi faktike se të gjitha draft-statutet e Asociacionit të deritanishëm, të cilët kanë dështuar me meritë, do të ishin hiç më pak se "kanceri i Kosovës."

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".