Gjykata Kushtetuese ua la rrugën hapur partive që të vazhdojnë me avazin e deritanishëm

Gjykata Kushtetuese ua la rrugën hapur partive që të vazhdojnë me avazin e deritanishëm
Gjykata Kushtetuese ua la rrugën hapur partive që të vazhdojnë me avazin e deritanishëm

Gani Qarri

  • 02 July 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt, me gjithë përgjigjen jo pak të vonuar, Gjykata Kushtetuese nuk zgjidhi problemet politike, madje ajo ua la rrugën hapur partive politike që të vazhdojnë me avazin e deritanishëm, në pritje të dorëzimit të palës kundërshtare.
Madje, përkundër konsultimit „konstruktiv“ dhe kërkesës së Gjykatës Kushtetuese për bashkëpunim në mirëbesim, tanimë u pa qartë se përsëri nuk ka konsensus as veprime konstruktive të segmenteve politike, ani pse sa i përket kompromisit, LVV deklaron se ka lëvizur nga qëndrimi i deritanishëm, duke dalë edhe me propozime për zgjidhjen e ngërçit me konsensus dhe kompromis.

 

-Për aq më tepër, është shumë interesant se derisa të gjitha partitë janë të obliguara të kontribuojnë dhe mbajnë përgjegjësi ligjore për konstituimin e Kuvendit, fajësojnë Albin Kurtin për dështimin në konstituimin e Kuvendit, me arsyetimin e shpërndarjes së përgjegjësisë te "të gjithë", sepse ai si kryetar i LVV-së, ka mandatin dhe fuqinë politike për të udhëhequr procesin, duke ditur se procesi i takon të gjithëve dhe nuk është barrë vetëm e një personi apo partie të përveçme, ngase të ardhurat dhe mëditjet nga Kuvendi i marrin të gjithë deputetët.

Në fakt, ani se Kurti e pranon që mungon konsensusi, ai këmbëngul që të procedohet qoftë edhe një herë e vetme me votim të fshehtë, si kategori e lejueshme ligjore për kandidaturën e Albulena Haxhiut, dhe në rast dështimi me votim të fshehtë të tërhiqet kandidatura e saj, që nuk besoj se është kjo një taktikë për të provuar dështimin e opozitës apo mungesën e bashkëpunimit!

Se opsionet e Kurtit janë dy opsione paraprake kompromisi dhe jo vetëm përpjekje për të vendosur opozitën para fakteve të kryera apo për ta vendosur përgjegjësinë mbi ta në rast të dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se është e vërtetë që ka përgjegjësi për krijimin e Qeverisë së Kosovës, por thotë se për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përgjegjësia është e të gjithëve.

“Gjykata ka thënë se s’i zgjidh problemet politike. Ka përmendur bashkëpunim në mirëbesim, konsensus dhe kompromis. Ne e bëmë edhe konsultimin konstruktiv edhe bashkëpunimin në mirëbesim. U pa që konsensus s’ka. Sa i përket kompromisit, ne kemi lëvizur”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar dy opsionet që ka ofruar në këtë takim. I pari ka qenë që të procedohet me votimin e fshehtë, dhe nëse Haxhiu s’i merr 61 vota, ajo tërhiqet. “Kam ofruar dy opsione kompromisi. I pari është që në rast të votimit të fshehtë, nëse kandidatja Haxhiu s’i merr 61 vota, tërhiqet nga kandidatura.
E respektoj, edhe pse është vendim i saj personal. Në votim të fshehtë, ajo votohet vetëm një herë. Ne kemi lëvizur. Kjo s’duket që u ka bërë përshtypje”, ka thënë Kurti.
Ndërsa propozimi i dytë ka qenë që të kompletohet komisioni për votim të fshehtë, për t’u rrëzuar më pas, dhe për t’u pasur me marrëveshjen politike për votim në pako të kryetarit dhe nënkryetarëve.

“I dyti ishte që të bëjmë marrëveshje politike, lidhur me nenin 67, për marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët, dhe nëse s’duan votim të fshehtë, le të delegojnë përfaqësues në komision, dhe ta rrëzojmë me votë të përbashkët. Që më pas e pason marrëveshjen politike për votimin në pako, për kryetar e nënkryetar”, ka thënë Kurti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".