Deputetët e Kosovës i ka kapluar megalomania dhe inati

Deputetët e Kosovës i ka kapluar megalomania dhe inati
  • 06 July 2025 - 19:56

Nga Mehmet Halimi

Dinjiteti dhe serioziteti i një shteti varet nga dinjiteti dhe serioziteti i qytetarëve që e përbëjnë atë shtet.
Të nderuar deputetë, duke ruajtur dinjitetin e personalitetit tuaj, e nderoni dhe e lartësoni dinjitetin e shtetit të Kosovës. Populli ynë ju ka zgjedhur dhe ju ka dhënë besimin, por ju jeni duke e keqpërdorur këtë besim dhe e keni humbur besimin e popullit. Nuk po i përfaqësoni interesat e popullit, por po punoni për interesa personale, klanore, grupore dhe partiake, në dëm të qytetarëve të shtetit të Kosovës.

Ju ka kapluar megalomania dhe inati, të cilët janë bërë timonierë dhe kryeneç, ku "toka e fortë e qielli i lartë e keni mbetur si gomari në baltë" (fjalë të urta), duke përdorur fjalë pa nderë dhe pa vlerë. Ju po shtyheni me bërryla dhe ndërskamca, keni ngulur këmbë në qëllimet dhe synimet tuaja të ulëta për kolltuk dhe pushtet, e jo për shtet. Po e rëndoni njëri-tjetrin me shpifje dhe gënjeshtra. Disa gënjeshtra krijohen, ndërsa e vërteta ekziston; gënjeshtra qet tim, por e drejta qet flakë.

Ju lutemi, përpiquni ta formoni qeverinë e re me të gjitha institucionet e saj shtetërore, dhe leni inatet. Mos u shtyni me bërryla si fëmijët, sepse populli është lodhur dhe i irrituar me sjelljet tuaja jonjerëzore dhe joligjore. Ju duhet të jeni në shërbim të popullit, e jo populli në shërbim tuajin. Populli, në vend që të krenohet me ju, gjithnjë e më tepër po zhgënjehet në ju.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".