
Ky presion për një Asociacion me kompetenca është një cenim i rendit kushtetues


Qani Shabani
Shkruan: Analisti -Qani Shabani
Nëse Europa hesht për Kosovën, atëherë po hesht për vetveten. Sepse aty ku krijohen ndarje etnike me bekim ndërkombëtar, rreziku nuk ndalet në një kufi ai shpërndahet në gjithë kontinentin."
Nëse ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë–Serbi nuk heqin dorë nga ideja e një Asociacioni me kompetenca ekzekutive – respektivisht draft-statuti i propozuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe – atëherë ata shkelin në mënyrë substanciale Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë një strukturë paralele me pasoja të paqëndrueshme politike dhe juridike.
Ky presion për një Asociacion me kompetenca të propozuara nëdraft statuti nga ana e ndërmjetësueseve është një cenim i rendit kushtetues dhe i parimeve themelore të shtetësisë së Kosovës. Ai rikthen modelet e ndarjes etnike që vetë Bashkimi Evropian i ka refuzuar në kontekste të tjera. Në një rajon të brishtë si Ballkani, ky precedent mund të shpërhapet si efekt domino në Bosnje, Maqedoni të Veriut apo edhe më gjerë.
Retorika zyrtare evropiane për zgjerim është gjithnjë prezente, por Kosova, realisht, vazhdon të trajtohet si përjashtim. Ndërsa të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë hyrë në ciklin formal të integrimit, Kosova mbetet i vetmi shtet pa status kandidati. Aplikimi i saj, dorëzuar në dhjetor 2022, ende nuk ka kaluar nga Këshilli i BE-së te Komisioni Evropian – një stagnim që nuk është vetëm burokratik, por politik dhe Juridik.
Përballë këtij realiteti, Kosova duhet të ndryshojë urgjentisht strategjinë e saj ndërkombëtare. Duhet të paraqesë veten si pikë kyçe e sigurisë dhe stabilitetit demokratik në Evropën Juglindore.
Për këtë, është jetike që Prishtina të ndërtojë një bosht të fuqishëm me Uashingtonin dhe Brukselin, duke i forcuar lidhjet me aleatët strategjikë dhe duke e përdorur peshën e SHBA-së për të thyer ngërçin brenda BE-së. Në këtë përpjekje, roli i elitës shqiptare në Perëndim bëhet i domosdoshëm – akademikët, diplomatët, ekspertët dhe figurat publike me ndikim duhet të bëhen zë aktiv në qarqet vendimmarrëse evropiane.Një tjetër kusht i pazëvendësueshëm është uniteti i brendshëm. Pa konsensus institucional dhe pa qëndrueshmëri politike, Kosova nuk mund të projektojë besueshmëri. Nuk ka kryeqytet evropian që do të investojë politikisht në një vend me skenë të fragmentuar dhe të polarizuar.
Mosnjohja nga pesë shtete anëtare të BE-së është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është mungesa e vullnetit politik në Bruksel për ta trajtuar Kosovën si partner strategjik dhe jo si çështje të margjinalizuar. Ky përjashtim po bëhet sistemik. Dosja e Kosovës mbetet e ngrirë. Dialogu me Serbinë po shtyhet drejt zgjidhjeve të njëanshme. Në këtë kontekst, izolimi i Kosovës nuk është vetëm problem i saj – është cenim i interesave demokratike të vetë BE-së në rajon. Ballkani është sërish në rrezik të kthehet në një hapësirë për ndikime të huaja – ruse, kineze, turke – që minojnë rendin demokratik
Kosova nuk është vetëm e vonuar – ajo po përjashtohet me vetëdije nga proceset strategjike evropiane. Nëse nuk vepron tani, rrezikon të mbetet për një kohë të pacaktuar në statusin e "shtetit të vetëm pa status kandidati në Evropë", duke u shndërruar në vakuum institucional e diplomatik me pasoja rajonale.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".