
Lexoni edhe:
Situata aktuale është derivat i mendësisë politike prandaj vështirë të kemi ecje të ndershme
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Sikur janë bërë tepër të shpeshta tejkalimet e autorizimeve ligjore nga ana e policisë. Pas rastit në Klinë, ku tre policë e rrahën në mënyrë brutale një person të prangosur, i cili për fat të mirë nuk përfundoi me fatalitet, sikurse rasti i fundit në Lipjan që e ka tronditur opinionin vendor.
-Ngjarja tragjike e vdekjes së 27-vjeçarit nga Lipjani, e shkaktuar nga mbrojtësit e rendit dhe ligjit, nga mbrojtësit e jetës së qytetarëve, vërtet na ka tronditur të gjithëve, jo vetëm familjarët e viktimës!
Nëse vërtetohet se 27-vjeçari Agon Zejnullahu është keqtrajtuar deri në vdekje, atëherë ndodhemi përballë një rasti të “vrasjes shtetërore” që mund të minojë seriozisht besimin publik ndaj Policisë dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Hezitimi i organeve kompetente në dhënien e informacioneve të plota për rastin vetëm sa e shton dyshimin e vrasjes së qëllimshme, apo nga “pakujdesia”, siç po e trajtojnë zyrtarët e lartë në Shërbimin Policor të Kosovës.
Është familja e të ndjerit ajo që ka deklaruar se posedon dëshmi vizuale dhe fizike për përdorim të tepruar të dhunës nga ana e policëve!
Deklarata e Alban Zejnullahut, vëllait të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili vdiq pas arrestimit në Lipjan, është trishtuese, ngase ai tha se vëllai i tij kishte shenja dhune në fytyrë e në trup, sikur të kishte pasur rrahje masive!
Vëllai i viktimës e kundërshton versionin si “infarkt apo nga ndikimi i alkoolit…”, pasi ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë të papërgjegjshëm dhe të papërgatitur në aspektin profesional”.
Familja posedon edhe video ku vërehet qartë duke bërtitur në frymën e fundit, derisa policët e godasin në fytyrë dhe aty më nuk lëviz!
Kjo ngjarje shokuese kërkon transparencë të plotë dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar, e jo të kualifikohet vetëm si “vrasje nga pakujdesia” për të mbyllur hetimet!
E për më tepër se kaq, mohimi i forcës së tepruar dhe deklarimet e zyrtarëve policorë se viktima ishte “jo bashkëpunues” me policinë, tregon tendencën për fshehjen e të vërtetës dhe e dëshmon faktin e mungesës së profesionalizmit në radhët e Policisë!
Dhuna nuk është mjet për neutralizimin e një personi në gjendje të “dehur” apo me të “meta psikike”, sipas versionit të Policisë! Nëse nuk kanë qenë në gjendje pesë policë ta neutralizojnë një person të paarmatosur, është dashur të thërrasin përforcime shtesë, e jo të përdorin dhunë fizike deri në privim nga jeta!
Gabimi ligjor në këtë rast e lë të hapur mundësinë e “gabimeve” të tjera që do të kushtojnë me jetë të tjera të qytetarëve të vendit.
Do të ishte tepër e dëmshme për vendin dhe për imazhin e Policisë së Kosovës mosndëshkimi i pesë policëve të përfshirë në këtë rast tragjik.
Nuk mund të arsyetohet me asgjë dhuna ndaj të riut 27-vjeçar nga ana e Policisë së Kosovës, i cili vdes gjatë ndërhyrjes për arrestim në duart e policëve!
Fakti pse nuk janë dhënë ende detaje transparente nga institucionet përkatëse, edhe përkundër pretendimeve për dhunë fizike të dokumentuara me video, e lë të hapur mundësinë e manipulimit të këtij rasti me qëllim të mbulimit të tejkalimeve ligjore gjatë ndërhyrjes së Policëve të Kosovës.
Policia e Kosovës, nga institucioni më kredibil në vend, sot ka rënë në nivelin e mosbesueshmërisë qytetare, duke e ulur kështu në masë të madhe imazhin e shtetit dhe të sistemit të drejtësisë në veçanti.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".