
Lexoni edhe:
E thotë analisti: Nëse një qytetar është prangosur çdo përdorim force pas këtij momenti përbën shkelje të drejtave themelore të njeriut
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Rasti i ndjeshëm dhe tragjik i ndarjes nga jeta të qytetarit Agon Zejnullahu në rrethana ende të paqarta pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, ka tronditur me të drejtë opinionin publik. Reagimet janë të fuqishme, emocionet të larta, dhe pyetjet të shumta. Në momente të tilla, nevojitet më shumë se kurrë qetësi, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi, jo gjykime të nxituara në rrjetet sociale apo heshtje institucionale.
E thotë analisti: Nëse një qytetar është prangosur çdo përdorim force pas këtij momenti përbën shkelje të drejtave themelore të njeriutLexoni edhe:
-Familjes Zejnullahu i shprehim ngushëllimet më të sinqerta. Humbja e një të riu në rrethana të tilla kërkon ndjeshmëri maksimale nga institucionet dhe media. Fjalët duhen peshuar me maturi dhe përgjegjësi. Kjo nuk është vetëm tragjedi familjare, por një provë e madhe për shtetin e së drejtës në Kosovë.
Pamjet e publikuara dhe deklarimet e familjarëve nxisin pyetje të mëdha: A është tejkaluar forca policore? A ka pasur dhunë disproporcionale? A është reagimi zyrtar i mjaftueshëm dhe transparent?
Në këtë fazë, e vetmja rrugë e pranueshme është një proces hetimor i pavarur dhe profesional. Hetimet duhet të udhëhiqen nga Prokuroria dhe Inspektorati Policor, duke përfshirë ekspertizën mjeko-ligjore dhe analizën e pamjeve video. Vetëm përmes së vërtetës së bazuar në fakte, mund të arrihet drejtësia dhe të ruhen themelet e besimit qytetar.
Një vdekje në duart e autoriteteve kërkon transparencë maksimale. Por kjo nuk nënkupton gjykim publik përpara hetimeve, as paragjykim të policëve pa prova përfundimtare. Shteti duhet të demonstrojë se nuk mbron askënd nëse ka shkelje, por as nuk lejon linçime mediatike pa verifikim institucional.
Nëse vërtetohet keqpërdorimi i forcës, atëherë do të përballemi me një çështje serioze që rrezikon besimin ndaj Policisë së Kosovës. Dhe ky do të jetë një alarm për reforma urgjente në trajnimin, përzgjedhjen dhe edukimin profesional të forcave të rendit.
Megjithatë, nuk duhet harruar se Policia e Kosovës është institucion kyç i rendit dhe sigurisë, me kontribute të mëdha për vendin. Përgjegjësia e individëve nuk duhet të hedhë hije mbi gjithë institucionin. Reforma po, përgjegjësi po – por pa përgjithësime dhe pa zbehur integritetin e forcave që shërbejnë ndershmërisht.
Sot, më shumë se kurrë, na duhet drejtësi me dinjitet. Jo drejtësi në rrjete sociale, por drejtësi në sallat e gjykatave. Jo opinion me emocione, por me fakte. Jo heshtje institucionale, por komunikim i qartë dhe me integritet.
Kosova duhet të dëshmojë se është Republikë me shtet të së drejtës. E vërteta për Agon Zejnullahun duhet të dalë në dritë. Familja ka të drejtë për përgjigje. Qytetarët kanë të drejtë për siguri dhe barazi para ligjit. Dhe zyrtarët nga ministrat deri te zyrtari më i thjeshtë kanë detyrim moral dhe ligjor për të qenë në shërbim të së vërtetës.
Kjo është ajo që i detyrohemi jo vetëm Agonit dhe familjes së tij, por vetë ardhmërisë sonë si shtet demokratik.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".