
Kosova shtet i ri, demokratik dhe unik në rrugëtimin Euroatlantik


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm në hartën politike ndërkombëtare, një shtet i ri, demokratik dhe sovran, i themeluar mbi parimet e lirisë, barazisë dhe drejtësisë. Por më shumë se kaq, Kosova është një shtet unik, siç e përkufizon edhe Kushtetuta e saj. Kjo nuk është një formulë teknike, është vetë thelbi i modelit të ndërtimit institucional të Republikës së Kosovës.
Nuk jemi shtet unitar në kuptimin klasik, por një shtet që pasqyron demokraci konsociacionale, një sistem që merr parasysh realitetin tonë multietnik dhe ndërtimin institucional mbi baza të konsensusit, bashkëpunimit dhe përfaqësimit. Kjo do të thotë se, për aq kohë sa ekzistojnë mekanizma për të rregulluar ndarjet dhe dallimet, kohezioni i plotë shoqëror nuk është parakusht për demokracinë, por mund të ndërtohet përmes saj.
Përfaqësimi i minoriteteve me 20 ulëse të rezervuara në Kuvend është pjesë e këtij modeli, jo si privilegj, por si mekanizëm për garantimin e barazisë reale. Kjo asimetri funksionale forcon unitetin institucional të shtetit, jo e minon atë. E njëjta logjikë vlen edhe për sistemin tonë zgjedhor, ku partitë shumicë përballen me një prag 5%, ndërsa për partitë e komuniteteve jo, shumicë ky prag nuk ekziston një rregull i drejtë që reflekton realitetin e përbërjes sonë shoqërore.
Por, ky model kërkon lidership me përgjegjësi. Në vend të ironizimeve dhe sjelljeve të padenja për institucionin më të lartë legjislativ të vendit, deputetët duhet të dëshmojnë pjekuri dhe përkushtim. Bllokadat dhe bojkoti nuk janë shprehje e demokracisë, janë dështim i saj.
Kuvendi është vendi ku deputetët nuk duhet të kërkojnë të verifikojnë vetveten, por të përfaqësojnë qytetarët me integritet. Kryesuesi i seancës nuk është aty për të lejuar improvizime, por për të mbrojtur rendin e punës dhe ligjshmërinë. Çdo sjellje tjetër cenon imazhin e institucioneve tona në sytë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Rrugëtimi ynë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO kërkon që Kosova të funksionojë si shtet i përgjegjshëm, me institucione që ndërtohen mbi konsensus, jo konflikt; mbi përfaqësim real, jo mbi bllokim të qëllimshëm.
E përfundoj me fjalët e Abraham Lincolnit:
“Vota është më e fortë se plumbi. Me plumb mund ta vrasësh armikun. Me votë mund ta vrasësh të ardhmen e fëmijëve tuaj.”
Ne nuk kemi më kohë për të shkatërruar, kemi vetëm kohë për të ndërtuar. Dhe për ta bërë këtë, duhet ta trajtojmë Kosovën si shtet që është: unik, demokratik dhe euroatlantik.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".