
Heshtja që kushton: Lista 'Guxo', ngërçi institucional dhe thirrja për reflektim kombëtar


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Kosova po përballet me një nga momentet më sfiduese që nga shpallja e pavarësisë, një krizë e thellë politike e institucionale, rënie e besimit qytetar në përfaqësuesit politikë dhe një izolim diplomatik që sa vjen e thellohet. Në këtë atmosferë të rënduar, vihet re një heshtje e pajustifikueshme nga faktorë që dikur kanë pasur peshë politike dhe bagazh institucional të konsiderueshëm. Në radhë të parë, vëmendja bie mbi Listën “Guxo”, një formacion që dikur u promovua si zë reformues dhe ndërmjetësues i spektrit të djathtë me të majtën në qeveri, por që sot duket se ka zgjedhur të heshtë, kur vendi ka më së shumti nevojë për zë dhe qëndrim.
Lista “Guxo”, e dalë nga gjiri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, trashëgon një bagazh të rëndësishëm politik dhe moral. Duke qenë pjesë e një partie që ka mbajtur mbi supe procesin e shtetformimit dhe udhëheqjes institucionale në periudha kyçe të historisë së re të Kosovës, heshtja e saj e sotme ndaj ngërçit të thellë institucional është jo vetëm e çuditshme, por e dëmshme.
E kuptueshme është që çdo subjekt ka të drejtën e vet për të zgjedhur aleancat politike dhe për t’u rreshtuar ideologjikisht. Nuk ka asnjë mëkat në përcaktimin politik, por ka shumë përgjegjësi në momentin kur heshtja kthehet në pengesë për ndërtimin e institucioneve dhe dialogun demokratik. Është pikërisht kjo heshtje e Listës “Guxo” që po e mban Kosovën peng të krizës dhe po ia vështirëson rrugëtimin euroatlantik.
Nuk mund të justifikohet që dikush që sot thirret në “Rugovizëm”, të mos distancohet nga sjelljet bllokuese në Kuvend apo nga polarizimi institucional që po e përçan vendin. Lëvizja Vetëvendosje, pa liderin e saj karizmatik, vështirë se do të kishte fuqinë aktuale politike, por kjo nuk ia jep të drejtën asaj që të përvetësojë të gjithë spektrin politik e institucional dhe të heshtojë zërat e brendshëm që mendojnë ndryshe.
Lista “Guxo” nuk duhet të bëhet peng i pushtetit. Ajo duhet të jetë faktor aktiv në tejkalimin e krizës dhe në ndërtimin e një bashkëpunimi të sinqertë me partitë tjera të spektrit të djathtë, përfshirë LDK-në. Faji për mungesën e institucioneve nuk mund të adresohet vetëm tek njëra palë, por kur dikush hesht në momentet vendimtare, përgjegjësia bie edhe mbi ta.
Kritikat e fundit të eksponentëve të kësaj liste ndaj LDK-së shtëpisë nga kanë dalë Janë të pakuptimta. LDK nuk i urren ata, por është e habitur dhe e zhgënjyer me sjelljen e tyre. Me ofendime nuk ndërtohet identiteti i ri politik, sidomos kur brenda strukturës së Listës “Guxo” vazhdojnë të jenë figura me orientim thelbësisht konservator e të djathtë.
Nëse Lista “Guxo” vazhdon të heshtë, në vend që të luajë rolin e urës mes palëve, atëherë përgjegjësia për krizën bie edhe mbi ta. Heshtja nuk është neutralitet është zgjedhje.
Në këtë sfond të tensionuar, nuk mund të injorohet as roli i disa individëve me të kaluar në lëvizjen ilegale apo UÇK, të cilët sot janë pjesë e skenës politike por po rrinë anash dhe nuk kontribuojnë për zgjidhje. Heshtja e tyre është po aq e rëndë sa e kujtdo tjetër që ka ndikim publik dhe institucional.
Përballë kësaj errësire të brendshme, nevojitet urgjentisht ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar. Kosova nuk mund të përballet e vetme me këtë krizë. Prandaj, drejtojmë një thirrje të hapur për partnerët tanë ndërkombëtarë; SHBA, BE, Britani, Gjermani, Francë, Itali dhe të tjerë, që të mos e lënë Kosovën në këtë moment të vështirë. Kërkohet ndihma e tyre për: Zhbllokimin e jetës politike dhe institucionale;
Kthimin e besimit në proceset demokratike,Konsolidimin e shtetit të së drejtës, Parandalimin e thellimit të izolimit ndërkombëtar.
Kosova është projekt euroatlantik, dhe si e tillë, kërkon përkujdesje të vazhdueshme nga arkitektët e saj. Mos e lini që errësira e momentit të përpijë vizionin e dritës që e udhëhoqi Kosovën drejt pavarësisë. Kjo është një thirrje për ndihmë, për reflektim, për veprim.
Kosova nuk ka nevojë për heshtje. Ka nevojë për përgjegjësi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"