
Kur arsyes i mbyllet derë në kuvend: filozofia e kohës së re përballë bllokadës politike në Kosovë


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Më 9 shkurt 2025, qytetarët e Kosovës votuan për një përfaqësim të ri politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, pesë muaj më vonë, më 21 korrik 2025, kur u mbajt mbledhja e 50-të e kësaj legjislature, nuk u arrit as të zgjidhet një komision për zgjedhjen e Kryetarit apo Kryetares së Kuvendit.
Në vend të një momenti institucional jubilar, po përjetojmë një krizë funksionale të demokracisë parlamentare, e cila e ka bllokuar sistemin politik të vendit. Për më tepër, ky bllokim po ndodh në një vend me demokraci të brishtë, me institucione ende në konsolidim dhe me një fqinjësi gjeopolitike të mirëorganizuar kundër vetë qenies sonë shtetërore.
Në këtë situatë, nuk është e tepërt të kthehemi te mësimet e filozofisë së Kohës së Re, aty ku mendimtarët e mëdhenj si Descartes, Bacon, Spinoza e të tjerë rikthyen arsyen si parim themelor për ndërtimin e rendit politik, moral dhe njohës.
Kur racionaliteti dhe përvoja mungojnë në qeverisje
Filozofia e re evropiane, që nga shekulli XVII, u ndërtua mbi dy parime themelore: racionalizmin dhe empirizmin. Racionalistët e konsideronin arsyen si mjetin më të sigurt për të kuptuar botën dhe ndërtuar sisteme të qëndrueshme, ndërsa empiristët besonin në përvojën, vëzhgimin dhe provën si themel të çdo të vërtete.
Në Kosovë sot, as arsyeja, as përvoja nuk janë udhëheqëse të veprimeve politike.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend me 48 deputetë dhe një përvojë katërvjeçare në qeverisje, në vend që të paraqesë zgjidhje, ka zgjedhur heshtjen strategjike. Ata i referohen vazhdimisht fitores në zgjedhje, por pa legjitimitet absolut për të qeverisur të vetëm, e as vullnet politik për të ndërtuar bashkëqeverisje.
E ndërsa qeveria e kaluar ende ushtron detyra të përditshme në detyrë, mungon vullneti politik për tranzicion demokratik dhe institucional të pushtetit, i cili është thelbësor për çdo sistem parlamentar funksional. Më shqetësuese është fakti se mungesa e vullnetit nuk po shoqërohet as me diplomaci, as me kulturë demokratike për të zgjidhur krizën.
Kjo heshtje dhe bllokadë sistematike, sipas Gjykatës Kushtetuese, ka afat deri më 26 korrik 2025. Pas kësaj date, askush nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë. As qytetarët, as partitë, as vetë Kuvendi. Ky është momenti më i rrezikshëm i një shteti të ri: pa vizion, pa zgjidhje, pa përgjegjësi.
Në vend të arsyes – heshtja e qëllimshme politike
Në filozofinë e Kohës së Re, njeriu konsiderohej subjekt racional, që ndërton të ardhmen mbi dije, përvojë dhe vullnet të lirë. Çdo përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike, për të shtyrë vendimmarrjen, për të bllokuar zgjidhjet, nuk është tjetër veçse mohim i kësaj filozofie dhe i vetë demokracisë.
Partitë politike – në veçanti ato që pretendojnë të udhëheqin – nuk mund të sillen si vëzhguese të rrjedhave, por duhet të jenë protagoniste të zgjidhjes. Mungesa e një marrëveshjeje për Kryetarin e Kuvendit është simbol i mungesës së vullnetit për shtetndërtim.
Në vend të përfaqësimit – papërgjegjshmëri për legjitimitetin
Nëse ky Kuvend dështon në funksionin e tij bazik – të zgjedhë një Kryetar – atëherë humbet kredibilitetin për çdo vendim tjetër. Kuvendi nuk është një sallë retorike e përplasjeve ideologjike, por një mekanizëm funksional i shtetit, i cili duhet të përfaqësojë interesin qytetar, jo arrogancën e mandateve të paplota.
Kujt i shërben kjo bllokadë?
Kujt i intereson një Kosovë pa Kuvend funksional, pa qeveri të re, pa kontroll institucional, pa opozitë konstruktive dhe pa perspektivë të qartë?
Në përmbyllje: demokracia nuk është pronë partiake – por vlerë publike
Në këtë situatë, Kosova nuk ka luksin të sillet si një demokraci e konsoliduar që mund të lejojë vetes stagnimin. Me një ligjshmëri të brishtë, institucione ende në themelim dhe një fqinjësi shumë të strukturuar kundër vetë ekzistencës sonë, çdo bllokadë e brendshme është dhuratë për ata që nuk na duan stabilitetin.
Sot, në vitin 2025, kur popujt e tjerë projektojnë dekadat e ardhshme, Kosova nuk ka arritur ende të zgjedhë një udhëheqës të Kuvendit të saj. Kjo nuk është më vetëm dështim politik. Është dridhje filozofike e themeleve të mendimit racional mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e lirë.
Për të rikujtuar filozofët që na mësuan të mendojmë:
Atje ku arsyeja hesht, fillon rrëzimi. Dhe ku Kuvendi nuk flet, fillon zbrazëtia e shtetit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".