Paralajmëron analisti: Nëse nuk krijohet Kuvendi deri më 26 korrik, kemi shkelje të rëndë të Kushtetutës

Paralajmëron analisti: Nëse nuk krijohet Kuvendi deri më 26 korrik, kemi shkelje të rëndë të Kushtetutës
Paralajmëron analisti: Nëse nuk krijohet Kuvendi deri më 26 korrik, kemi shkelje të rëndë të Kushtetutës

Xhevat Meha

  • 24 July 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha

Deri më 26 korrik, datë të cilën e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese si afat kushtetues për krijimin e Kuvendit të Kosovës, nuk pres që të ketë ndonjë ndryshim dhe nuk pres të ketë krijim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është parë edhe më herët, e deri tani po u vërtetua edhe dje në konferencë me gazetarët nga Albini si prijës i Vetëvendosjes, partia më e madhe nga votimet e fundit.

 

-Nëse nuk krijohet Kuvendi deri më 26 korrik, kemi shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rendit kushtetues të Kosovës. Më 27 korrik, sipas gjykimit tim, kemi përmbysje të rendit kushtetues. Rendi kushtetues i Kosovës duhet të rikthehet, dhe rikthimi duhet të bëhet nga mekanizmi për rikthim që kemi, e që ky mekanizëm është Presidenca. Presidenca ka detyrë dhe përgjegjësi të sigurojë funksionimin e institucioneve. Në rastin e tanishëm, Presidentja ka detyrë dhe përgjegjësi të rikthejë në funksion procesin e krijimit të Kuvendit të Kosovës dhe të sigurojë krijimin dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës.

Nuk shoh kurrfarë arsyeje që Presidentja të kërkojë sqarime nga Gjykata Kushtetuese se çfarë duhet të veprojë më 27 korrik. Nuk është punë e Gjykatës Kushtetuese se çfarë duhet të veprojë Presidentja më 27 korrik. Presidentja duhet të zbatojë detyrimet dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat është zgjedhur. Presidentja duhet të përcaktohet se me çfarë masash duhet të sigurojë funksionimin e Kuvendit. Nuk ka përshkrim, përkufizim a kufizim se çfarë masash duhet të ndërmerren. Presidentja ka detyrë dhe përgjegjësi të vendosë vetë për masat e nevojshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".