Kosova një shtet që nuk po arrin t’i japë qytetarit një Kuvend funksional dhe një qeveri të re

Kosova një shtet që nuk po arrin t’i japë qytetarit një Kuvend funksional dhe një qeveri të re
Kosova një shtet që nuk po arrin t’i japë qytetarit një Kuvend funksional dhe një qeveri të re

Isuf Bajraktari

  • 25 July 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari

Deklarata e Carl Bildt-it për bllokadën politike në Kosovë është më shumë sesa një koment. Ajo është një pasqyrë reflektuese e asaj që bota sheh dhe e asaj që një pjesë e klasës politike vendore nuk dëshiron ta pranojë. Në një kohë kur gjysma e botës është në alarm për mbrojtjen e institucioneve dhe rendit kushtetues, Kosova po jep shembullin e kundërt: Një shtet që nuk po arrin të ngrihet mbi interesat e ngushta dhe t’i japë qytetarit një Kuvend funksional dhe një qeveri të re.




-Çdo ditë pa institucione efektive e dëmton jo vetëm funksionimin e brendshëm të shtetit, por rrënon ngadalë besimin ndërkombëtar ndaj kapaciteteve tona shtetformuese. Bllokada aktuale nuk është vetëm pengesë për procese të brendshme ligjvënëse, por krijon perceptimin se Kosova nuk është e gatshme të marrë përgjegjësi institucionale. Kredibiliteti ndërkombëtar nuk ndërtohet me deklarata politike, por me qëndrueshmëri institucionale. Mungesa e një qeverie funksionale dobëson qëndrimin tonë në tryezat ndërkombëtare, minon dialogun me partnerët strategjikë dhe forcon narrativat e atyre që prej vitesh e mohojnë shtetësinë e Kosovës.

Kjo krizë nuk buron nga mungesa e legjitimitetit zgjedhor, por nga mungesa e gatishmërisë për të vendosur interesin e shtetit mbi kalkulimet politike. Është një krizë morali institucional, ku asnjë palë nuk pranon të lëshojë as edhe një hap drejt kompromisit. Për të dalë nga kjo gjendje, duhen tre elementë thelbësorë:
Vullnet politik për marrëveshje përbashkuese, pa triumfalizëm partiak;
Garanci për stabilitet qeverisës, që nuk mbështetet mbi formula të përkohshme;
Përfshirje e drejtpërdrejtë e presidentes dhe mekanizmave kushtetues, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme.

Zgjidhja nuk duhet të vijë përmes presionit të rrugës, por nga përgjegjësia që mbajnë deputetët dhe liderët për të mos e kthyer vendin në një krizë permanente.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".