
Kur i fiton zgjedhjet, e fiton barrën, jo komoditetin


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Kur i fiton zgjedhjet, nuk ke fituar pushim, ke fituar barrën. Nuk je më spektator, por udhëheqës. Nuk të lejohet as heshtja, as mënjanimi, sepse populli nuk të ka votuar për të bërë rolin e të lënduarit politik. Tani je në krye dhe të gjitha sytë janë tek ti brenda e jashtë vendit. Sot Kosova po kalon në një bllokadë të rëndë institucionale: Kuvendi nuk konstituohet, Qeveria nuk formohet. Për këtë situatë, përgjegjësia themelore bie mbi partinë fituese. Sepse fitorja politike sjell me vete detyrimin për të ndërtuar, jo për të qëndruar anash.
Të jesh fitues dhe të mos flasësh me askënd nuk është strategji është dështim.
Në një demokraci të vërtetë, edhe më i vogli është i madh, e i madhi bëhet i pafuqishëm kur nuk është i hapur. Politika është komunikim, bashkëpunim, urtësi, maturi. Nuk është arrogancë e heshtur, nuk është refuzim i tjetrit, nuk është kthim koke anash. Nëse nuk komunikon dot me ata që nuk të pëlqejnë, si do të qeverisësh një shtet kaq të larmishëm, kompleks dhe të brishtë si Kosova? Fituesi që nuk di të bashkëpunojë është si shoferi që ka patentë, por nuk njeh rrugët. Në politikë nuk mjafton të jesh i zgjedhur. Duhet të jesh i përgjegjshëm, i qasshëm, i mençur. Duhet të dish të krijosh ura, jo të ndërtosh mure me inat dhe heshtje.
Mosfunksionimi i institucioneve nuk është më thjesht një krizë procedurale. Është një krizë e thellë politike, e legjitimitetit dhe e maturisë shtetformuese. Në një vend normal, partia që fiton mban përgjegjësi. Në Kosovë, ajo që fiton mban heshtje.
Kur ish-zyrtari amerikan Christopher Hyland deklaron publikisht se Kuvendi dhe Qeveria “do të formohen”, kjo është më shumë se një shpresë. Është një formë presioni diplomatik. Një sinjal i qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ndërkombëtarë nuk janë të gatshëm të mbështesin pafundësisht një lidership që nuk e kupton rolin e vet në një demokraci të brishtë. SHBA-ja dhe BE-ja janë partnerë të Kosovës, por nuk janë përgjegjës për krizën tonë të brendshme. Ne jemi. Dhe fituesi i zgjedhjeve e ka këtë përgjegjësi para të gjithëve.
Kjo krizë është gjithashtu pasojë direkte e një politike klienteliste që për vite ka ndërtuar rrjete interesash dhe privilegjesh, jo institucione. Këto grupe kanë përdorur pushtetin për punësime, favore dhe kontrata, ndërsa qytetarët janë lënë në mjerim ekonomik e social. Qeverisja është shndërruar në ndarje plaçke, jo në ndërtim të shtetit. Dhe tani, kur është koha për përgjegjësi, këta aktorë politikë fshihen pas njëri-tjetrit dhe askush nuk merr guximin të udhëheqë. Nëse nuk ke guximin të takosh askënd, nëse nuk e sheh dot askënd në sy, diçka nuk është në rregull me fitoren tënde. Lideri i vërtetë është ai që ulet edhe me kundërshtarët, që e sheh veten si shërbëtor të popullit, jo si sundues të tij, që i josh më të vegjlit me vizion, jo me përbuzje. Nëse partia fituese nuk e krijon Kuvendin dhe Qeverinë, ajo nuk është më fituese, por penguese. Populli nuk ka votuar për të parë spektakël të turpshëm e bllokadë pafund. Ka votuar për rend, ligj, zhvillim dhe afrim me Bashkimin Evropian. Nëse nuk ka zgjidhje, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë e vetmja rrugë për ta kthyer besimin dhe për ta larguar nga skena politike atë që nuk meriton të jetë aty. Qytetarët janë lodhur. Pas luftës pritej zhvillim, jo degradim. U deshën vite për ta ndërtuar këtë shtet mos lejoni që të shpërbëhet për faj të heshtjes suaj. Kosova është shumë më e madhe se një parti. Është shumë më e shtrenjtë se një fitore kalimtare. Dhe shumë më e vlefshme se çdo ego politike.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".