
Lexoni edhe:
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë paga për të krijuar ngërç
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Moskonstituimi i Kuvendit dhe gjendja e krijuar kaotike, pas më tepër se tre muajsh të kaluar dhe mbi 54 seancave të dështuara konstituive, është sabotim publik i deputetëve të papërgjegjshëm që ka për qëllim delegjitimimin e institucioneve demokratike dhe nxitjen e krizave spirale politike, si goditje që rrezikon drejtpërdrejt funksionimin normal të shtetit, dëmton imazhin e vendit tonë dhe minon kredibilitetin e Republikës së Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë paga për të krijuar ngërçLexoni edhe:
-Ndaj, kjo e bën të domosdoshme që pas kalimit të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese të shkohet urgjentisht në zgjedhje të reja, për ç’mandatimin zyrtar dhe divorcimin definitiv të Kuvendit nga deputetë të cilët krijuan një kaos të tillë të paparë politik, e nëse edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme nga qytetarët votohen përsëri po të njëjtit njerëz për deputet, atëherë edhe po u bllokua sërish konstituimi i Kuvendit, nuk do të jenë më fajtorë vetëm deputetët, por fajtorët kryesorë bëhen vetë votuesit e mashtruar të Kosovës, të cilët u japin besimin delinkuentëve të tillë për të (mos) "krijuar" legjislativin dhe përfaqësuar qytetarët kaq padinjitetshëm në Kuvend.
Mjerisht, me bllokimin e vazhdueshëm për (mos) konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, as për të 54-tërtën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës është bërë arenë e sabotimit të qëllimshëm politik dhe thjesht teatër konspirativ për mbajtjen pa asnjë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore të privilegjeve të deputetëve pa kurriz, andaj derisa deputetët e një legjislature habitore, si kjo e 9 shkurtit, që nuk ishin në gjendje ta konstituojnë Kuvendin dhe të hapin rrugën për krijimin e institucioneve të reja, as pas 54 tentativave të dështuara, për ata medoemos duhet të ketë ndëshkim ligjor dhe heqjen definitive të mandateve, për shkak të dështimit sistematik të tyre.
Për aq më tepër, sikur të mos mjaftonin aventurat mbi tremujore të deputetëve me Kuvendin, tani nga ata edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese po (keq)përdoret si alibi për ta zvarritur edhe më tej krizën ekzistuese, derisa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten padrejtësisht peng i një klase kaq të padinjitetshme dhe tërësisht të papërgjegjshme politike.
Aventura e deputetëve parazitë, të dëshmuar tanimë si keqpërdorues tipikë të taksave të qytetarëve dhe zhvatës antiligjorë të parasë publike, e kthyer në rutinë të turpshme dështimesh të njëpasnjëshme, u vërtetua edhe më 26.07.2025, kur deputetët e kësaj legjislature turpi, si rëndom, dështuan sërish edhe për herë të 54-të të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, duke vazhduar qëllimisht të tallen me votën e qytetarëve dhe nëpërkëmbin mirëqenien e tyre.
Kështu që, kryesuesi i seancës, z. Avni Dehari, e hodhi pothuajse kot në votim Komisionin për votim të fshehtë, pasi që ai sërish u bllokua, duke mos marrë pjesë fare në votim, ani pse kanë kaluar mbi pesë muaj nga votimet e 9 shkurtit 2025 pa institucione të reja të shtetit, duke mos marrë asnjëherë mbështetje për më tepër se 3 muaj dhe 54 seanca vazhduese për konstituimin e Kuvendit. Andaj, pasi që tanimë edhe zyrtarisht ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ndalon çfarëdo veprimi nga deputetët deri më datën 8 gusht, menjëherë pas kalimit të kësaj date duhet të shpallen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme dhe të çlirohet vendi nga deputetë të tillë puthadorë, të cilët për interesa personale, pa u brengosur fare, sabotuan jo vetëm krijimin e Kuvendit, por rrezikuan edhe stabilitetin politik dhe kërcënuan sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".