
Lexoni edhe:
Kushtetuta shkruan qartazi se zgjedhja e kryetarit mund të bëhet me votim të hapur, të fshehtë dhe në forma të tjera
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Pas dështimit të 54 tentativave për konstituimin e Kuvendit, duhej, gjithsesi, të pasonte ndonjë ndëshkim ligjor apo edhe masë ekstreme heqje mandati për dështim të përsëritur në vijimësi. Ecejaket e kuadrove PAN-istë dhe të tjerë, në relacionin Kosovë-Hagë, nuk janë thjesht përmallje e zuzarëve dhe e horrakëve të shpëlarë nga çfarëdo parimi dhe ideali kombëtar, sepse janë vënë në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve.
-Gjykata krijoi kushte e rrethana për rrjedhjen e konspiracionit dhe të porosive, deri në zbulimin e dëshmitarëve të koduar, të mbrojtur nga bandat e vrasjeve politike. Për këtë "u zunë me pelë për dore" Hashim Thaçi, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe disa zuzarë të tjerë, tashmë disa të dënuar, të tjerë janë në proces gjyqësor në Schvediningen të Holandës!
Ekziston dyshimi i bazuar se opozita humbëse, por e bashkuar dhe e instruktuar nga burgu i Hagës, për ta bllokuar zgjedhjen e institucioneve të Kuvendit, me synimin e qartë për të kompensuar humbjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij moti, reziston në stopimin e rrjedhës normale të Kuvendit të Kosovës. Kësaj bllokade i erdhi në ndihmë edhe letra demagogjike dhe gjithë hipokrizi e agjentit të trefishtë Hashim Thaçi.
Si një kor i çakorduar, i janë bashkuar opozitës destruktive edhe akuzuesi namkeq i postit të komisarit në Administratën amerikane, Richard Grenell, tashmë i dëshmuar agjent zyrtar i paguar i Beogradit, i cili urdhëroi rrëzimin e Qeverisë legjitime, Kurti-1, të koalicionit LVV-GUXO-Alternativa me LDK-në, madje në kohë pandemie, duke i sjellë një dëm të pariparueshëm Kosovës. Pasojat vazhdojnë t’i vuajë edhe sot populli ynë i shumëvuajtur.
Këtij kori i mbajnë ison kryeministri shqiptar, Edi Rama, mik "për kokë" i Serbisë dhe armik i dëshmuar i Kosovës, pranues i Ballkanit të hapur me shefe Serbinë; bërjen e Asociacionit njëanshëm nga Kosova, duke mos obliguar për asgjë Serbinë; "veriu i Kosovës është tokë e askujt"; e deri në kërkimin ngulmues të lirimit nga burgu të Hashimit me shokë, edhe pse populli i Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm, në përmasën 80%, kërkojnë drejtësinë e munguar për një çerek-shekulli me radhë! Kryeministri gjatosh flet në emër të Kosovës, pa pasur asnjë autorizim, asnjë të drejtë ligjore dhe morale.
Tashmë mungon një Ibrahim Rugovë, t’ia ndalë turrin anti-Kosovë, siç ua bëri sabotueseve të Luftës së Kosovës ish-presidenti social-komunist Rexhep Mejdani me shokë, duke i thënë troç: "Larg duart nga Kosova, sepse ajo i ka udhëheqësit e vetë." Eksponentët e subjekteve politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuar në PAN-in kriminal, çirren se "Qeveria e Kosovës i ka zbritur në zero marrëdhëniet me Shqipërinë e sotme" social-komuniste. Ndërkohë që është "pikërisht kjo Qeveri, e cila duke e parë miqësinë bizare të tandemit Rama-Vuçiq dhe koordinimin perfekt të tyre, e denoncoi dhe e diskreditoi para shqiptarëve vendorë dhe botërorë dëmin e madh që po ia bënte Kosovës kjo miqësi kundra-kombëtare, duke na kujtuar miqësinë e egër, tradhtare të Enver Hoxhës me jugosllavët."
Në demaskimin e këtij sharlatani kontribuuan kombëtarisht dhe profesionalisht intelektualët e shquar nga Shqipëria, si profesorët Enver Bytyçi, Shaban Murati (ndjesë pastë), Eshref Ymeri; ambasadorët Agim Nesho, Islam Lauka me shokë, për ta informuar popullin e Kosovës dhe shqiptarët e kudondodhur për rrezikshmërinë faktike të kryeministrit shqiptar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".