
Lexoni edhe:
Pas dështimit të 54 tentativave për konstituimin e Kuvendit duhej të pasonte ndonjë ndëshkim ligjor
Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka
Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe vendimmarrës në Republikë, fatkeqësisht në zhvillimet e fundit ka reflektuar më shumë si arenë sabotimi politik, sesa si një tempull funksional i demokracisë. Bllokimi sistematik i konstituimit të Kuvendit, ndërprerjet e njëpasnjëshme të seancave, bojkoti i koordinuar dhe refuzimi për të marrë përgjegjësi legjislative janë shenja të një krize të thellë politike dhe institucionale, që nuk buron nga vullneti i qytetarëve, por nga një kalkulim politik destruktiv i vetë elitës politike.
-Ky është një sabotim i qëllimshëm, që synon të delegjitimojë institucionet, të dobësojë autoritetin e shtetit dhe të prodhojë një terren të favorshëm për pazare të errëta politike, përtej interesit qytetar. Kjo situatë e përsëritur nuk është më një gabim procedural apo moment tranzicioni, por model i keqqeverisjes në fazën më të ndjeshme të shtetformimit të Kosovës.
Për më tepër, disa deputetë dhe grupe parlamentare e shfrytëzojnë këtë krizë jo vetëm për qëllime politike, por edhe për ruajtjen e privilegjeve personale paga të larta, përfitime të veçanta dhe mungesë totale të përgjegjësisë politike e morale. Kjo përforcon bindjen se në mungesë të etikës politike dhe përgjegjësisë publike, Kuvendi është shndërruar në teatër të interesave të ngushta dhe jo në përfaqësim të vullnetit popullor.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".