Këta deputetë kanë zhgënjyer qytetarët duke bllokuar tash e sa muaj konstituimin e Kuvendit

Këta deputetë kanë zhgënjyer qytetarët duke bllokuar tash e sa muaj konstituimin e Kuvendit
Këta deputetë kanë zhgënjyer qytetarët duke bllokuar tash e sa muaj konstituimin e Kuvendit

Gani Qarri

  • 06 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Deputetët pa unifikim e të dirigjuar, të cilët për më tepër se 5 muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë zhgënjyer aq shumë qytetarët duke bllokuar për më tepër se tre muaj me radhë konstituimin e Kuvendit, me sjelljet e tyre kanë bërë që asnjë njeri në Kosovë të mos dëshironte më që legjislativi i vendit të përbëhej përsëri nga deputetë të tillë të dështuar.

 

-Ndërsa përveç bllokadës mbi tremujore të Kuvendit, partitë opozitare u shndërruan në digë të patejkalueshme edhe kundër krijimit të institucioneve shtetërore, të cilat me inskenime e insinuata të vazhdueshme përpiqeshin që të ngrinin edhe tensionet politike në vend, dhe përpos që ndikuan shumë keq në opinionin vendor, ato po vazhdojnë t’i hedhin hije të keqe Kosovës dhe të krijojnë imazh mjaft negativ për vendin tonë edhe në rrafshin ndërkombëtar.

E sikur të mos mjaftonte fakti që deputetët pa unifikim të kësaj legjislature treguan botërisht se janë fare të papjekur dhe akoma të parritur për funksione me kaq shumë përgjegjësi, atyre në ndihmë për bllokimin e Kuvendit u erdhi edhe Gjykata Kushtetuese, e cila në vend se të jepte një përgjigje të qartë, nxori një vendim asnjanës, me të cilin, në vend të ndihmesës për dalje nga gjendja e krijuar, shkaktoi kaos të plotë dhe u bë palë për vazhdimin e ngërçit politik në vend.

Kështu që, gjendja e krijuar kaotike me bllokada të vazhdueshme politike në vend, ku çdo fjalë dhe vendim i Kushtetueses interpretohej sipas dëshirave dhe interesave të partive kundërshtare, Gjykata Kushtetuese nuk guxon më të mos dalë me një vendim të prerë dhe me qartësi të plotë kushtetuese, me të cilin do t’i obligonte partitë dhe deputetët që medoemos ta zbatojnë vendimin e saj për ndërprerjen e bllokadës institucionale, zgjidhjen e ngërçit dhe tejkalimin e gjendjes së krijuar kaotike, tash e mbi 5 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ndryshe, Kushtetuesja edhe në vendimin paraprak do duhej t’i kishte shpjeguar qartë obligimet kushtetuese të deputetëve, duke nxjerrë vendime të prera me akte detyruese ligjore dhe udhëzime konkrete se si duhej vepruar ata në rrethanat tipike, për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe menjanuar kaosin e krijuar, që po zgjat nga 15 qershori kur dhe u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit, por që edhe përkundër 54 seancave të mbajtura radhazi, deputetët e legjislaturës së nëntë tejkaluan edhe afatin 30-ditor, të cilin ua kishte caktuar në "mirëbesim" Gjykata Kushtetuese, pa arritur ta konstituonin Kuvendin e Kosovës.

Me bllokadat e papara që nga opozita u paravendosën në mënyrë sistematike me qëllim të moskonstituimit të Kuvendit, duke mos marrë pjesë as formalisht në votim, megjithëse deputetët e të gjitha partive, përfshirë edhe ata të opozitës, e kanë obligim kushtetues votimin dhe kontributin ligjor për krijimin e institucioneve shtetërore, e jo ta lënë vendin pa institucione dhe ta sjellin në gjendjen aktuale. Me veprimet e tilla, ata po çojnë ujë direkt në mullirin e Serbisë hegjemoniste, ndaj urgjentisht duhet ndryshuar situata e krijuar kaotike, e cila po e dëmton rëndë Kosovën!

Dhe më 8 gusht, më e pakta që mund dhe duhet të bëjë Gjykata Kushtetuese, do ishte nxjerrja e vendimit të prerë për shuarjen e mandateve të legjislaturës së 9-të, shkuarjen në zgjedhje të reja dhe ndalimin e rikandidimit të deputetëve aktualë, të cilët për më tepër se tre muaj me radhë qëllimisht bllokuan konstituimin e Kuvendit dhe penguan me këmbëngulje edhe krijimin e institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës.

Deputetë që me vetëdije e sollën vendin në këtë gjendje kaotike, duke kontestuar personin për pozitën simbolike të kryeparlamentarit dhe përdorur atë si pretekst për krizën mbi 5-mujore, gjë që dëshmon katërçipërisht se partitë aktuale janë më të interesuara për pushtet sesa për përfaqësim qytetar dhe mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës.

Fatkeqësisht edhe Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj asnjanës u shndërrua në palë dhe, me apo pa vetëdije, po luan arbitrin e përhershëm të krizave politike në vend, pikërisht për shkak të paaftësisë minimale të partive politike për marrëveshje institucionale.

Fakti se partitë opozitare në njërën anë nuk morën mbështetjen në përqindje të dëshiruar nga qytetarët, dhe në anën tjetër Qeveria Kurti ua ndali përfitimet e paligjshme dhe i kërcënon ato edhe me konfiskimin e pasurive të grumbulluara kundërligjshëm, tregon se partitë politike në Kosovë nuk treguan asnjë fije të vullnetit të mirë për ta konstituuar Kuvendin dhe për të hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja shtetërore.

Moment kur edhe Kushtetuesja, me vendimin e saj asnjanës dhe qëndrimet dualiste, qëllimisht u erdhi në ndihmë partive opozitare dhe u hapi rrugën deputetëve të opozitës për mospjesëmarrje të mëtejme në votim, duke mbajtur në fuqi status quo-n dhe moszgjidhjen e ngërçit politik, me vazhdimin e bojkotit përmes mosvotimit opozitar mbi tremujor në parlament.

Tani, pas 54 dështimesh, po shihet qartë se seancat parlamentare u kthyen në parada deputetësh, ndaj para gjendjes së krijuar, Kushtetuesja u detyrua ta ngrinte veprimtarinë e Kuvendit dhe nga 27 korriku ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi çdo lëvizje dhe seancë tjetër në Kuvend deri më 8 gusht, kur dhe pritet, e shpresohet, të pasojë vendimi më i ri i Kushtetueses, me udhëzime konkrete për daljen përfundimtare nga ngërçi i krijuar hisedarë të krijimit të së cilës, nuk do mend, se ishte edhe vetë Kushtetuesja.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".