
Ballkani Perëndimor nuk mund të lejojë më asnjë vatër të re konflikti


Zef Prenka
Nga Zef Prenka
Në një kohë kur bota përballet me kriza të shumëfishta – nga luftërat gjeopolitike deri te tensionet e brendshme shoqërore – Ballkani Perëndimor nuk mund të lejojë më asnjë vatër të re konflikti. E aq më pak përmes provokimeve ndëretnike që, në vend se të zgjidhin krizat e brendshme, i thellojnë ato.
Maqedonia e Veriut është një shtet me rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, një partnere euroatlantike, dhe një model (ende në ndërtim e sipër) i bashkëjetesës politike dhe etnike. Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve janë fryt i një procesi të gjatë kompromisesh, reformash dhe mirëkuptimi të ndërsjellë. Ato janë një miqësi e patjetërsueshme, e cila duhet ruajtur me maturi dhe përgjegjësi – jo cenuar nga retorika të rrezikshme apo veprime të pamenduara.
Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për të rihapur plagë ndëretnike apo për të stimuluar konflikte etnike me qëllime politike, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për të ardhmen e përbashkët. Historia na mëson se kur liderët politikë dështojnë në menaxhimin e brendshëm, shpesh përdorin “armikun e brendshëm” si alibi – por pasojat i paguajnë gjithmonë qytetarët.
Në këtë kontekst, duhet theksuar me shqetësim të veçantë se britmat nacional-shoviniste nëpër salla sportive, koncerte apo manifestime publike, janë shfaqje të qarta të përpjekjeve për destabilizim. Këto akte nuk burojnë nga populli, por nga ata që nuk e duan paqen, nga ata që janë të etur për tension, përçarje dhe, në raste ekstreme, edhe për gjakderdhje. Kjo nuk është rruga e qytetërimit evropian dhe nuk ka të ardhme në shekullin XXI.
Nuk përjashtohet as mundësia që forca të treta në rajon – përfshirë Serbinë – të kenë interesa destabilizuese në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Historia e ka dëshmuar se një Ballkan i paqëndrueshëm është terren i favorshëm për lojërat e mëdha gjeopolitike. Dhe kjo është arsyeja pse të gjithë aktorët rajonalë duhet të jenë vigjilentë dhe të refuzojnë me forcë çdo skenar të tillë.
Në këtë sfond, edhe Qeveria në detyrë në Kosovë – pavarësisht retorikës së saj të brendshme – ka përgjegjësi të madhe në ruajtjen e klimës së bashkëpunimit e paqes. Ajo duhet të reflektojë thellë dhe të jetë faktor i stabilitetit, jo i tensionit. Kosova nuk ka dhe nuk mund të ketë perspektivë tjetër jashtë fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit. Marrëdhëniet e mira me Maqedoninë e Veriut dhe me të gjithë fqinjët nuk janë luks politik – janë domosdoshmëri strategjike për paqe të qëndrueshme dhe për integrim të suksesshëm evropian.
Miqësia shqiptaro-maqedonase nuk është një marrëveshje politike e përkohshme, por një investim i thellë historik dhe njerëzor. Çdo përpjekje për ta cenuar këtë miqësi duhet parë si sulm ndaj paqes në Maqedoni, ndaj bashkëjetesës në Ballkan dhe ndaj të ardhmes evropiane të rajonit.
Të gjithë ata që nuk e duan qetësinë, do të mbeten gjithmonë në anën e gabuar të historisë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".