8 gushti është një pasqyrë e krizës së përgjegjësisë politike politike dhe e sfidës për të ndërtuar një rend institucional

8 gushti është një pasqyrë e krizës së përgjegjësisë politike politike dhe e sfidës për të ndërtuar një rend institucional
8 gushti është një pasqyrë e krizës së përgjegjësisë politike politike dhe e sfidës për të ndërtuar një rend institucional

Arsim Aziri

  • 07 August 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Data 8 gusht është shndërruar në një pikë pritjeje, jo vetëm për konstituimin formal të Kuvendit, por për matjen e gatishmërisë së forcave politike për të lejuar funksionimin e demokracisë në vend. Pritja ka hyrë në muajin e pestë, dhe bllokada nuk është më thjesht teknike apo procedurale është thellësisht politike dhe me pasoja strukturore për shtetin.

 

-Ajo që në kushte normale do të duhej të ishte një hap i shpejtë dhe procedural zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është shndërruar në arenë për matje forcash dhe pazare të fshehta. Një pozitë që ka më shumë peshë simbolike sesa ekzekutive, po përdoret si pretekst për të mbajtur peng një ndër institucionet themelore të shtetit. Mungesa e vullnetit për kompromis e ka shndërruar këtë proces në krizë të qëllimshme, ku palët politike po tregojnë se janë më të interesuara për pushtet sesa për funksionim të sistemit dhe përfaqësim qytetar.

Pas gjithë kësaj qëndron një kalkulim i ftohtë: kush kontrollon Kuvendin, ka ndikim edhe në emërimet kyçe, mbikëqyrjen e qeverisë dhe në rrjedhat e ardhshme të zhvillimeve politike. Pra, mospajtimi për një pozitë të parë si “formale” ka në të vërtetë pasoja konkrete për balancat e brendshme të pushtetit.

Në këtë atmosferë të bllokimit të qëllimshëm, Gjykata Kushtetuese është shndërruar në njëfarë arbitri të përhershëm të krizave politike. Në vend që partitë të ulen dhe të gjejnë marrëveshje institucionale minimale, ato e zhvendosin barrën te një organ juridik, i cili në fakt nuk është ndërtuar për të zëvendësuar kompromisin politik. Kjo tendencë e zhvendosjes së përgjegjësisë i rrezikon parimet e ndarjes së pushteteve dhe i jep Gjykatës një rol që i takon sistemit politik.

Përgjegjësia për këtë krizë është e shpërndarë, por jo e paidentifikueshme. Ajo që bie në sy është mungesa e ndjenjës së urgjencës për vendin, mungesa e përgjegjësisë ndaj qytetarëve, dhe përpjekja për të ruajtur kontrollin mbi institucione edhe në kurriz të mosfunksionimit të tyre. Demokracia funksionon kur institucionet funksionojnë. Kur bllokohen për interesa të ngushta, demokracia nuk është më sistem përfaqësimi, por lojë pushteti pa rregulla.

8 gushti është më shumë se një datë. Është një pasqyrë e krizës së përgjegjësisë politike dhe e sfidës për të ndërtuar një rend institucional që i nënshtrohet qytetarit, e jo interesave të ngushta të partive.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".