
Në një sistem demokratik, protesta është instrumenti i fundit i qytetarit të zhgënjyer.


Zef Prenka
Nga: Zef Prenka
Në një sistem demokratik, protesta nuk është as skandal e as panik – është instrumenti i fundit i qytetarit të zhgënjyer. Në Kosovë, ku premtimet janë shndërruar në zhgënjime dhe ku arroganca është ngritur në sistem komunikimi qeveritar, protesta është më shumë se një akt emocional. Ajo është një akt politik me peshë.
A është e frikshme për Albin Kurtin protesta?
Them se po, është – dhe duhet të jetë.
Jo-qeverisja dhe bllokimi institucional
Qeverisja aktuale e ka humbur busullën që nga dita kur retorika zëvendësoi veprimin. Në vend të reformave, qytetarët morën fjalime. Në vend të drejtësisë së premtuar, panë dështime të njëpasnjëshme në sistemin e drejtësisë, në përballjen me krimin dhe në ndërtimin e institucioneve të besueshme. Dialogu me Serbinë është kthyer në një teatër të zgjatur, pa epilog, ndërsa çdo krizë e brendshme justifikohet me faktorë të jashtëm.
Institucionet janë shpesh të paralizuara jo për mungesë kapaciteti, por për politikë të qëllimshme bllokuese që qeveria ushtron për të shmangur çdo llogaridhënie.
Në vend të një kryeministri që dëgjon popullin, kemi një figurë që përqesh kritikët, nënçmon opozitën dhe injoron zërin qytetar. Arroganca është bërë stil i të qeverisurit. Në vend të bashkëpunimit institucional dhe dialogut me palët e interesit publik, kemi një qeveri që sillet si e vetmja zëdhënëse e së vërtetës.
Në ekonomi, punësim, shëndetësi, arsim, drejtësi dhe politikë të jashtme – rezultatet janë minimale, për të mos thënë negative. Kur një qeveri dështon pothuaj në të gjitha fushat, ajo humb legjitimitetin moral për të vazhduar. Legjitimiteti elektoral është vetëm pika e nisjes – qeverisja duhet të provojë veten çdo ditë përmes rezultateve dhe besimit qytetar.
Në këtë kontekst, protesta është reagim i natyrshëm, jo vetëm ndaj mungesës së rezultateve, por edhe ndaj përçmimit që qytetarët ndjejnë kur qeveria i trajton si pengesë e jo si burim legjitimiteti. Është përgjigjja më e ndershme dhe e drejtë që mund të japë një shoqëri ndaj një pushteti që ka humbur busullën morale dhe politike.
Çdo kryeministër duhet të frikësohet jo nga populli, por nga mos-përmbushja e të drejtave të të gjithë qytetarëve – dhe jo vetëm të militantëve apo servilëve që e rrethojnë. Sepse në momentin kur një lider i kufizon vetes pushtetin vetëm brenda një rrethi të verbër besnikësh, ai jo vetëm që e humb legjitimitetin moral, por hap derën e dëmeve të pashmangshme për shtetin. Përjashtimi i qytetarëve kritikë, mosdëgjimi i shumicës së heshtur dhe ndëshkimi i atyre që mendojnë ndryshe – janë shenja të qarta të një udhëheqjeje që rrezikon ta shkatërrojë vetveten bashkë me shtetin që pretendon ta udhëheqë.
Protesta nuk është fundi i botës për një kryeministër. Por nëse Kurti nuk reflekton, mund të jetë fundi i besimit ndaj tij. Në vend të përqeshjes së protestuesve, ai duhet të dëgjojë arsyet pse qytetarët janë të zemëruar. Sepse vetëm një lider që dëgjon, mund të qeverisë me dinjitet. Në të kundërt, kjo protestë është vetëm kapitulli i parë i një ndryshimi të madh që po kërkohet me zë të lartë në horizont
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".