'Fakte alternative' ose arti i shndërrimit të gënjeshtrës në 'të vërtetë'

'Fakte alternative' ose arti i shndërrimit të gënjeshtrës në 'të vërtetë'
'Fakte alternative' ose arti i shndërrimit të gënjeshtrës në 'të vërtetë'

Gezim Mekuli

  • 11 August 2025 - 12:03

Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
 

Në botën e informacionit bashkëkohor, nuk ka rëndësi vetëm çfarë thuhet, por si thuhet. Shprehja "fakte alternative" është bërë simbol i epokës së post-vërtetës, ku realiteti filtrohet, shtrembërohet,. manipulohet ose riformulohet në mënyrë që të tingëllojë i besueshëm për publikun, edhe kur lajmi është krejtësisht i pavërtetë; pra rrenë.

Kjo shprehje u bë famëkeqe në janar 2017, kur Këshilltarja e Presidentit të atëhershëm të SHBA-ve, Kellyanne Conway, në një intervistë për 'Meet the Press', mbrojti deklaratat e rreme të sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, për numrin e pjesëmarrësve në inaugurimin e Donald Trump. Kur gazetari Chuck Todd e akuzoi Spicer për një "gënjeshtër të provueshme", Conway u përgjigj se ai kishte dhënë vetëm disa "fakte alternative". Todd nuk e la pa ja kthyer: "Shiko ti, faktet alternative nuk janë fakte. Janë gënjeshtra."

Nga faktet e vërteta tek fjalët e zbukuruara, të fasadizuara

Si funksionon ky marifet? Shumë thjesht: merret një ngjarje e vërtetë, hiqen disa detaje, shtohen disa nuanca dhe përzihen me një grusht shprehjesh që tingëllojnë neutrale ose analitike. Rezultati? Një version i ri i realitetit, i paketuar për të bindur, për të shmangur përgjegjësinë ose për të krijuar mjegull informuese, pra për të manipuluar me popullin.

Këtu më poshtë kam sjellë disa nga përbërësit kryesorë nga “fjalori” i fakteve alternative. Shprehjet më të zakonshme që i përdorin gazetarët që prodhojnë lajme të rreme janë:

• Duket sikur

• Me gjasë

• Kam ndjenjën se

• Jo

• Po

• Po, por

• Jo, por

• Ekzagjerim

• Ndoshta po, ndoshta jo

• Informacion alternativ

• Sugjeron

• Me shumë gjasa

• Duket

• Ndoshta

• Por seriozisht

• Në përgjithësi

• Nga ky këndvështrim

• Mund të jetë

• Duket

• Subjektive

• Siq duket

• Fakte shtesë

• Ndjenja e së vërtetës

• Kam ndjenjen se

• Hmm?

Këto shprehje janë "municione sekrete" për të mbështjellë një gënjeshtër mirë e mirë në petkun e së vërtetës. Nuk është pra një pohim i drejtpërdrejtë, por një një supozim i paketuar me kujdes.

Pse funksionon ky marifet në gazetari?

Publiku nuk ka kohë të verifikojë e t'a filtroj çdo detaj të lajmit.

Në një botë me ritëm të shpejtë lajmesh, një deklaratë e paketuar me shprehje të tilla mund të tingëllojë e arsyeshme, madje edhe e vërtetë, thjesht sepse është e shprehur me "siguri" dhe "kompetencë" të rreme.

Kështu, "faktet alternative" nuk janë thjesht një lojë fjalësh, ncuk, ato janë një strategji politike dhe mediatike për të formuar e për të ndikuar perceptimin publik. Pra të kontrolloj trurin. "Faktet alternative" janë poezia e gënjeshtrës, ku çdo rresht i ri nuk e ndreq të vërtetën, por e zëvendëson dhe e shtrembëron atë.

Të dashur lexues,

Nëse dëgjoni shpesh shprehjet: "duket sikur", “mund të jetë”, "ka mundësi se", "ndoshta" ose "me gjasë" nga goja e politikanëve dhe gazetarëve shqiptarë, kini kujdes: 90% mund të mos jeni duke dëgjuar fakte, por një version të realitetit që ka kaluar nëpër laboratorin e “fakteve alternative”; një vend ku gënjeshtra vishet me rroba të së vërtetës dhe del në publik si lajm i vërtetë.

Konsekuent deri në fund: e nëse në këto lajme është përfshirë edhe emri i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, atëherë 99% nuk je duke lexuar/dëgjuar fakte, por gënjeshtra të paketuara si lajme "të vërteta".

Vini re!

Nëse ndonjë analist, gazetar a gazetare, e shef vetën në këtë laborator të gënjeshtrës, unë s'mbaj përgjegjësi. Paçka kjo papërgjegjësi e imja vlenë edhe për Klan Kosova, Imsajderi, Nacionale dhe RTV Dukagjini.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".