Nëse partitë nuk i përmbahen thirrjes së BE-së për të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha

Nëse partitë nuk i përmbahen thirrjes së BE-së për të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha
Nëse partitë nuk i përmbahen thirrjes së BE-së për të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha

Florim Zeqa

  • 12 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Nëse partitë parlamentare nuk i përmbahen thirrjes së Bashkimit Evropian për arritjen e kompromisit për të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha dhe zinxhirore.

-Kundërshtimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i padrejtë, për aq sa është i padrejt vendimi i kësaj të fundit, i cili përveçse arbitrar është në kundërshtim me vendimin paraprak të saj të 26 qershorit, e cila i kishte dhënë të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimin e seancave në mënyrë të “paligjshme”!

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës i jep të drejtën e pakontestueshme partisë fituese, në këtë rast, LVV-së, për propozim dhe zgjedhje të kryeparlamentarit.

Gjithnjë sipas Kushtetutës së vendit, pas konstituimit të Kuvendit, atëherë fillojnë afatet ligjore për zgjedhjen e qeverisë, përkatësisht të kryeministrit!

Dy vendimet dualiste të Gjykatës Kushtetuese, përveçse të padrejta, janë puro politike në shërbim të klientelave partiake e jo në funksion të shtetit të Kosovës.

Deklarimet e partive parlamentare PDK, LDK dhe AAK, duke e quajtur Albulena Haxhiun “përçarëse”, janë përjashtuese ndaj partisë fituese, rast ky i paprecedent në praktikat e mëparshme parlamentare.

Vendimi i vonuar dhe prolongimi i paarsyeshëm i Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm që nuk do të prodhojë zgjidhje, por do të shkaktojë një krizë të re politike në Kuvend!

Kjo legjislaturë e Kuvendit duhej të shkarkohej e jo të shpërblehej edhe me 30 ditë të tjera!

Do të mjaftonin 3 ditë për zgjidhjen e krizës në Kuvend!

Duhej t’i mjaftonin vetëm 3 ditë Gjykatës Kushtetuese për të konstatuar shkeljet e Avni Deharit, e jo t’i presë 30 dështime të njëpasnjëshme!

Të gjitha “shkeljet” e Avni Deharit ndodhën me bekimin e Kushtetueses!

Shtrohet pyetja tani, kush duhet ta ndëshkojë Gjykatën Kushtetuese, e cila një herë i dha të drejtë Deharit, kurse herën tjetër ia mohon atë të drejtë, siç e tha në vendimin e fundit: “kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Nëse është kështu, atëherë, ky është:

Dështim i Kuvendit!

Dështim i Drejtësisë!

Dështim i Shtetit!

Kur qytetarët heshtin, padrejtësia rritet si orteku i borës!

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendim për zgjatjen e krizës politike në dëm të shtetit të Kosovës dhe në kurriz të qytetarëve!

Një popull që heshtë kundër të keqes nuk e meriton më mirë!

Secili popull e ka qeverinë që e meriton!

Kosova e ka Gjykatën që nuk e meriton!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".