Ali Ahmeti kërkon të promovojë politikisht vetveten dhe Ed(Vin) Ramën me flamurin e patriotizmit

Ali Ahmeti kërkon të promovojë politikisht vetveten dhe Ed(Vin) Ramën me flamurin e patriotizmit
Ali Ahmeti kërkon të promovojë politikisht vetveten dhe Ed(Vin) Ramën me flamurin e patriotizmit

Dritan Goxhaj

  • 12 August 2025 - 09:05

NJË PROTESTË E MARRË PENG

Nga Dritan Goxhaj

Me datë 7 të këtij muaji të nxehtë, të gushti 2025, Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizoi, pas kaq kohe, një tubim në shenjë proteste ndaj veprimeve të paligjshme dhe të cënueshme, që Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar po bëjnë kundrejt të akuzuarve dhe të paraburgosurve në proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, me moton: “Kundër Padrejtësisë”.

Por kjo protestë e organizuar me sinqeritet nga Kryesia e OVL të UÇK-së u morr peng nga një individ, i cili e përdori këtë tubim për nevoja të vetat personale politike dhe për të promovuar idera që nuk i shërbejnë aspak kauzës së tubimit, por që në realitet do të cënonin Kosovën dhe UÇK -në, dhe do t’i jepnin këtij individi dhe ndonje tjetri flamurin e patriotizmit, të cilin pastaj do të mund ta përdorin për luftën e tyre politike të brendëshme.

Dhe personi që e mori peng këtë protestë të datës 7 gusht 2025, në Prishtinë, është Ali Ahmeti.

E para, Kryesia e OVL e UÇK-së gaboi që në këtë tubim me një temë kaq të ndjeshme kish planifikuar që të mbaheshin vetëm 4 fjalime. Dhe në ta vetëm njëri do të ishte kryesori, ai i Ali Ahmetit.

Kryesia e OVL-së do të duhej që në atë tubim të sillte në tribune, për të mbajtur fjalën ish anëtarë të SHP të UÇK -së, dhe Ali Ahmeti nuk ka qënë anëtar i SHP të UÇK -së.

Do të duhej që në atë tubim të mbanin fjlalë ish komandantët e Zonave Operative të UÇK -së, si dhe pjesëtarë të familjeve të personave të dënuar e të akuzuar padrejtësishtë nga kjo gjykatë.

Do të duhej që në këtë tubim me moton: “Kundër Padrejtësisë”, të flisnin aty juristë që të shpjegonin shkurtimisht padrejtësitë që po bëhen dhe shkeljet ligjore.

Por jo, asnjë nga këto nuk ndodhi.

Në fakt, aty ishte vetëm Ali Ahmeti.

D.m.th, tubimi u organizua për Ali Ahmetin që ai të mari sërish flamurin e patriotizmit për të riardhur në pushtet në Maqedoni.

Por çfarë tha Ali Ahmeti në atë tubim? Asgjë.

Na tha që UÇK ka bërë luftë të drejtë.

Këtë e thonë në trojet shqiptare anembanë çdo fëmijë i moshës 6 vjeç e lart.

Çfarë na tha Ali Ahmeti, si anëtarë i Sektorit të Rëndësisë së Veçantë, sektor ky që, prej nga themelimi i UÇK -së e deri në datën 10 Qershor 1998 ka qënë përgjegjës për çdo veprimtari të bërë dhe komunikatë politike të lëshuar në emër të UÇK –së. Asgjë tjetër.

Por Ali Ahmeti aty doli dhe na propozoi: “Kërkojmë që përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që janë në Këshillin e Europës, të kërkojnë rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës, të vitit 2011, sepse deri më tash është vërtetuar nga shumë drejtime, se kurrë nuk ka ndodhur trafikim i organeve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mbi të cilën të pavërtetë, është kërkuar me pa të drejtë formimi i Gjykatës Speciale”.

A ju kujtohet një gjë të tillë, e ka kërkuar kohë më parë Ali Ahmetit edhe Ed(vin) Rama?

Pra kjo tregon që këta të dy janë koordinuar për të marrë peng këtë tubim për interesin e tyre politik, në dëm të UÇK -së dhe Kosovës.

Pse them në dëm të UÇK -së dhe Kosovës?

Lutem, lexojeni me vëmendje! Këta kërkojnë: “Rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës së vitit 2011, sepse deri më tash është vërtetuar nga shumë drejtime, se kurrë nuk ka ndodhur trafikim i organeve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Raport i Asamblesё Parlamentare tё Kёshillit tё Evropёs titullohet: "Trajtimi ҫnjerёzor i personave dhe trafikimi i paligjshёm i organeve njerёzore nё Kosovё".

Por dihet që, për akuzën e trafikimit të paligjshëm të organeve u krye një hetim i plotë nga Gjyakta Ndërkombëtatre e Hagës, me miratim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dhe hetimi arriti në rezultatin e deklaruar publikisht: Nuk ka pasur trafikim të organeve nga UÇK -ja.

Dhe bazuar mbi këtë deklaratë, edhe Prokurori Special i Task Forcës së BE-së, Clint Ëilliamson, Task Forcë Hetimore Speciale (TFHS), e ngritur pёr kryerjen e një hetimi tё pavarur tё pretendimeve tё ngritura nё raport dhe krimeve tё tjera nё lidhje me to, pat raportuar zyrtarish në 2013 se: “TFHS-ja ka zhvilluar hetimin më të plotë që është bërë deri sot për krimet e kryera, pasi lufta përfundoi në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Si rezultat i këtij hetimi, ne besojmë se TFHS-ja do të jetë në gjendje të ngrejë një aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këta individë mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që është drejtuar kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë, si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës të cilët i etiketuan si kolaboracionistët e serbëve ose, më shpesh, të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së.

“Të dhënat e përpiluara nga TFHS-ja tregojnë që elementë të caktuar të UÇK-së qëllimisht i vuri popullsitë pakicë në shënjestër me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhuna seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosja me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare”.

Dhe mbi bazë të këtij raporti të Clint Ëiliamson u ngritën ZPS dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat çdo kush nëse do të shikojë në faqen zyrtare të tyre, në ballinën e faqes do të mund të lexoje se: Jjuridiksioni i tyre është vetëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pra nuk figuron aspak dhe askund çështja e trafikimit të organeve.

Ndërkohë që raporti i KE ndahet në dy pjesë, sikundër shihet edhe nga titulli i tij: “Trajtimi ҫnjerёzor i personave dhe trafikimi i paligjshёm i organeve njerёzore nё Kosovё”.

Dhe Ali Ahmeti e Ed(Vin) Rama kërkojnë dhe merren vetëm me trafikimin e organeve, i cili nuk ekziston askund në akuzën e Prokurorisë Speciale, dhe aspak nuk propozojne dhe të kundërshtojnë pjesën e parë të këtij raporti, trajtimin çnjerëzor, i cili ka të bëjë me akuza të ngritura në bazë të një pretendimi të bërë me shkrim nga Altin Raxhimi e Vladimir Karaj me urdhët dhe direktiva të Birnit të Sërbisë, në vitin 2009, për burgosje në kampet e UÇK -së në Kukës.

Por, ajo që është edhe më dëmtuesja, është se këta e kërkojnë ta rishikojnë këtë Rezolutë tashti që kjo Gjykatë ka dhënë edhe dy vendime për akuzën e mbajtjes dhe torturimit nga ana e UÇK -së me dëshitartë të rremë.

Dhe çdo rishikim i kësaj Rezolute tashti do shkonte në favor të Sërbisë, sepse ajo do paraqiste si vlefshmëri të rezolutës së parë dënimet që kjo gjykatë ka dhënë, dhe atëherë çfardo Rezolutë e re që të bëhej do të ishte më e keqe se e para dhe më e dëmshme se e para, kundrejt Kosovës dhe UÇK -së, pasi do të merrte në konsideratë ato vendime të Gjykatës Speciale.

Thua, vallë, që Ali Ahmeti e Ed(vin) Rama të jenë kaq injorantë sa të mos e kuptojnë një gjë të tillë?!!!!

Në vend që Ali Ahmeti t’u bënte thirrje shokëve të tij të luftës, si Nait Hasani, që i rrinte nga prapa në atë tubim, dhe që nuk guxoi të mbante një fjalim në atë tubim si ish udhëheqësi i parë i Shtabit Qëndror të UÇK –së(!), dhe që si parlamemtar i Kosovës të ngrenë një komision hetimor në Kuvendin e Kosovës që të mbikqyri gjith veprimtarinë ligjore të kësaj Gjykate dhe gjithë procedurat e saja dhe, në bazë të shkeljeve që janë të pafund, të ndërrmarrin inciativën për rishikimin e kësaj Gjykate dhe ligjit të saj, Ali Ahmeti kërkon të promovoje politikisht vetveten dhe Ed(Vin) Ramën me flamurin e patriotizmit.

Tubimi i datës 7 gusht është për tu përshëndetur për inciativën, por jo për organizimin.

Rradhës tjetër Kryesia e OVL të UÇK -së do bënin mirë që mos të binin pré e individëve me axhenda politike personale, si Ali Ahmeti, e mos ta vendosin protestën peng të njerëzve të cilët nuk kanë si qëllim as të mbrojnë UÇK -në, as ata që janë marrë peng nga kjo gjykatë, por vetëm të promovojnë vetveten si patriotë të mëdhej,,ndërkohë që në anën tjetër, së bashku me Ed(Vin) Ramën, po ky Ali Ahmeti u mundua të na fuste në Jugosllavinë e Re nëpërmjet nismës për Ballkanin e Hapur, e po ky Ali Ahmeti i shiti interesat kombëtare Shqiptare kur votoi në Parlamentin e Maqedonisë për njohjen e emrit të ri të Maqedonisë, si Maqedonia e Veriut, duke e bërë kështu gjithë Maqedoninë tokë Greke(!)

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".