
Kush po i shkakton këto zjarre?


Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi.
Nuk mbahet mend, prej shumë vitesh, që Kosova të jetë përballur me kaq shumë vatra zjarri, të cilat kanë mbuluar me tym e flakë sipërfaqe të mëdha të vendit. Shtrohet pyetja: Kush po i shkakton këto zjarre?Temperaturat e larta të verës apo faktori njeri? Pa dilemë, të dyja këto janë shkaktarë. Nxehtësia e madhe është një prej faktorëve kryesorë që po ndikon në shpërthimin e zjarreve, sidomos në zonat malore e kodrinore, ku po digjen me qindra mijëra hektarë pasuri kombëtare.
Por nuk mungojnë as rastet kur vetë faktori njeri, i pavetëdijshëm, i paedukuar, i pakujdesshëm apo edhe me qëllim të keq, vepron në dëm të pronës publike duke shkatërruar natyrën dhe pasurinë ekonomike të Kosovës. Madje, ka pasur raste kur edhe rojtarë pyjesh, për të humbur gjurmët e keqpërdorimeve ose për t’iu shmangur përgjegjësisë, i kanë vënë zjarrin vetë pyjeve. Këto zjarre, të nxitura nga erërat e forta, janë përhapur me shpejtësi, duke përpirë sipërfaqe të tëra malore, kullosa e fusha, të cilat më pas kanë marrë pamjen e një shkretëtire. Vetëm gjatë muajit gusht, zjarret shpërthyen në shumë komuna të Kosovës, duke djegur edhe sipërfaqe të mëdha me grurë. Në disa raste, flakët kanë përfshirë edhe shtëpi banimi, duke lënë familje të tëra pa kulm mbi kokë. Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është mungesa e organizimit politik, shoqëror dhe institucional. Bashkësitë lokale ekzistojnë vetëm në letër — pa iniciativa, pa tubime qytetarësh, pa debate e pa vlerësim të gjendjes dhe problemeve të banorëve. Kjo është e pajustifikueshme për kohën dhe rrethanat në të cilat jetojmë. Mungon koordinimi mes qytetarëve, sidomos në zonat rurale, ku banorët duhet të ndihen përgjegjës dhe të angazhohen për ruajtjen e pasurisë publike, duke vepruar sa herë që shfaqet rreziku. Toka, fushat dhe malet e Kosovës janë pasuri e përbashkët e të gjithë qytetarëve. Dëmet që po shkaktojnë këto zjarre janë të pallogaritshme dhe rikuperimi i tyre kërkon dekada të tëra. Rigjenerimi i pyjeve dhe ekosistemeve të shkatërruara është një proces i ngadalshëm dhe i vështirë. Ky fenomen është bërë një temë e nxehtë e ditëve të fundit, jo vetëm për shkak të shkatërrimit të pronës publike e private, por edhe sepse po rrezikon seriozisht jetën e njerëzve që po përballen me nxehtësinë përvëluese, thatësirën dhe pamjet që ngjasojnë me shkretëtirat Afrikane.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".