Mungesa e deritanishme e kompromisit solli përmbysjen e rendit kushtetues të Kosovës

Mungesa e deritanishme e kompromisit solli përmbysjen e rendit kushtetues të Kosovës
Mungesa e deritanishme e kompromisit solli përmbysjen e rendit kushtetues të Kosovës

Xhevat Meha

  • 16 August 2025 - 08:58

Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha

Thirrjet për kompromis, si domosdoshmëri për krijimin e institucioneve, vazhdojnë të vijnë nga pothuajse të gjithë. Vetë rezultati i zgjedhjeve e bën të domosdoshëm arritjen e kompromisit. Thirrjet e shumta që po bien në vesh të shurdhër janë dëshmi e papërgjegjshmërisë së prijësve të partive politike. Kjo papërgjegjshmëri është pasojë e ndikimit të veprimtarisë së rrjetit të fshehtë serbo-rus brenda partive politike.

 

-Por, çfarë ndodh nëse kompromisi nuk arrihet fare? Mungesa e deritanishme e kompromisit solli, më 26 korrik, përmbysjen e rendit kushtetues të Kosovës. Institucionet nuk u krijuan brenda afatit kushtetues. Rendi kushtetues duhet të rikthehet patjetër. Gjykata Kushtetuese ka përdorur mjetet në dispozicion dhe e ka shtyrë afatin, me qëllim që partitë politike të kenë edhe një mundësi për ta rikthyer vetë rendin kushtetues, duke krijuar Kuvendin.

Por partitë politike mund ta humbasin edhe këtë mundësi që ua ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Nëse ndodh një gjë e tillë, nuk mbetet rrugë tjetër përveçse të aktivizohet mekanizmi i përcaktuar me Kushtetutë për rikthimin e rendit kushtetues. Ky mekanizëm është marrja e masave që konsiderohen të nevojshme nga Presidenca, për të rikthyer rendin kushtetues.

Presidenca është e lirë të përcaktojë se cilat masa janë të domosdoshme. Nuk ka ndonjë përshkrim të saktë se çfarë mund të ndërmarrë dhe çfarë jo. Kuptohet, gjithmonë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kushtetuta përcakton qartë se Presidenca ka detyrë dhe përgjegjësi të sigurojë funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".